Zërat
Nesim Zenelabedin Dervishdana      (20 shkurt 1964 – 26 korrik 1981)
Nesim
Zenelabedin
Dervishdana





(20
shkurt
1964

26
korrik
1981)

Familja Dervishdana, e njohur për tradita patriotike

Zërat April 11, 2017 - 13:52

Nesimi Dervishdana u lind më 20 shkurt 1964 në Gjakovë. Nesimiu rrjedh nga një familje me tradita të theksuara patriotike dhe fetare. Kështu stërgjyshi i tij, baba Danë, u plagos në vitin 1913 në luftën për mbrojtjen e Shkodrës. Në vitin 1943 fashistët gjermanë e vranë axhën e gjyshit të Nesimit, Dervish Danën në Gjakovë.

Prindërve të Nesimit, babë Zenelabedinit, i njohur në popull si baba Zenel dhe nënë Fetije Kelmendit, iu lindën gjashtë fëmijë, tre djem e tri vajza. Nesimiu ishte fëmija i katërt i tyre. Fëmijët e tij babë Zeneli i frymëzoi  dhe i edukoi në frymën e idealeve më të larta fetare, njerëzore e kombëtare. Familjarisht ata kishin një qëndrim të qartë kombëtar. Nesimiu që në fëmijërinë e hershme dallohej nga moshatarët e tij me temperamentin e tij luftarak dhe të padurueshëm ndaj padrejtësive. Filloren e kreu në shkollën “Mazllum Këpuska” me sukses të shkëlqyeshëm, në Gjakovë, kurse shkollimin e mesëm e vazhdoi në gjimnazin “Hajdar Dushi”, po ashtu në Gjakovë. Ishte i dashur me shokë e arsimtarë. Ishte gojëmbël e komunikativ, por edhe vetëmohues dhe i sakrificës kur e kërkonte nevoja. 77/ Gazeta “Fokusi”, Prishtinë, 9 prill 2004.

Demonstratat e 11 dhe 26 marsit dhe të 1, 2 dhe 3 prillit 1981 nuk kishin lënë asnjë qytet dhe vendbanim të Kosovës pa u kapluar nga demonstratat gjithëpopullore të cilat kërkonin ndryshimin rrënjësor të statusit të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, duke iu njohur e drejta për vetëvendosje dhe statusi i Republikës së Kosovës, si hap cilësor drejt ribashkimit kombëtar në një shtet etnik shqiptar. Vrasjet dhe plagosjet e shumë demonstruesve gjatë demonstratave të Pranverës Shqiptare të ’81-shit e kishte shtuar së tepërmi hidhërimin dhe pezmin e shqiptarëve kundër pushtetit serbo-jugosllav. Këto vrasje dhe plagosje ishin pasuar me burgosje masovike të organizatorëve të demonstratave si dhe me largimin e qindra të tjerëve nga shkollat e mesme dhe studimet si dhe me largimin e shumë punëtorëve nga vendet e tyre të punës.

Represioni serb po vazhdonte gjithandej Kosovës duke bërë përpjekje që ta frikësonte popullatën shqiptare në mënyrë që ajo të hiqte dorë nga kërkesa programore që tashmë ishte shndërruar në kërkesë plebishitare për Republikën e Kosovës. Në rrethana të tilla të tensionuara dhe të ngarkuara me ankth të një heshtjeje të dhunshme, në Gjakovë dhe gjithandej Kosovës, policia dhe ushtria serbe-jugosllave kishte organizuar një provokacion të madh në Gjakovë duke zgjedhur një ditë të veçantë, natën e Bajramit. Ky provokim e shprishi qetësinë e dhunshme në Gjakovë. Një tog ushtarësh do t`i provokojë shëtitoret e shumta, sidomos femrat, duke u shtirë si të dehur. Ata shkuan aq larg në provokimet e tyre, saqë deshën t`i përqafojnë femrat! Rinia gjakovare nuk e duroi këtë fyerje dhe poshtërim të tillë flagrant dhe si zgjua bletësh i rrethuan ushtarët duke i kërcënuar dhe urdhëruar që ata të largoheshin nga mesi i qytetarëve. 78/ Po aty.

Sipas marrëveshjes dhe koordinimit paraprak që e kishin parapërgatitur strukturat e UDB-së, dalin shumë ushtarë të fshehur pas hotelit “Pashtriku”, ndërsa nga hoteli del oficeri civil që urdhëron ushtarët të shtinë me armë zjarri në turmë! Nga të shtënat e ushtarëve plagoset Malush Abrashi. Në këto rrethana i riu 17-vjeçar, Nesimi Dervishdana, kacafytet me ushtarët dhe arrin që njërit prej tyre t`ia rrëmbejë armën, duke e goditur disa herë ushtarin dhe duke e shtrirë përtokë. Por, nga parapa shpinës së Nesimit shtiu me revolver kapiteni i ushtrisë serbe, Mirko Lates, duke e plagosur Nesimiun për vdekje.  Pas këtij akti të krimit, rreth 40 ushtarë të armikut drejtohen për në kazermën qytetit. Në rrugë e sipër për në kazermë, ata hyjnë në shumë shtëpi gjakovare duke shtënë me armë dhe duke i kërcënuar qytetarët.

Gjatë kësaj ekspedite ushtarake ata i arrestojnë mbi 70 qytetarë me pretekst se: ”E kanë rrezikuar  jetën e ushtrisë popullore”. Pas disa muajsh nxirren para gjyqit ushtarak në Nish: Selim Zhubi, i cili dënohet 7 vjet, Esad Ahma me 6 vjet e gjysmë dhe Afrim Qerimi me 5 vjet e gjysmë burg të rëndë. 79/ Revista “Zëri”, Prishtinë, 30.3.1996. Për tri orë rresht, prej orës 21:00 deri në ora 24:00 i nënshtrohet Nesimiu operacionit të rëndë. Më vonë do të kuptohet se kirurgia, Dr. Mira Antukoviq, gjatë operacionit nuk ia kishte qepur të plagosurit fare zorrën e hollë si dhe zorrën e trashë të shpuar nga plumbat. Nesimiun sërish, e fusin në operacion vetëm 24 orë më vonë, prej orës 20-24 të ditës së nesërme. Edhe pas operacionit të dytë Nesimiu nuk dha asnjë shenjë përmirësimi. Përkundrazi, rreth orës 5:00 të mëngjesit të datës 28 korrik, gjendja i keqësohet Nesimiut edhe më shumë. Në orën 9:00 trupi i masakruar nga plumbat dhe nga skalpeli (bisturia) i kirurgut dërgohet në Spitalin Ushtarak të Beogradit. Aty për herë të tretë skalpeli i kirurgut ia hap plagët e njoma Nesimit 17-vjeçar i cili po luftonte me vdekjen.

Pas operacioneve të bëra  në spitalin e Gjakovës dhe të Beogradit, të cilat pothuaj ishin atentate të reja mbi trupin e njomë të Nesimit, ai mbylli sytë përgjithmonë në Spitalin Ushtarak të Beogradit, më 29 korrik 1981. Edhe pse babë Zenelin nuk e kishin lejuar ta shoqëronte të birin në spitalin e Beogradit, ai me shumë mundime dhe përpjekje kishte arritur  të njëjtën ditë te dera e spitalit duke pritur lajmin për të birin. Derisa po e merrte kufomën e të birit, babë Zeneli dhembjen e madhe e ktheu në forcë dhe nuk qiti asnjë pikë loti! Kjo situatë u bëri përshtypje mjekëve të Beogradit dhe personelit tjetër të spitalit. Njëri prej tyre e pyeti: “A t’u dhimt jeta e djalit?!” Ndërsa babë Zeneli iu përgjigj: “Kështu Zoti ka thënë se dikush duhet të ndërrojë jetë për liri!”.

Kufomën e Nesimit nga Beogradi e sollën me automjet ushtarak të përcjellë nga dy automjete policore. Kur erdhën në Prishtinë policët që po e shoqëronin babë Zenelin i thanë se ai duhet të shkojë në polici të takohej me shefin e policisë, Mehmet Maliqin. Kryepolici i Kosovës, Mehmet Maliqi dhe stafi i tij e kërcënuan Babë Zenelin se nëse i organizon varrim të birit do të ketë pasoja familjare e tërë familja Dervishdana. Ata e urdhëruan që varrimi të kryhej më herët sesa ishte paraparë dhe vetëm në praninë e familjarëve. Edhe pas arritjes së babë Zenelit me trupin e pajetë të të birit 17-vjeçar në Gjakovë edhe pushtetarët e Gjakovës e vazhduan aty ku e kishte lënë kryepolici i Kosovës, që varrimi të bëhej vetëm në praninë e familjarëve. Babë Zeneli iu tha pushtetarëve të Gjakovës: “Kush vjen për kryeshëndoshë, qoftë gjithmonë shëndosh, por kush vjen për të na i diktuar kushtet e varrimit le ta këputë qafën sa më parë! Përsëri do të kërcënohet familja e dëshmorit Nesimi Dervishdana, që varrimi të bëhet vetëm nga familja e ngushtë, përndryshe do t`i humbet edhe kufoma e birit të tyre! Megjithatë, familja e madhe Dervishdana organizon një përcjellje të dinjitetshme, ashtu siç u ka hije dëshmorëve të kombit.

Përkundër bllokimit të rrugëve që shpinin nga Prishtina, nga Peja, nga Prizreni e drejtime të tjera, megjithatë në kortezhin e gjatë mbi 7 kilometra do të marrin pjesë mbi 40.000 veta në përcjelljen e dëshmorit Nesimi Dervishdana. Ky varrim do të shndërrohet në një demonstratë të llojit të vet duke dëshmuar se kështu ishin shkëputur të gjitha lidhjet dhe të gjitha urat me pushtuesin shekullor serbo-jugosllav. Mbi varrin e Nesimiut tufë lulesh vuri edhe Fatmir Kërleshi, i cili do të vritet edhe vetë më 31 janar 1990, në demonstratat e Gjakovës.

 Familja Dervishdana vazhdoi të jetonte me dhembjen e shndërruar në krenari, por vazhdimisht e mbikëqyrur, e bastisur e shpeshherë e persekutuar nga pushteti që ua kishte vrarë birin e tyre të dashur, Nesimiun 17-vjeçar.

Vëllezërit e motrat e Nesimiut nuk u lanë të regjistrohen në studime, ata u arrestuan shpesh. Fahriu u burgos dhe u maltretua gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak në Knin, kurse Emini u gjykua dhe u dërgua në Burgun e Pejës për konflikte me policinë, për organizim të demonstratave, për djegien e flamurit serb dhe ngritjen e flamurit kombëtar në majë të minareve të xhamisë së Gjakovës. Aksion të cilin e kryente me kënaqësi dhe vendosmëri më 28 Nëntor të çdo viti.

Fahriu dhe Emini, vëllezërit më të ri të dëshmorit Nesimi Dervishdana, ishin anëtarë të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, ku u dalluan me aktivitetet e tyre në shpërndarjen e trakteve, pamfleteve e revistave të ndaluara të asaj kohe si dhe në sigurimin e armëve për nevojat e Lëvizjes. Familja emblematike Dervishdana do ta vazhdojë aty ku e kishin lënë paraardhësit e tyre edhe gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kontribut të jashtëzakonshëm dhanë vëllezërit Fahri dhe Emin Dervishdana në furnizimin e spitaleve të UÇK-së. Ata furnizuan Irzniqin, Kryshecin, Smolicën, Dobroshin, Baballoçin, Gllogjanin, Jabllanicën, Junikun etj. Këto veprime, sidomos ato të Eminit, ishin të një rëndësie të madhe edhe pse bartnin me vete rreziqe të paparashikuara.

Shkuarja e Eminit në UÇK, si fetar që ishte, ndikoi në ngritjen e moralit ushtarak të ushtarëve. Gjatë tërë kohës së luftës shtëpitë e Babë Zenelit dhe familjes së gjerë Dervishdana ishin shndërruar në vatra të sigurta ku gjenin mikpritje të ngrohtë nevojtarët e shumtë. 80/ Po aty. Të gjitha këto veprime të tyre ishin notare të dukshme, andaj tek okupatori serb pezmi kishte arritur kulmin. Përballë këtij pezmi, ndonëse të vetëdijshëm për rreziqet që i prisnin, ata i qëndruan besnik e sypatrembur pragut të shtëpisë, vatrës martire dhe atdheut të shtrenjtë e shumë të dashur. Andaj, në shenjë hakmarrjeje pushteti okupues do ta likuidojë babanë e dëshmorit Nesimi Dervishdana, baba Zenelin dhe vëllezërit e dëshmorit, Fahriun dhe Eminin,  më 26 mars 1999.

Babë Zeneli e thoshte shpesh një mendim për anëtarët e Familjes emblematike Dervishdana: “Të gjitha gradat i urrejmë, pos gradës “Dëshmor i Kombit”, për të cilën jemi të gatshëm të vdesim të gjithë.”

A ishte rastësi që edhe Nesimiu ishte plagosur për vdekje natën e festës së Bajramit si edhe babë Zeneli dhe vëllezërit e tij, Fahriu dhe Emini, të cilët ishin masakruar po ashtu natën e Bajramit? Le ta kujtojmë një thënie bibliko-kuranore, se Zoti i zgjedh dhe i merr me vete vetëm më të mirët!

Në shenjë përkujtimi të veprës së dëshmorit Nesimi Dervishdana zbulohet pllaka përkujtimore në Gjakovë, në 20-vjetorin e rënies, më 26 korrik 2001. 81/ Bajram Kurti dhe Begzad Baliu, “Gjaku i lirisë-3”, Prishtinë 1997, fq. 116 dhe 117.

 

“Në burg është vendi ku shkatërrohet trupi dhe vihet në provë shpirti. Që të dyja nuk të takojnë. Zgjedh! Nëse do trupin, harroje shpirtin! Nëse do shpirtin, harroje trupin!”.

Adem Demaçi

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK