Zërat

Arbana Xharra

Ju që i thoni Jo Amerikës, po çoni ujë në mulli të Rusisë

14 prill 2017 • 12 : 26

Senatori John McCain erdhi në Kosovë, nuk është pak për ne që në këtë periudhë kur Rusia po e shtrinë ndikimin më të madh në rajon, te ne vjen ky zyrtar me ndikim global.

Rusia është duke e armatosë Serbinë, bëri përpjekje të shtrijë zinxhirin e saj përmes Malit te Zi.

Puçi kundër Gjukanoviqit dyshohet të jetë planifikuar nga Moska.

Ndërkohë në Maqedoni është e qartë se ka shtrirë duar e këmbë Putini.

Ne jemi të rrethuar nga ndikimi rus, i cili me automatizëm e fuqizon Serbinë.

Vuçiq fitoi bindshëm, kjo tregon se shantazhi, që skena politike e Beogradit po i bën Perëndimit me Rusinë është duke prodhuar rezultat. Çfarë po kërkojmë ne?! Në momentin më kritik, kur sërish Amerika rikthen fokusin e saj duke rikonfirmuar aleancën me shqiptarët, ne për qëllime krejtësisht politike i themi-JO.

Jo vetëm opozita, por edhe partitë e koalicionit kanë deputetë që kalkulojnë në vota, ata me prejardhje nga Dukagjini që kanë dalë kundër Demarkacionit.

Nuk është vetëm liberalizimi i vizave, është më shumë se kaq.

Ju s'e keni dert izolimin tonë, gjë e cila u dëshmua sa prej jush keni pasaporta të Shqipërisë e pa harruar faktin se secili prej jush, pozitë e opozitë, udhëtoni me para të shtetit poshtë e përpjetë.

Pasojat e këtij ngërçi që e keni krijuar do të na kushtojnë.

Nëse i thoni JO Amerikës ju po çoni ujë në mullirin e Rusisë!

Prandaj, koha e fundit për t'u pozicionu qartë. Nuk ka më pozicion win-win!

 

© zëri.info