Zërat
Roberty Skidelsky
Roberty
Skidelsky

Çfarë strategjie ka tani për Sirinë

Zërat April 25, 2017 - 17:13

Qartazi, fjala e fundit nuk është thënë ende rreth sulmit me armë kimike në Khan Sheikhoun në provincën Idlib në Siri më 4 prill, ku vdiqën 85 persona dhe 555 të tjerë u plagosën.

Por tri arsyetime duhen bërë në lidhje me përgjegjësinë për sulmin, përgjigjen e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara ndaj tij dhe pasojës së episodit në kursin e luftës civile në Siri.

Së pari, të gjitha qeveritë gënjejnë, jo përgjithësisht, por kur iu përshtatet atyre dhe kur mendojnë se mund t’ia hedhin. Kjo duhet të jetë premisa e çdo përpjekjeje për të gjetur të vërtetën për atë që ndodhi.

Një pikë e mirë për t’ia filluar është se qeveritë demokratike gënjejnë më pak se regjimet autoritare, sepse ato kanë më pak gjasa t’ia hedhin paq. Ndaj preferohet llogaridhënia e presidentit sirian Bashar al-Assad te presidenti rus Putin dhe këtij të fundit tek ai amerikan Trump.

Sipas Assad, masakra ishte një “fabrikim”. Putin nga ana tjetër pranon se masakra ndodhi, por pretendon se stoku i armëve kimike ishte në territorin e rebelëve dhe u shpërnda ose me qëllim për të diskretituar regjimin ose aksidentalisht nga bombardimet e qeverisë. Së fundmi, administrata Trump citon prova se sulmi ishte i planifikuar dhe u krye nga qeveria e Assad. Që të tre kanë bërë thirrje për një hetim “objektiv” për rrethanat e “ngjarjes”, por nuk bien dakord për atë që përkufizohet si “objektiv”.

Megjithëse prova e Trump nuk është zbuluar, mendoj se ka më shumë gjasa se sa të mendosh që nuk pati sulm me sarinë apo se nuk u porosit nga regjimi i Assad. Megjithatë ka vend për dyshim. Duke supozuar se Assad nuk është plotësisht irracional, përfitimet e pakta ushtarake që vijnë nga përdorimi i gazit te disa rebelë (por edhe civilë) do të hidhej poshtë nga pasoja e mundshme tek opinioni ndërkombëtar, turpërimi ndaj aleatit rus dhe rrezikut të provokimit të përgjigjes amerikane.

Për më tepër, për të justifikuar pushtimin e Irakut në 2003, Shtetet e Bashkuara (dhe Mbretëria e Bashkuar) prodhuan prova “përfundimtare” se Saddam Hussein kishte armë të shkatërrimit në masë, gjë që rezultoi e pavërtetë. Dhe shtimi i “gjendjes së sigurisë” ka rritur aftësitë e qeverive demokratike t’ia hedhin paq me gënjeshtrat.

Pika e dytë është se Trump ka zbuluar paqëndrueshmëri psikologjike. Synimi i tij si president, ka thënë ai vazhdimisht, është të riparojë ekonominë amerikane, jo të jetë polici i botës.

Ai vazhdimisht e ka paralajmëruar Obamën që të mos hyjë në luftë në Siri. Megjithatë ai vendosi të lançojë 59 raketa në një bazë ajrore siriane tre ditë pas masakrës në Khan Sheikhoun. Ai mund të ketë përjetuar një spazmë emocioni kur ka parë imazhet e të vdekurve dhe fëmijëve në vuajtje në TV, të cilat u raportuan gjerësisht; por prova vizuale e metodave të përgjakshme të Assad ka qenë gjithnjë e disponueshme.

Nëse përgjigjja e tij ishte emocionale, e lindur nga zemërimi i dështimit të iniciativave të brendshme politike, e projektuar për të frikësuar Korenë e Veriut apo një përzierje e të triave, ajo i përshtatet asaj që psikologu laureat i Nobelit, Daniel Kahneman e ka cilësuar si mendim të Sistemit 1: prirja për t’u përgjigjur në mënyrë impulsive ndaj problemeve të ngatërruara kur nevojitet një shqyrtim më i kujdesshëm (mendim i Sistemit 2).

Impulsiviteti i Trump është makth, jo vetëm sepse e bën atë të shfrytëzueshëm nga persona me axhenda më të qëllimshme, por sepse ai komandon shumë armë të tjera vdekjeprurëse. Krahasoni përgjigjen e Sistemit 1 të tij ndaj sulmit të sarinës me reagimin e tetorit 1962 të presidentit John F. Kennedy dhe këshilltarëve të tij ndaj raketave bërthamore të Nikita Hrushovit në Kubë.

Pika e tretë është se deklarata e sekretarit amerikan të shtetit, Rex Tillerson në Moskë se “regjimi i familjes Assad po i vjen fundit” nuk ka kuptim. Nga 16 milionë sirianë që mbeten në Siri, 65.5 % e tyre jetojnë në territor të mbajtur nga qeveria. Nëse Tillerson ka në mendje një politikë të fshehur për ta larguar Assad me anë të vrasjes apo grushtit të shtetit, këmbëngulja në largimin e tij si një kusht i zgjidhjes politike në Siri çon në zgjatje të luftës civile: më shumë mbështetje të armatosur për opozitën nënkupton më shumë mbështetje ruse për regjimin.

Sidoqoftë, politika e Amerikës, nëse ka një, është thjesht një politikë lufte pa limit kohor dhe pa pasoja të llogaritura.  Siç e tha dhe Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike pas sulmit me raketa: “Nëse duket se Trump është duke arritur një ekuilibër politikash, impulsiviteti i tij, injoranca për çështjet ndërkombëtare, natyra josistematike, kundërshtimi amtar dhe dispozita transaksionale me gjasa formojnë një “doktrinë Trump” të veçantë.

Një politikë e jashtme e matur është krejt e ndryshme nga një përgjigje “proporcionale” ndaj një ngjarjeje të caktuar, sepse përfshin fundin që do të arrijnë mjetet e zgjedhura. Me fjalë të tjera, politika e jashtme kërkon mendim strategjik. Trump nuk ka treguar prova për këtë; në fakt, impulsiviteti i tij politik rrezikon të thellojë edhe më keq vrimën në Siri, ku do të zhyten SHBA, Britania dhe Rusia.

Në vitin 1903, një student në Universitetin e Kembrixhit, një John Maynard Keynes, shkroi një ese mbi filozofin konservator Edmund Burke, nga ku buron një perlë diturie për kohën tonë. “Përveç rrezikut të përfshirë në çdo metodë të dhunshme progresi”, argumenton Keynes, “ka një konsideratë tjetër që duhet theksuar shpesh; nuk mjafton që gjendja të cilën kërkojmë të promovojmë të jetë më e mirë se gjendja e mëparshme. Ajo duhet të jetë mjaftueshëm më e mirë në mënyrë që të kompensojë të keqen e tranzicionit”. /The Financial Times/

(Autori është anëtar i dhomës së Lordëve, profesor në Warvick)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK