Zërat
Bajram Gecaj
Bajram
Gecaj

Shpendomania – ndryshimi që po i gënjen prishtinasit

Zërat April 05, 2017 - 10:27

I vetëdijshëm se i takon një partie politike që nuk ka simpati te një pjesë e madhe e qytetarëve, mundohet të distancohet nga partia e vet, për t’u paraqitur më i butë, më pak përjashtues dhe më shumë proamerikan. Jo Shpend jo, harroje! Ti je “Vetëvendosje” has. Ti je ndryshe për aq sa sorta jote ndryshohet nga ardhja në pushtet, nga lakmia dhe tërpia për të. Ti je shembulli më i mirë për këtë. Kjo është shpendomania.

“Me fjalë të Bajram Gecajt po më fol a!”. Kështu me sarkazëm dhe qëllimin për të më ofenduar jo vetëm mua, është përgjigjur kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti në një pyetje të gazetares Jeta Xhara. Herë me një buzëqeshje të një “biondine të pafajshme”, herë me lot të një palaçoje të mbufatur si balonë, politikani që ka studiuar në Bullgari, me karrierë politike në një “cipiripi parti”, Shpend Ahmeti i cili do të katapultohet për të marrë bajrakun e kuq në revolucionin e ri të brigadave të kuqe, tash sa kohë gënjen.

Ama duhet pranuar, ka gënjyer aq mirë saqë jo pak prej qytetarëve i ka mashtruar kohë të gjatë, gjë që e shquan prirjen e tij për aktrim, e cila po të materializohej do ta kishim një aktor të mirë në dramat e teatrit kosovar, kurse tash kemi një palaço gënjeshtar në komedinë plot fate tragjike të jetës dhe të ardhmes së prishtinasve. Gjithmonë më është dukur krejt joparimor katapultimi politiko-partiak i Shpend Ahmetit nga një parti liberale me koncepte do të thosha të buta e të brishta soc-liberale, inkopatibile dhe hiç tamam me çdo gjë në Kosovë, (thënë figurativisht, ata të lënin përshtypje si ajo vajza e vogël parashkollore që duke imituar gratë mbathin këpucët e tyre me taka) - në një parti me shumë gjëra ekstreme e më së shumti me nacionalizmin delikuent majtist, e cila edhe pse nuk i besojnë hiç parajsës pas vdekjes, por është e bindur se ajo mund të ndërtohet e të përjetohet këtu në Kosovë falë aktivistëve që dhunën e kanë premisë të hyrjes në këtë parajsë tokësore.

“Me fjalë të Bajram Gecajt po më fole a!”. U mundua ta thotë këtë ofendim Shpendi në intervistën e tij, me elegancë prej aristokrati, thua se kishte në dorë një gotë shampanjë dhe po fliste nga kolltuku i një jahte. Por ai nuk mund të jetë i tillë në asnjërin variant, sepse është një dyzim i një majtisti, me aftësi për kundërvajtje deri në vepra të palejueshme, si të shokëve të tij, dhe me prirjen për t’u tërhequr nga lakmia, jo vetëm për pushtet. Për të parën gjithmonë Shpendi po gënjen haptazi duke aktruar, e prirjen e dytë mundën t’ia zbulojnë vetëm fotografët. E ka edhe një marifet kjo shpendomania komunale, jo kollaj të hetueshme.

I vetëdijshëm se i takon një partie politike që nuk ka simpati te një pjesë e madhe e qytetarëve të Prishtinës dhe krejt Kosovës, Shpend Ahmeti tash sa kohë në forma të ndryshme mundohet të distancohet nga partia e vet, për t’u paraqitur më i butë, më i kuptueshëm, më pak përjashtues dhe më shumë proamerikan. Jo Shpend jo, harroje! Ti je “Vetëvendosje” has.

Ardhja jote në krye të Prishtinës është kontribut i partisë, së cilës i takon dhe koncepteve të saja kryekëput, edhe me delikuencë veprimi, edhe me mungesë aftësie për bashkëpunim, edhe me destruktivitet, me të gjitha ke mbetur i tillë (por edhe me marrëveshje sekrete me partitë e tjera). Ndërkaq, ti je ndryshe për aq sa sorta jote ndryshohet nga ardhja në pushtet, nga lakmia dhe tërpia për të. Ti je shembulli më i mirë për këtë. Kjo është shpendomania.

“Me fjalë të Bajram Gecajt po më fol a!”. Po Shpend ti për Ligjin e Prishtinës flet vetëm në medie, ndërsa mendjemadhësia, hipokrizia, frika apo narcisizmi yt nuk të lejon të ulesh e të bisedosh me njerëzit të cilët bëjnë çmos që ky projekt, tej mase i rëndësishëm për qytetarët e kryeqytetit, të materializohet. Shijo edhe pak luksin e jahteve, o Shpend Ahmeti, sepse populli ka lexuar mirë gënjeshtrat tuaja e të pinokëve përreth teje, prandaj nuk do të përsërisin më kurrë gabimin e vitit 2013. Do të bindesh se fjalët e Bajram Gecajt janë të vërteta.

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK