Zërat
Lis Bukuroca
Lis
Bukuroca

Parlamentarëve të Kosovës

Zërat April 18, 2017 - 12:14

Mos nënshkruani marrëveshjen! Arsye ka shumë, por kryesore është kjo: mund t’i vizitojnë fëmijët e tyre shumë prindër në moshë të shtyrë, të cilët i kanë në Perëndim dhe kjo do të ishte kundër bindjeve tuaja për t'i shërbyer partisë, jo interesave nacionale. Mos nënshkruani sepse tendosja e marrëdhënieve me Malin e Zi mund të aktivizojë Serbinë dhe Rusinë në mbrojtje të asaj republike. Nëse e nënshkruani, i zbythet kjo mundësi Putinit e Vuçiqit. Mos e nënshkruani, sepse paqja në mes Kosovës dhe Malit të Zi nuk i konvenon Serbisë dhe Rusisë!

Ka dhe arsye të tjera që mund të motivojnë kokat dogmatike dhe ekstremiste: nëse firmoset ajo marrëveshje, atëherë edhe studentët mund të dalin verës, si ata nga Serbia, që po dalin dhe po punojnë nga dy-tre muaj në Perëndim dhe po financojnë studimet. Mos lejoni këtë, sepse sa më të varfër që mbani popullin, sa më të izoluar, aq më shumë shpresa mund të shpërndani dhe përralla të shisni dhe kështu rrogat tuaja si deputetë do të jenë të rregullta.

Nëse populli jeton në varfëri, nuk është me rëndësi, e rëndësishme është ju të paguheni rregullisht, duke mbyllur popullin si në kopshtin zoologjik, jo vetëm nga jashtë, por të mbyllur edhe nga brenda. Me ndihmën tuaj tani! A nuk kishte kyçur kështu Enver Hoxha Shqipërinë? E pse nuk lëçitni edhe ju Kosovën si stërnip të enverizmit? Ju zotëroni metodologjitë populiste dhe agjitpropin, si askush në Ballkan dhe në Evropë.

Mjafton të bërtisni, mjafton të çirreni dhe të thoni se Kosova po dëmtohet, po humbet një krahinë strategjike dhe ta pengoni zgjidhjen e çështjes, sepse ju nuk jeni aq injorantë sa duket në diskursin tuaj! Ju keni arsye të mëdha pse silleni siç dini të silleni. Juve ju intereson vetëm pushteti, por edhe nëse e merrni do ta nënshkruani këtë ravijëzim kufitar sepse kjo Qeveri është zotuar. E mirë apo e keqe, atë do ta nënshkruani edhe ju, sepse ju dini shumë mirë, se mbi SHBA-të, nuk mund të viheni, se Perëndimin nuk mund ta detyroni, si nuk mund ta pengoni as aderimin e Malit të Zi në NATO, por ndoshta e prisni. Ndoshta e synoni! Ndoshta e dëshironi!

Ju parlamentarë, kuptohet ju që shisni atdhetarizëm, ju edhe sikur ta merrnit pushtetin nuk do të kishit ekspertë për ta çuar Kosovën para. Deri më tani si Qeveri, si opozitë, keni dëshmuar vetëm: mungesë dije, mungesë dinjiteti, mungesë sedre dhe injorancë legjendare. Ju qoftë si Qeveri, qoftë si opozitë, me padijen tuaj trishtuese rehabilituat Serbinë dhe sa herë të zihen ngushtë, edhe pas 18 vjetëve, kërcënoheni me procese kundër Serbisë. Ju as këtë nuk e bëni, nuk do ta bëni sepse mund të pengojë zvarritjen tuaj drejt pushtetit. Ju nuk sollët as mbetjet e 3.000 vetave shpërndarë nëpër Serbi e për dëmshpërblim për gratë e dhunuara, as të mos flasim.

Ju nuk njihni interesa nacionale, por vetëm interesa personale. Ju bëni politikë vetëm për grazhdin tuaj. Mjerë ai popull që ka parlamentarë të tillë, që mendojnë se mund ta gjunjëzojnë edhe SHBA-në. Mjerë ai popull që voton ata që pos pushtetit nuk njohin interesa tjera. Ju do të ishit bërë të gjithë kryeministra, të gjithë kryetarë dhe të gjithë jeni të bindur se jeni më të mirët, edhe pse shumica as gjuhën shqipe nuk e flisni si një fillorist.

Keni vetëm një Kosovë dhe nuk mjafton se çfarë i bën Serbia nga veriu, ju do ta varfëroni edhe nga qendra, sepse ju dini ta shpjegoni siç ju konvenon juve, sepse ju dini ta arsyetoni dhe të garantoni varfërinë edhe për disa dekada. Ju që nuk nënshkruani nuk përfaqësoni popullin e Kosovës, por vetëm partinë tuaj dhe gurun tuaj, të cilin përjetoni si profet dhe të cilin, as nuk merrni guximin ta sfidoni edhe kur bëhen rizgjedhja e kryetarit. Ju nuk keni parti për interesa nacionale, por klane për në dobi të bosit që keni në krye. Ju jeni zhvatës, shushunja, shushulla dhe të shushatur, që prisni mundësinë për t'u vetshërbyer si ata që i kritikoni.

Ju që keni shpallur veten mbrojtës të integritetit territorial, kurse Qeverinë e vendit si tradhtare, që dëshironi zgjedhje të jashtëzakonshme, merreni me mend këtë:

Ta zëmë se ju keni të drejtë dhe ravijëzimi kufitar nuk do të nënshkruhet, por do të propozohet  anëshkrimi juaj. Si do të reagonte pastaj Mali i Zi? Mendoni se nuk ka Serbia atje një grup parlamentarësh që gjakojnë të vdesin për atë krahinë nga e cila zyrtarisht Kosova ka hequr dorë? Ju do të keni të drejtë, malazezët do të kenë të drejtë dhe çfarë ndodh? Kosova do të mbetet e mbyllur dhe ju do ta fajësoni Qeverinë. E mbyllur tani jo vetëm me dëshirën tuaj, por edhe me ndikimin rus  dhe pa marrëveshje. Pa të Kosova nuk mund të hyjë as në BE e as në NATO!

Prandaj mos e nënshkruani! Nesër mund të krekoseni se penguat imigrimin jashtë vendit, se vdiqën të mjerë, por të ndershëm!

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK