Zërat

Bilall Sherifi

Përdorimi i shtetit si mburojë për të mbrojtur pushtetin e tyre!

16 prill 2017 • 20 : 39

Disa ditë para festës së pashkëve opinioni publik në Kosovë u alarmua pothuajse në përmasa të shkaktimit të panikut të përgjithshëm për sulme të mundshme terroriste.

Konform kësaj, Ambasada e SHBA-ve iu bëri thirrje qytetarëve të saj që të kenë kujdes gjatë festës së pashkëve. Institucionet e shtetit, nga qeveria deri te ato që janë përgjegjëse për sigurinë, deklaruan gjithashtu se kanë informata për sulme të mundshme terroriste.

Madje, po atë ditë u arrestua dhe u dërgua në paraburgim një hoxhë i cili kishte bërë thirrje për sulme të tilla. Përveç kësaj na u tha se në rrezik nga sulmet janë edhe liderët institucional dhe politik. 

Në funksion të mbajtjes së situatës nën kontroll publiku u informua se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për parandalimin e sulmeve.

-Policët që ishin në pushim u urdhëruan ta ndërprejnë pushimin dhe të kthehen në detyrë.

-Ua zgjaten orarin e punës në 12 orë.

-Shtuan prezencën e policisë në rrugët, sheshet e qyteteve dhe pranë objekteve fetare.

Të gjitha këto masa i ndërmori policia e Kosovës, ministër i së cilës është Skender Hyseni. Mirëpo sot, pas krejt këtyre zhvillimeve dramatike të cilat e tronditën opinionin publik dhe më gjerë, ministri Hyseni thotë se "masat e sigurisë nuk kanë pasur të bëjnë me ndonjë kërcënim konkret"!

Sipas tij masat e shtuara të sigurisë qenkan ndërmarrë thjesht "për sigurinë dhe assesi për të krijuar panik dhe se sipas tij, "sa më shumë polic në rrugë dhe rreth objekteve fetare aq më të sigurt ndjehen qytetarët".

Pra, pas një terrori medial ndaj qytetarëve të vendit për rrezik nga sulmet terroriste, për rrezik nga sulmet ndaj liderëve institucional dhe politik, pasi këto lajme u shpërndanë anekënd nëpër botë se Kosova është në rrezik nga terrorizmi dhe përmes saj edhe Evropa, ministri Hyseni pa fije përgjegjësie thotë sot se "nuk kishte ndonjë rrezik konkret". Atëherë për çka u morën gjithë ato masa policore në terren dhe pse u morën gjithë ato masa informuese në media? Nga kush i ruanin policët qytetarët në rrugë dhe pranë objekteve fetare ? Nga fantazmat e ministrit? Shteti nuk merr masa sigurie shtesë pa pasur informata konkrete!

Tani, shtrohet pyetja nëse tërë këto masa janë marrë siç thotë ministri pa ndonjë "kërcënim konkret", atëherë kjo pa fije dyshimi përbën një papërgjegjësi konkrete e të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në këtë aksion.

Në planin e jashtëm vendit i është bërë dëm i madh në botë, por jo nga "fantazmat" e ministrit kundër të cilave u morën gjithë ato masa por nga efekti negativ që ka prodhuar tërë ajo propagandë mediale.

E tërë kjo përforcon bindjen se këta për të mbrojtur pushtetin e tyre janë të gatshëm ta dëmtojnë shtetin. Në mënyrë të pa riparueshme! Prandaj për hirë të shtetit, përmes mocionit të mosbesimit këta duhet të largohen nga pushteti. Në mënyrë të pa kthyeshme!

© zëri.info