Zërat

Elton Myftiu

Loja topash me shtetin

08 prill 2017 • 11 : 58

Në një demokraci të vërtetë, zgjedhjet nënkuptojnë jo vetëm procesin ku secili qytetar ka të drejtë të shprehë lirshëm vullnetin e vet politik, por edhe procesin ku secili individ apo grupim lirshëm vendos nëse dëshiron të bëhet pjesë e këtij procesi dhe rrjedhimisht edhe pjesë e institucioneve.

Këtë gjë e dimë të gjithë, pasi që është një nga gjërat më bazike në teorinë politike, por absurdi i realitetit tonë politik dikton nevojën që t’i përkujtojmë këto përkufizime themelore. Kjo vlen sidomos për lidershipin demokrat, por edhe për të gjithë ata analistë dhe opinionistë që ushqejnë logjikën e rrënimit të institucioneve dhe që, me çdo kusht, kërkojnë qeveri teknike.

Qeveria teknike mund të krijohet vetëm nëse ka zhvillime dramatike që krijojnë dyshimin e bazuar, përtej çdo dyshimi, se institucionet më nuk përfaqësojnë vullnetin e popullit. Në një kohë kur të gjitha sondazhet PD-në e nxjerrin vetëm me 30%, kur shumica dërmuese e shqiptarëve është pothuajse indiferente ndaj projektit për të nxitur një pranverë shqiptare, nuk mund të thuhet se institucionet kanë krizë besimi. Përkundrazi!

Përballë kësaj histerie, duhet bërë pyetjen: çfarë lidhje ka qeveria me organizimin e zgjedhjeve? Në rregullimin kushtetues të Shqipërisë, qeveria nuk ka asnjë rol në organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve, përkundrazi çfarëdo ndërhyrje nga ana e qeverisë nënkupton shkelje ligjore, subjekt i një përndjekjeje të mundshme penale.

Zgjedhjet organizohen dhe mbikëqyren nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, një institucion i pavarur nga qeveria, ndërkaq të gjitha ankesat dhe përplasjet, në fund, mund të zgjidhen vetëm në gjyqet shqiptare, dhe jo në qeveri.  Thënë këtë, përsëri duhet pyetur: çfarë i duhet dikujt të jetë në qeveri në mënyrë që të sigurojë zgjedhje fer, të drejta dhe vërtet të lira? Asgjë!

Si rrjedhojë përplasjesh me LSI, fare lehtë, qeveria aktuale mund të humbë numrat, një proces krejtësisht brenda kushtetutës si dhe i ngjashëm me daljen e LSI nga qeveria e djathtë katër vjet më parë, por kjo nuk krijon asnjë precedent që të formohet një qeveri teknike. Duke pasur në mendje kohën e shkurtër deri në zgjedhje, njësoj si Berisha, katër vjet më parë, edhe Rama mund të qeverisë i vetëm deri me 18 qershor.

Duke marrë parasysh këto që u thanë më lart, që të gjitha gjëra shumë themelore, ngulmimi i lidershipit demokrat që të futen me çdo kusht në qeveri nuk ka të bëjë fare me deklamimin e tyre se duan të sigurohen se do të ketë zgjedhje vërtet të lira, por ka të bëjë me një agjendë tjetër, krejtësisht të ngushtë. Nuk dua të spekuloj nëse kjo mund të ketë lidhje me dëshirën që të pengohet vetingu, por do të përmbahem me pohimin se kjo manovër politike përbën një instrument të një puçi të pastër, që me instrumente jashtë kushtetutës të merret kontrolli apo një hise e pushtetit.

Kushtëzimi i pjesëmarrjes në zgjedhje me nevojën që qeveria aktuale, që gëzon një shumicë dërmuese, të tërhiqet për t’i lëshuar udhën një qeverie teknike apo një qeverie të besimit, përbën një manovër politike që rrezikon themelet e demokracisë sonë të brishtë. Nënkupton institucionalizimin e precedentit ku një çadër apo një instrument tjetër i rrugës të rishkruajë kushtetutën dhe rregullat demokratike të funksionimit të demokracisë sonë dhe të zhvlerësojë vullnetin e popullit. Një precedent ku rruga ngrihet mbi institucionet dhe mbi vullnetin e lirë të shprehur në zgjedhje. Kaq ka këtu.

Si politikan, Edi Rama ka përgjegjësi para votuesve të vet që të mbrojë votën e tyre, ndërkaq si kryeministër ka përgjegjësi që të mbrojë parimin e funksionimit kushtetues të institucioneve. Edi Rama nuk guxon as të lejojë që të tërhiqet ndonjë paralele me vitin 1996. Situata aktuale nuk ka asnjë lidhje me kohën kur Berisha me dhunë shtypte protestat dhe pengonte vullnetin e kujtdo që mendonte ndryshe. Që të gjithë jemi dëshmitarë se askush nuk e pengon askënd që të protestojë për aq sa të dëshirojë dhe ku të dëshirojë.

Thënë këtë, mospjesëmarrja në zgjedhje e PD-së, si rrjedhojë e manovrave të lidershipit aktual, është një çështje që i takon kryekëput PD-së dhe elektoratit të tyre, por edhe të kujtdo tjetër që nuk do të marrë pjesë në zgjedhje. Nëse lidershipi demokrat do të rrijë jashtë institucioneve atëherë duhet të mendojë mirë se si, një gjë të tillë, do ta justifikojë para elektoratit të vet.

Në anën tjetër, vend se të hamendet nëse duhet të pranojë diktatin e rrugës apo jo, Edi Rama duhet të ofrojë atë që realisht mund të ofrohet: një marrëveshje politike, me garanci ndërkombëtare, që adreson në tërësi çdo brengë të mundshme të demokratëve për mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

Rritjen e numrit të vëzhguesve të kampit blu, praninë më të madhe të vëzhguesve të huaj, investime në sistemin e monitorimit elektronik dhe teknologjik të zgjedhjeve në të gjitha fazat, një dhomë të veçantë të gjykatës së lartë që do merrej vetëm me ankesat e mundshme gjatë procesit zgjedhor si dhe çdo kërkesë tjetër të mundshme, brenda kushtetutës, për fuqizimin e institucioneve të pavarura që organizojnë dhe mbikëqyrin zgjedhjet.

Çdo gjë tjetër do të ishte vetëm qyqari politike, një lojë topash me shtetin, por edhe vetëvrasje institucionale, e demokracisë sonë, si dhe e Edi Ramës si politikan.

8 prill 2017 (gazeta-Shqip.com)

© zëri.info