Zërat
Harold James
Harold
James

Arti evropian i kompromisit

Zërat April 08, 2017 - 11:53

Ka kaluar thuajse një dekadë që nga kriza financiare e 2008-s dhe politika e konfrontimit që u shfaq pas tij mbetet e dukshme në Perëndim. Por, pavarësisht ngjashmërive mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian ndryshimet në mënyrat sesi ato zgjidhin problemet sociale, ekonomike dhe fiskale janë zbutur.

Që nga fitorja e befasishme e presidentit Donald Trump, SHBA-ja duket se po konkurron me BE-në se në cilën anë politikat janë më polemike dhe jofunksionale. Në secilin rast, shumë aktorë të mundshëm mund të shkatërrojnë procesin politik. Trump po e mëson këtë në përballjet e tij me Kongresin, gjykatat dhe qeveritë shtetërore. Në Evropë forcat politike vendase vazhdimisht përplasen me gjykatat kushtetuese dhe organet mbikombëtare. Dhe çdoherë që mbahen zgjedhje kombëtare, ose rajonale, në një nga 28 vendet e BE-së (së shpejti 27), evropianët paralizohen nga frika e një rezultati përçarës.

Për ta zgjidhur këtë situatë të punëve presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker së fundmi lëshoi një raport, në të cilën jepte pesë rrugët e mundshme përpara – nga mosveprimi deri te ndjeka e reformave sistematike te integrimi evropian njëherë e mirë. SHBA-ja, gjithashtu po përballet me një sfidë të përçarjes politike, në mos të shpërbërjes.

Problemi qendror për të dyja nuk është vetëm lajmi i rremë apo “faktet alternative”, megjithëse dezinformimi hyn në shumicën e debateve nga të dyja anët e Atlantikut. Në fakt, politika në vetvete është bërë jofunksionale nga aspekti operativ. Kur shtetasit dhe politikanët i referohen politikës sipas parimit fitimtari i merr të gjitha dhe mbështeten te politika e lojës me zjarrin dhe taktika të tjera të besimit të keq, shfaqet gjendja e sëmurë.

Si debatet evropiane dhe ato amerikane janë mbushur me imponim dhe teste të vullnetit, duke e kthyer politikën në një lojë “pulash”. Te kjo lojë, dy shoferë garojnë drejt një humnere (ose drejt njëri-tjetrit); humbësi është ai që largohet i pari nga katastrofa. Por nëse asnjë prej shoferëve nuk devijon, ata të dy shkatërrohen.

Në Evropë vendet po kërcënojnë të dalin nga Eurozona nëse Banka Qendrore Evropiane apo qeveritë e tjera evropiane nuk fshijnë borxhin e tyre të paqëndrueshëm; dhe politikëbërësit evropianë kanë kërcënuar të presin mbështetjen për vende të tilla nëse nuk zbatohen reformat. Në këtë lojë secila palë beson se kërcënimi i vet do të ishte aq dëmtues për palën tjetër, saqë njëri do të tërhiqet.

Administrata Trump u soll në mënyrë të ngjashme në lidhje me përpjekjen për të zëvendësuar “Obamacare”. Administrata i ushtroi presion Kongresit duke përdorur taktika që ishin shumë të ngjashme me ato të palëve të përfshira në krizën e borxhit në Evropë.

Së pari, administrata pretendoi se një konflikt i afërt nuk do të ishte domosdoshmërish i keq, sepse mendimet e ndryshme nuk janë të pashmangshme; ose, në fjalët e sekretarit të Shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, “diversiteti e bën vendin tonë të fortë”. Në fillim të krizës së Eurozonës më 2010-n BE-ja gjithashtu u shqetësua rreth diversitetit dhe mënyrës për të kapërcyer ndryshimet mes veriut dhe jugut, qendrës dhe periferisë.

Teksa përpjekja për të anuluar “Obamacare” vazhdoi, Trump refuzoi të jepte alternativa: “debati” i shëndetit u kufizua si një zgjidhje me dy alternativa mes kalimit të një ligji të ndryshueshëm që nuk kënaqte askënd dhe mbajtjes së status quo-së. Duke mos ofruar plan “B”, qasja e Trumpit i ngjante asaj të kancelares Angela Merkel në krizën e Eurozonës, kur u tregua e ashpër duke mos lejuar alternativa ndaj qëndrimit gjerman.

Së fundmi, në dukje Trump kishte një besim të patundur se do të fitonte dhe se ligji për të zëvendësuar “Obamacare” do të hynte në fuqi. Pretendimi i Spicerit se “Do ta bëjmë këtë” jehon sloganin e famshëm të Merkelit në mbrojtje të politikës së saj të mirëpritjes së refugjatëve sirianë: “Mund ta bëjmë”.

Por përtej këtyre ngjashmërive retorike, qasja e politikëbërjes evropiane është shumë e ndryshme nga ajo e administratës Trump. Dhe është domethënëse se gjatë vështirësive të Evropës që nga kriza financiare, është shmangur çdo kolaps spektakolar, me përjashtim të referendumit Brexit të Mbretërisë së Bashkuar.

Konfliktet e Evropës gjithnjë janë zgjidhur me njëlloj kompromisi. Edhe pse kritikët shpesh i portretizojnë proceset e negocimit të brendshëm të BE-së si shumë të gjata dhe të lodhshme, pa dyshim që kanë sjellë pasoja pozitive. Reformat që kanë përmirësuar koordinimin e politikave të energjetikës ose kanë ndihmuar për të krijuar një bashkim bankar, janë provuar si më të forta nga sa dukeshin në pamje të parë. Multilaterializmi evropian varet vazhdimisht nga shkundja e marrëveshjeve ekzistuese, gjë që përbën të kundërtën e njëanshmërisë së stilit Trumpian.

Qeveria kushtetuese është gjithashtu e bazuar te një proces i bisedimeve dhe rregullimit. Në zemër të Kushtetutës së SHBA-së, që u formësua nga eksperienca e Etërve Amerikanë me hilet e britanikëve kolonizatorë, është besimi se shumë njerëz duke arritur në një konsensus janë më të zgjuar se një person. Trump do të mësojë herët ose vonë se arritja e konsensusit është pashmangshmërisht e lodhshme dhe se zgjidhjet e prodhuara nga bisedimet politike nuk janë zakonisht as të qarta dhe as të thjeshta.

Evropa, nga ana e saj, e kuptoi këtë në vitet 1950, kur zbuloi se integrimi do të kërkonte një seri bisedimesh për t’i ruajtur zonat e mëdha të autonomisë së politikëbërjes kombëtare. Evropa nuk ka një lider të pakontestuar për të imponuar preferenca politike te kushdo tjetër. Por, ndryshe nga Trump, liderët evropianë sot mund të lëshojnë garanci si “Mund ta bëjmë”, pikërisht sepse e kuptojnë se shkëmbimet janë të nevojshme dhe të pashmangshme.

Në 2017-n Evropa mund të mësojë dy leksione të tjera të rëndësishme. Së pari, dalja e një shteti anëtar nga BE-ja nuk ka pse të jetë një hap drejt një loje pulash, nëse largimi i vendit heq pikat e tensionit dhe ruan themelin e bisedimeve të ardhshme. Dhe së dyti, administrata jofunksionale e Trumpit është një model si të mos qeverisësh dhe votuesit mund t’i ndëshkojnë ata, si liderja franceze Marine le Pen, që vazhdojnë ta promovojnë atë. (Project Syndicate)

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK