Zërat
Lavdrim Lita
Lavdrim
Lita

Ku ndryshon propozimi i BE dhe Vuçiq për tregun e përbashkët ballkanik?

Zërat April 08, 2017 - 16:19

Në 16 mars zyrtarët e lartë të Bashkimit Europian deklaruan në samitin e Sarajevës se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë mundësi të krijojnë tregun e përbashkët, i cili do të mundësojë hapjen e më shumë se 80 mijë vendeve të reja të punës.

Qëllimi i propozimit të komisionerit për Zgjerim të BE Johannes Hahn, disa muaj më parë, ishte që “qëllimi ynë është ndalimi i ikjes së trurit nga rajoni, që t’i jepet rajonit një perspektivë dhe për shembull një treg i përbashkët në Ballkan do të mund të ishte njësynim dhe kjo përfundimisht do të krijonte vende pune”.

Në konceptin e komisionerit Hahn nuk parashikohej një strukturë permanente, ku një shtet i caktuar të merrte rol ekonomik dhe politik. Ishte ideja e një tregu të përbashkët në rajon, gjë që nënkupton heqjen e një sërë barrierash jo tarifore, pra për të lejuar tregtimin e lirë të mallrave, shërbimeve dhe njohjen e certifikatave profesionale.

Pra, me një fjalë propozimi i komisionerit Hahn ka të bëjë me realizimin e angazhimeve të marra nga 6 liderët sipas marrëveshjes së CEFTA-s. Dhe në këtë mes nuk kuptohet qëndrimi real i ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, që doli kundër zonës ekonomike rajonale të propozuar nga BE.

Mirëpo nga ana tjetër kemi një propozim konkurrues dhe alternativ të BE.

Presidenti i ri serb Aleksandër Vuçiç ka hedhur idenë e një bashkimi doganor mes vendeve të rajonit, që është dicka më komplekse që do të thotë një negocim të marrëveshjeve CEFTA dhe MSA, që është e panevojshme dhe nuk ka kosto/benefite për vendet në procesin e aderimit.

Bashkimi Doganor i Ballkanit do të thotë që këto vende heqin tarifat doganore brenda tyre dhe vendosin një tarifë të përbashkët të jashtme për të gjithë të tjerët që duan të hyjnë në këtë treg.

Me një fjalë, mbledhja dhe shpërndarja e këtyre parave nga tarifa e përbashkët duhet të bëhet nga një institucion i përbashkët, pra një institucion politik rajonal.

Modeli i propozuar nga Vuçiç është i njëjtë me atë që ndoqi Bashkimi Europian: një treg të lirë, një bashkim doganor e më pas një union i vetëm politik.

Madje, Vuçiç ka shfaqur qëllimet e nënkuptuara politike të bashkimit doganor mes vendeve të rajonit, që ai e cilëson si, një rikrijim i tregut të Jugosllavisë së vjetër plus Shqipërinë.

Kur Vuçiç deklaron që kërkon të rikthejë modelin e Jugosllavisë në Ballkan është i shumë i sinqertë, pasi ai mendon që Jugosllavia ishte diçka e mirë. Por ndryshe mendojnë popujt e shtypur nga Jugosllavia, si Kosova apo Bosnja.

Dhe në këtë aspekt Kosova, Shqipëria dhe vendet e tjera duhet të jenë skeptik ndaj krijimit të Bashkimit Doganor Ballkanik sepse kjo krijon struktura paralele me Bashkimin Europian në rajon.

Pra, dallimi i modelit të BE nga ai i Vuçiç është që BE nuk dëshiron krijimin e një institucioni konkurrues në rajon, por kërkon të rrisë konkurencën ekonomike në rajon.

Megjithatë një gjë duhet thënë me njëmend. Progresi i Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Serbisë, Maqedonisë dhe Bosnjes drejt bashkimit Europian varet kryesisht nga plotësimi i kriterit ekonomik të vendosura në Kopenhagen.

Është e qartë që hyrja e vendeve të rajonit në Bashkimin Europian nuk do të jetë kurrë si vende të varfra dhe me probleme etnike e politike që kanë nevojë për kredi e energji të mëdha nga institucionet monetare e politike të Unionit. #ZëriIntegrimit

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK