Zërat
Arbana Xharra
Arbana
Xharra

Miku im te semafori!

Zërat April 08, 2017 - 21:58

Çdo ditë kaloja nga e njëjta rrugë. Me përshëndeste me dorë kur ishte i zënë. 

Kur semafori qëllonte më gjatë në të kuqen, hapja dritaren për t’i shkëmbyer dy-tre fjalë me të. Shpesh me pyeste a jam lodhë dhe si i kam fëmijët?!

Edhe pse fëmijë ishte ai vetë, moshë e djalit tim Andit, atë kohë rreth 6-vjeçar.

Për 6 vjet me radhë e kam parë tek rritet në rrugë përballë Katedrales, në qendër të Prishtinës. Pastronte xhamat e veturave për të mbijetuar. Sa krenar...nuk merrte të hollat kur i jepja dhe kërkoja të mos ma pastronte xhamin.

Pavetëdije ne u bëmë miq te semaforët. Filloi të ma njihte çehren, kur isha e lodhur apo e mërzitur.

" Çka ndodhi sot, kush të ka bo nervoz?", me pyeste teksa hapte sy e veshë për të marrë vesh çfarë po i them. Një herë më pa tek fshija lotët, isha nisur për në spital, djali im i vogël kishte çarë kokën... Me javë të tëra më pas nuk harronte të më pyeste "Si është Arti?".

Harronte veten e tij, që ngrinte në borë e në shi, në të ftohtë e në të nxehtë për një kafshore buke.

Kur i kërkoja ta ndihmoja, të largohej nga rruga, refuzonte... "kështu jemi krejt, s'muj unë me shku n'shkollë e të tjerët m’i lanë ktu, duhet me e mbajtë familjen". Instinktivisht e kërkoja me sy, kur nuk ishte tek semafori.

E pashë duke u rritë, çdo ditë në të njëjtin vend për 6 vjet me radhë. Miku im plot jetë, në sytë e të cilit shihja botën që s’e njihja.

Papritmas nuk e pashë më, kaluan ditë e javë, miku im nuk vinte tek dritarja. Një ditë e pyeta shokun e tij se çfarë kishte ndodhur?

"Ka hy me punu me një fabrikë në Fushë Kosovë, ngarkon e shkarkon thasë"...

Miku im është veç 12-vjeçar, rom. Fati i tij është ky. Mizeri! 

E kujtoj shpesh, kur ndalem te semafori.

Sot këtë histori po e ndaj me ju në Ditën Ndërkombëtare të Romëve. 

Për të rikujtuar turpin tonë!

Image

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK