Zërat
Xhabir Hamiti
Xhabir
Hamiti

Imami im i dashur shqiptar!

Zërat April 22, 2017 - 19:33

Në pamundësi të bashkimit të të gjithë imamëve në një vend, vendosa  të ju drejtohem publikisht me një letër të tillë; sa qortuese aq edhe këshilluese në të njëjtën kohë.

 Në prag të shekullit në të cilin kemi hyrë, shihet qartë se  bota njerëzore  ka pësuar shumë ndryshime në shumë dimensione të jetës së saj. Si popull dhe si komb jemi të vegjël për të ndikuar në ndryshimet globale, apo në orientimet ideologjike ndaj  pjesës së botës së madhe dhe të fuqishme. Fundja, këtë edhe nuk na e kërkon askush si përgjegjësi tonën.  Në këtë situatë kaq të koklavitur dhe të bombarduar nga të gjitha anët me informacione nga më të ndryshmet,  prej gjithsecilit nga mesi ynë nevojitet që  të ketë kujdese të shtuar, në mënyrë   që  çdo njëri  të ruaj kopenë e vet, me mundësitë dhe kapacitetin që ka në dispozicion.

Imami shqiptar  i cili sot  i prinë një grupi të besimtarëve në rrethin e vet ka një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm. Ai duhet të jetë vigjilent dhe përgjegjës për fjalën e tij publike,    dhe i vetëdijshëm  për rrugën të cilën e ndjek në interpretimin e mësimeve fetare.  Pozicioni ynë gjeografik  dhe gjeopolitik  kërkon nga ne  një qasje të matur, të balancuar  dhe shumë mirë të studiuar. Rreshtimi ynë pas shkollave dhe orientimeve të jashtme, dhe pasimi i tyre sipas modelit  copy-past, është qartë  i dëmshëm si për fenë të cilës i takojmë, e njashtu edhe për vendin dhe të ardhmen e qytetarëve  tanë. 

Përmes një vështrimi të shkurtër përgjatë  këtyre dy dekadave të fundit të cilat po i lëmë pas,  shihet se, krahas  sukseseve  në misionin tuaj si imam, ju keni bërë edhe disa  gabime dhe  lëshime të cilat nuk do duhej të ishin  pjesë e punës tuaj. Gjatë  gati 20 viteve të pasluftës,  vërehet  se  në mes jush nuk ka ekzistuar një unitet i duhur, për të pasur qëndrime dhe udhëzime  të përbashkëta fetare të mësimeve islame. Prandaj, si rezultat i këtij moskoordinimi kyç, në mesin e besimtarëve  tanë  të rëndomtë është krijuar një laramani  e pa qenë më herët. Në  shumë faltore- xhami tona sot, mund të hasësh në dy e tri forma të ndryshme të rreshtimit në namaz, pastaj të lëvizjeve dhe  të pozicionimit  të çakorduar   të besimtarëve. Këto nuk i shkaktuan të tjerët, por mësimet e tuaja.

 Kjo si dukuri nuk ka qenë më herët tek ne, dhe as që është bërë fjalë për të.   Si imam, një pjesë e juaj ka marr guximin që të veproj krejtësisht  i pavarur në mesin e besimtarëve, dhe jo si një trup me një qëndrim unifikues  zyrtar.  Jeni ndarë në shkolla dhe orientime të ndryshme. Një grup nga radhët tuaja  pason shkollën e versionit jo alternativ, një tjetër atë lëvizjeve myslimane me synime politike, kurse një pjesë ka rënë nën ndikimin e grupeve ideologjike fetare dhe doktrinare të vendeve të huaja, të pa njohura po ashtu në mesin tonë.

Megjithëkëtë, vlen të thuhet se pjesa më e madhe e juaj vazhdon të ndjek vijën e interpretimit tradicional të fesë islame tek ne, e cila ishte  dhe është bashkuese për të gjitha shtresat e besimtarëve tanë , mirëpo  kjo nuk është  një garanci për të ardhmen afatgjate, nëse grupet tuaja të  reja të mbështetura nga jashtë,  vazhdojnë të jenë aktive dhe të çakorduara  siç edhe  kanë qenë deri më sot.

 Duket se sikur nuk keni menduar ndonjëherë qartë dhe thellësisht,  se kjo ndarje më së paku u bënë juve nder, ndërsa  më së shumti e dëmton unitetin e përbashkët  tonë qytetar dhe  fetar.  Fatkeqësisht, në radhët tuaja ka munguar edhe vigjilenca në kohë  se ku mund të  përfundojnë këto divergjenca të predikimit  fetar,  dhe se  cili mund të jetë epilogu i tyre. 

Me dhe pa vetëdije keni rënë nën ndikimin individëve dhe shkollave të jashtme,  të cilat  në asnjë mënyrë nuk përputhen me  interesin e  besimtarëve dhe qytetarëve tanë.  Ne kemi pasur, siç  edhe kemi nevojë për ndihmën e të tjerëve, siç vazhdimisht edhe  do të kemi nevojë për miq të jashtëm, por kuptojeni se asnjëherë nuk do të na bëjë nderë një dorë ndihmëse,  e cila na dëmton dhe na godet në ecjen dhe në orientimin tonë kombëtar, gjeografik dhe gjeopolitik.

Një pjesë nga ju  nuk ishte  dhe fatkeqësisht  ende vazhdon të mbetet  e pa vetëdijshme  për të ndarë Islamin me  traditën dhe kulturën e vendit nga ku  një pjesë e juaj jeni edukuar dhe arsimuar.  Nga ju  ende ka të tillë që besojnë  se fetvat, dekretet fetare të dijetarëve mysliman mbi rregullimin e jetës sociale të shoqërive myslimane, të nxjerra shekuj më herët, mund të aplikohen plotësisht edhe sot, dhe aq më keq i konsideroni si  të pa zëvendësueshme.  Ju duhet të kuptoni njëherë e përgjithmonë se vetëm teksti i Kuranit-urtexti i tij, është i shenjtë, ndërsa  në asnjë  mënyrë  jo edhe mendimi i cilit do  dijetar mbi të. 

Deri më sot  nuk keni arritur të bëni  as seleksionimin e literaturës fetare, e cila u  është servuar nga autorët e ndryshëm, e përpiluar dhe  shkruar në emër te mësimeve fetare, me tendenca dhe ngjyrime politike dhe ideologjike, për t`u shërbyer kauzave lokale dhe gjeopolitike të vendeve ku autorët jetojnë dhe veprojnë. Një literaturë kjo, e cila  asgjë nuk kanë të bëjnë me rrethanat tona sociale, politike dhe fetare. 

Ne duhet të punojmë që të jemi vetja e jonë, dhe për asnjë çmim të mos vëmë në rrezik interesin tonë kombëtar, duke u ndikuar nga të tjerët në emër të interpretimeve të veçanta të fesë.  Orientimi ynë në kohë dhe hapësirë është i rëndësisë së veçantë dhe thelbësor për rrethanat në të cilat po kalojmë.  Mësimet fetare  duhet t`i marrim vet në dorë duke i mbajtur larg ndikimeve të huaja,  duke  i  orientuar ato në drejtim të unitetit dhe bashkimit tonë dhe  jo në  drejtim të përçarjes dhe të stigmatizimit të radhëve tona.

Është mëkat dhe veprim i pafalshëm për ne dhe fëmijët tanë,  që vlerat tona fetare sot,  t`i përziejmë me fraksione dhe lëvizje politike fetare të jashtme,  të cilat atje ku kanë lindur dhe  janë aktive,  deri  më sot historikisht   janë treguar dhe dëshmuar   si të dëmshme dhe me përmasa katastrofale  për besimtarët dhe qytetarët e tyre.

Në vend që të pasoni X ideologun apo X lëvizjen fetare politike, përqendrohuni në vlera fetare mbi etikën dhe moralin, solidaritetin, respektin dhe  dashurinë për njëri tjetrin, mbi elementet të cilat na bashkojnë e na forcojnë si shoqëri, komb dhe shtet. Flakëroni çdo element që zbehë dhe rrezikon unitetin dhe vëllazërinë tonë  shqiptare në rend të parë, dhe atë gjithënjerëzore në përgjithësi.

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK