Zërat
Agim Muhaxheri
Agim
Muhaxheri

Rri urtë kryetar, mos i dil trenit përpara... !

Zërat April 22, 2017 - 18:58

Kryetari i Kaçanikut, i "të gjithë qytetarëve", ende pa nisur fushata zgjedhore e gozhdon Listën për Kaçanikun. Për të thotë se "nuk do të mund të përfitojë më shumë se një vend në KK...". E luan lojën symbylltas të fëmijëve: U ba, s'u ba, sytë i çela... Ai mund të qet fall në kafene, jo në gazeta, ndryshe bëhet horë ! 

Kryetari i Kaçanikut dhe i Degës së PDK-së, B. I., "ndezi motorin". I del punë të merret me subjektin e ri politik, në këtë komunë - Listën për Kaçanikun. Në një deklaratë për të përdishmën "Koha ditore", trumbeton se kjo Listë "nuk do të mund të përfitojë më shumë se një vend në KK...".

Shihe ti, një vend ! I bie tupanit... E tutë arushën me shoshë. Sikur iu tha të vetëve: E patë çka ju bana këtyne buburrecave... Partinë e tij, PDK-në, e çoi në qiell. Propaganda e lodhtë, frikë nga rivalët politikë, të bën të qeshësh. Kjo i ngjet lojës symbylltas të fëmijëve sipas asaj: U ba, s'u ba, sytë i çela, kan ta shoh përmas e vras. Ky doktor i dhëmbëve i tregoi "dhëmbët".

Kujton se qytetarët hanë barë dhe nuk e dinë ç'është politika. Foli ai si kryetar i Komunës apo kryetar i Degës së PDK-së ? Nëse ka folur si kryetar i Komunës e ka gabim sa është i rëndë, ngase ai është kryetar i të gjithë qytetarëve ! Ku po mbetet morali politik ? Politika fryen si era. Dikë e kap stuhia, vërshimi, fundoset dhe pastaj i thotë vetës: Isha në endërr apo zgjëndërr.

Mbesin fjalët, fyerjet që s'i lanë as deti. Nuk është në dorën e kryetarit t'i caktojë akëcilit potencën politike. Potenca politike jepet me votën e qytetarit. Vota e qytetarit t'i jep krahët, vota e qytetarit t'i shkund pendlat, të "çon për të thata...". Qysh e njoh unë Ekrem Rakën (bartësin e Listës për Kaçanikun), dikur gazetar i "Kohës ditore", ai për një vend, njësh, nuk kishte hy në garën politike. Këta të PDK-së propagandën mund ta bëjnë në kafenenë e tyre, përskaj magjistralit, jo në gazeta, ndryshe bëhen horë ! Fall mund të qesin në kafene, ta bëjnë matematikën e tyre.

Tjetër është qejfi, tjetër mundësia. Njerëzit janë lodhur nga ideologjizmat, fjalët patetike, retorika e njejtë që nga paslufta e këndej. Janë lodhur me luftën, komandantët, kërkojnë realitetin, mirëqenjën e tyre... kërkojnë sendërtimin e konceptit "identiteti njerëzor". Në këtë kontekst, jo më kot Shileri s'e ka thënë: "Jepi njeriut të hajë, të banojë të mbulojë lakuriqësinë e tij - dhe dinjiteti do të pasojë vetiu".

Qytetarit i intereson mirëqenja, jo përallat për azganët e luftës ! Kush janë dy krerët e Kaçanikut, kryetari e zëvendësi i tij ? Këta janë "turistë"... Bëjnë punën e qatipit në zyre. Pasi të kryhet orari i punës shkojnë në vendbanimet e tyre, i pari në Kaçanik të Vjetër, tjetri në Ferizaj. Klloçka që nuk rri mbi vezë... nuk nxjerrë zogj ! Zotëri kryetar, mbledhi mendët, rri urtë, mos i dil trenit përpara... !

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK