Zërat
Azdren Shala
Azdren
Shala

Arkivat e Stambollit, 'sekreti i madh' dhe kumtuesi jonë Nexhmidin Spahiu

Zërat April 12, 2017 - 23:30

“Të merresh me një njeri jo serioz, i bije që të humbasësh seriozitetin tënd si njeri”, thotë shkrimtari i madh çek, Milan Kundera. Nisur nga kjo këshillë, çështja është, a ia vlen të merresh me një njeri si puna e Nexhmidin Spahiut? Nëse do ndiqja këshillën e shkrimtarit çek, do duhej ta injoroja. Por më shumë se këshilla e mençur, për mua tunduese ishte ideja e të bërit një vepër humane. Dhe ku ka humanizëm më të madh se të ndihmosh një njeri me një nivel kaq të ulët kulturor? Prandaj vendosa të merrem me Nexhmidin Spahiun.

Nexhmidin Spahiu tashmë njihet në publikun shqiptar, si njëri ndër të parët, në të njëjtën kohë edhe të fundit që ngulmojnë në idenë e krijimit të Kombit Kosovar. Përpjekja e tij e dëshpëruar që një banalitet ta ngrejë në nivelin e një teorie serioze, e shtynë atë që të futet edhe në fushën e historisë, me shpresën e gjetjes së ndonjë elementi që do i jepte sado pak formë produktit të tij të deformuar, Kombit Kosovar.

Kur jemi te historia, këto ditë analisti jonë Nexhmidin Spahiu duke “gjurmuar thellë” në fushën e historisë, përpos “rezultateve shkencore” që ka arritur, ai ka dalë edhe me një porosi “mobilizuese” për ne historianët dhe shqiptarët në përgjithësi. Mos i detyroni historianet turq të flasin me dokumente, na porosit gjeniu jonë, se ndryshe ata (turqit) do na tregonin të vërteta të hidhura që do na shpërfaqte shqiptarëve si popull pa histori dhe të zhytur thellë në errësirën e mitologjisë.  Një qasje e tillë ndaj problemit në fjalë, është për keqardhje. Por edhe si e tillë, ajo duhet trajtuar.

Po fillojmë me dilemën e tij parë, ku sipas analistit tonë, historia e shqiptarëve nuk ka sesi të rishkruhet, kur ajo akoma nuk është shkruar, dhe si rrjedhojë të gjitha ato që janë thënë deri më sot janë përralla. Nga këtu, Nexhmidin Spahiu duhet ta kuptojë se në përgjithësi historianët dhe produkti i tyre Historiografia, janë pjesë integrale e një areali të caktuar shoqëror, kulturor dhe akademik. Prandaj është e natyrshme që Historiografia shqiptare është e vonuar në relacion me Historiografinë botërore, por jo siç pretendohet nga anë të ndryshme edhe e paqenë.

Ndërkohë kur historiografia botërore po hynte në fazat e reja e komplekse të zhvillimit të saj, atëherë kur po avanconte edhe Filozofia e Historiografisë, Historiografia shqiptare ishte në fazën e saj protohistoriografike (vitet 20 – 40 të shek. XX). Dhe, në këtë mes duhet cekur se fakti që Historiografia shqiptare lëshoi shtat si dije e vërtetë, si shkencë (vitet e 50 – 60 – 70 të shek. XX), në kohën e diktaturave komuniste, nënkupton edhe mangësi të cilat vijnë në shprehje në disa raste. Por sigurisht që edhe vet fakti se të gjithë historianët e huaj, të cilët merren me historinë, shfrytëzojnë rezultatet e historiografisë shqiptare, fletë mjaftë qartë edhe për arritjet e saj të pamohueshme.

Dilema e tij e dytë, lidhet me pushtimin osman. Sipas analistit tonë, të thuhet se pushtimi osman ka shkaktuar një gropë të zezë në historinë e Kombit Shqiptar, është një budallallëk me brirë.  Këtu në radhë të parë kemi të bëjmë me probleme konceptuale, të cilat siç duket janë mjaftë prezentë tek botëkuptimi i cekët i tij. Prirja tashmë e njohur, jo vetëm e tij, por edhe një pjese të mirë të opinionit snobist shqiptar, se ajo çfarë në Historiografinë shqiptare quhet pushtim osman, nuk qëndron për faktin se 500 vite nuk mund të jenë pushtim, përveçse është prirje dhe justifikim qesharak, tregon edhe mungesën e njohurive elementare mbi fjalorin e gjuhës shqipe, fazat e historisë dhe rezultatet e historiografisë shqiptare. Nexhmidin Spahiu edhe analistë të tjerë, një herë e mirë duhet të mësohen ta bëjnë dallimin mes pushtimit dhe sundimit.

Pushtimi është akt, pra ndodhë për një periudhë të caktuar kohore, p.sh: Gjermania naziste ka pushtuar vende brenda një dite. Sundimi është proces. Pas aktit të pushtimit fillon një proces sundimi. Në Historiografinë shqiptare një ndarje e tillë është bërë prej kohësh. Në rastin tonë, pushtimi osman në trevat shqiptare dhe jo vetëm, ka qenë një pushtim klasik. Kjo gjë provohet edhe nga kronikat osmane  të shekujve të parë të pushtimit të tyre në Gadishullin Ballkanik (pikërisht aty ku analisti jonë pretendon se ekziston sekreti i kundërt).

Aty përshkruhet me krenari nga ana e kronistëve osmanë, tmerri që u shkaktohej popujve të pushtuar, ku në mesin e tyre spikasin Kronikat e Tursun Beut, të cilat janë të botuara edhe në gjuhën shqipe. Shpresojmë që Nexhmidin Spahiu të gjejë kurajë dhe ti lexojë në gjuhen shqipe, meqë kjo gjuhë është e një kombi tjetër për të. Kjo sa i përket pushtimit. Kur jemi te sundimi osman, rreth pasojave të të cilit analisti jonë ka disa merake, ne po marrim mundin që ti përgjigjemi shkurt. Nën sundimin 400 vjeçar osman (po e llogarisim pa vitet e pushtimit Nexhmidin!), shqiptarët kanë pasur konfrontime, refuzime, pajtime, inkuadrime, përsëri konfrontime dhe shkëputje përfundimtare në relacion me Perandorinë Osmane. Sa i përket pasojave në kuadrin e përgjithshëm të historisë së shqiptarëve me perandorinë, janë këto:

Nexhmidin, a e di se kur shqiptarët po futeshin në fazën me të avancuar të organizimit dhe unifikimit politik gjatë shek. XV nën udhëheqjen e Skënderbeut, vjen pushtimi osman dhe ndalohet një proces, nga i cili asgjë me pak dhe asgjë më shume, shqiptarët po i faktorizonte dhe po i bënte të njëjtë sikurse shtetet tjera ballkanike dhe evropiane të kohës!? Prandaj është gropë e zezë Nexhmidin.
Nexhmidin, a e di se pas vdekjes së Skënderbeut, u ushtrua dhunë sistematike ndaj popullsive të atyre zonave!?
Nexhmidin, a e di se po të dëgjonte ndonjë arbëresh nga Italia, kur thoni ju edhe të tjerë, që Perandoria Osmane nuk ka qene pushtuese dhe e egër, do të pyeste ty dhe shokët tu, pse jemi ne këtu (në Itali)!?

Nexhmidin, a i dinë pasojat e atyre shpërnguljeve të shqiptarëve nga presioni osman!?
Nexhmidin a e di sesi shtypeshin kryengritjet e vazhdueshme ati-osmane në trevat e Shqipërisë!?
Nexhmidin, a e di ti se gjuha amëtare dhe shkolla vetëm shqiptarëve i’u mohua nga Perandora Osmane!?
Nexhmidin,  a e di ti se Kombi Shqiptar u formua si produkt i konfrontimit me Perandorinë Osmane dhe me fqinjët ballkanikë, e jo si pasojë e ndonjë bashkëpunimi eventual që ju me shokë përpiqeni ta shpikeni!?
Nexhmidin, a e di që Lidhja Shqiptare e Prizrenit u shtypë nga Perandoria Osmane, pikërisht aty ku po hidhej fara e idesë së një shteti të pavarur shqiptar!?
Nexhmidin, a e di ti se si pasojë e kësaj politike osmane, jemi populli i fundit që u shkëputë nga Perandoria Osmane!?
Nexhmidin, a e di ti se po e gënjen lexuesin shqiptar (nëse ke ti të tillë), kur thua se Perandoria Osmane formoi shtetin shqiptar!?

Të gjitha këto janë fakte, nuk janë opinione Nexhmidin, kur shikohen dhe vlerësohen nga prizmi shqiptar. Mirëpo, ajo që ti ke vendosur ti shikosh nga prizmi turk, nuk është gjë tjetër përveçse shpërfaqje e një qëndrimi të mjerë që vjen si kombinim mes liberalizmit të thellë me naivitetin ekstrem. Ky mjerim ka arritur deri në atë pikë, saqë sot shqiptarët edhe nga avokati i palës, kërkojnë të jetë neutral. Ky është rasti edhe me qasjen e analistit tonë. P.sh. Betejën e Kosharës, shqiptarët e shohin si thyerje e kufirit shqiptaro – shqiptar, ndërsa serbët si thyerje e kufirit shqiptaro – serb. Dhe natyrshëm lindë pyetja: kush është e vërteta në këtë mes? Nexhmidin e sheh nga ana e arkivave të Beogradit. Shkon përtej neutralitetit.

Dilema ose keqkuptimi i tretë i analistit tonë lidhet me formimin e kombit, si formacion socio-historik. Problemi i parë është si ai e trajton gabimisht kombin si një proces të mbyllur, dhe si i tillë ai duhet parë si objekt studimi nga historianë, sociologë, filozofë e politikologë të ndryshëm. Ky është lëshimi i parë dhe mjaftë i rëndë që e bënë Nexhmidin Spahiu, kur dihet se fenomeni komb akoma është prezent dhe çdo ditë e më tepër po merr forma më të specializuara të mundshme.

E thënë ndryshe, kjo është njëjtë sikur të trokasësh në një derë të hapur, Goxha budallallëk Nexhmidin! Gabimi tjetër që vjen si pasojë e mungesës së njohurive historike, filozofike dhe sociologjike, e shtynë Nexhmidin Spahiun, që produktin komb të cilësojë ekskluzivisht si krijesë imagjinare të shek. XIX, duke e mohuar kështu historinë si determinuese e proceseve shoqërore. Ekzistojnë dy teori kryesore rreth formimit të kombeve. Njëra është ajo që kombet i sheh si produkte ekskluzive të shek. XIX, pa asnjë lidhje dhe ndikim nga e kaluara paraprake. Dhe tjetra, është ajo që kombet i sheh si produkte të një zhvillimi historik të paktën që nga mesjeta e vonë, dhe që marrin formën e plotë por jo përfundimtare, gjatë shek. XIX, me krijimin e kombeve – shtete.

Nga këto këndvështrime, Kombi Shqiptar nuk ka bërë përjashtim së trajtuari në të dyja rrafshet teorike. Hipoteza se Kombi Shqiptar u formua gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX, pa asnjë bazë historike, por si pasojë e mitit të krijuar nga veprimtaria e rilindësve shqiptarë, ashtu siç pretendon edhe Nexhmidin Spahiu, është tashmë e njohur. Figura më përfaqësuese e këtij qëndrimi është historiania franceze Nathalie Clayer, e cila në librin e saj Në fillimet e nacionalizmit shqiptar, insiston vazhdimisht në hipotezën se, ideja e shqiptarizmës krijoi shqiptarinë në terren, ide e cila nuk është argumentuar asnjëherë, dhe si e tillë nuk ka gjetur hapësirë në çarqe të ndryshme shkencore dhe akademike.

Karshi kësaj hipoteze, qëndron teza e argumentuar edhe me fakte historike se Kombi Shqiptar u formua pas gjysmës së parë të shek. XIX, por i ndërtuar dhe i bazuar mbi një ndërgjegjeje të çartë protokombëtar, të paktën që nga periudha e Skënderbeut e këndej. Pra baza themelore rreth të cilave janë krijuar kombet-shtete ka qenë përkatësia etnike, gjuha, kultura e të tjera elemente. Dhe nga ky këndvështrim, po të kemi parasysh se këto premisa ishin definuar shumë qartë në mesjetë, madje në kohën e Skënderbeut arriti në dimensionin më të lartë koncepti “Arbëri politike”, atëherë  e kuptojmë drejtë pse Perandoria Osmane e cila kishte ardhur që nga shek. XIV – XV në Gadishullin Ballkanik, e paska dëmtuar Kombin Shqiptar, megjithëse ai ka marrë formën më të plotë në shek..XIX.

Dhe së fundi, ka kohë që shqiptarët dhe Turqinë i  lidhin shumë fije afrie e miqësie, e sidomos prezenca në këtë vend e miliona qytetarëve të saj me prejardhje shqiptare. Mirëpo, që kjo miqësi të thellohet duhet vetëm diçka: nga ana e Turqisë, shqiptarët të perceptohen si entitet i qartë nacional në hapësirë të vetë (Kosovë, Shqipëri), të cilët kanë një synim madhor strategjik, bashkimin e tyre kombëtar dhe akomodimin brenda Bashkimit Evropian.

 

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK