Zërat
Blerinë Ukshini
Blerinë
Ukshini

Kuvendi si (mos)përfaqësues i shoqërisë kosovare

Zërat April 04, 2017 - 12:08

Kuvendi i Republikës së Kosovës si institucioni më i lartë legjislativ shtetëror në të cilin deputetët zgjidhen drejtpërsëdrejti me vota e qytetarëve, do të duhej që të reflektonte një përfaqësim denjësisht të interesave të tyre. Por sa në të vërtetë ndodh kjo, lë shumë për të dëshiruar. Politika nuk është një shkollë ku politikanët hynë dhe në fund notohen, por është punë që kërkon përkushtim të madh. Është një “shkollë” në vete ku aktivitetet dhe punët e tyre të përditshme vlerësohen çdo ditë nga qytetarët dhe kështu atyre duke ua dhënë mundësinë që t’i votojnë përsëri për një mandat të radhës apo duke i dënuar me mosvotën e tyre. 

 
Sallonet e së Martës janë një nismë javore e Institutit Demokraci për Zhvillim (D4D). Salloni ka format gjysmëformal  sipas rregullës “Chatham House” dhe pa prani të medieve. Diskutimi mbledh rreth vetes ekspertë e analistë, politikanë e publicistë për të reflektuar dhe kërkuar konsensus mbi temat e përzgjedhura. Fjala e hapjes postohet në  kanalin e salloneve në “YouTube”. Secili Sallon përcillet me editorial që publikohet në “Zëri” të martën e ardhshme dhe në faqen elektronike të D4D-së. Podcastet duke u bazuar në editorial mund t’i gjeni në uebfaqen tonë. Salloni i radhës do të mbahet sot, më 4 prill 2017 nga ora 16:45, në “Dit’ e Nat’”, me temën: “Sa është sot lajmi i vërtetë?”     


Deputetët bartin mbi vete gjatë gjithë kohës përgjegjësi ndaj qytetarëve të cilët i kanë votuar, por edhe ndaj atyre të cilët nuk votuan për zgjedhjen e tyre, sepse në fund të fundit paga e një deputeti grumbullohet nga taksat e të gjithë qytetarëve pa dallim partie, qëndrimi apo bindjeje. Dilema se sa përmbushen premtimet dhe qëndrimet e dhëna në fushata duket se nuk ka një fund. Shpeshherë arrihet deri në pikën ku deputetët/et fajësojnë njëri-tjetrin për votimin/mosvotimin e ligjeve/amendamenteve duke i ikur kështu përgjegjësisë individuale. Sa i përket çështjes së llogaridhënies jogjithmonë qëndron pyetja se a i kanë përmbushur, por edhe mënyra sesi i kanë përmbushur detyrat apo premtimet e dhëna. Sepse mbi të gjitha ajo çka arrihet duhet të bëhet në formë demokratike dhe jo e kundërta e saj. Llogaridhënia është më shumë sesa dalja në foltoren e Kuvendit apo shtypja e butonit të kuq në mikrofon për të folur një herë në 3 muaj. Por ka të bëjë me inicimin dhe shtyrjen përpara të proceseve të cilat janë për interes të qytetarëve. 


Kuvendi në përgjithësi si përfaqësues i qytetarëve, si institucion ballafaqohet me disa probleme. Së pari duke llogaritur aspektin gjeografik që është një çeshite diskutabile. Ekzistojnë disa rajone që kanë shumë përfaqësues/e, kurse të tjerat nuk kanë fare dhe kjo ngre problemin e gjithëpërfshirjes. Por nëse ndalemi tek ajo se si deputetët e një rajoni të caktuar ngrenë zërin më shumë për ata qytetarë dhe problemet e tyre. Kjo me idenë se aty kanë marrë më shumë vota, në fakt kjo nuk është aspak e drejtë për shkak se Kosova është një zonë e vetme zgjedhore. Nëse kjo çështje merret parasysh, atëherë është problemi tek deputetët të cilët nuk po e kryejnë punën e tyre siç duhet. Nëse ata përfaqësojnë vetëm komunën e tyre, atëherë kemi të bëjmë me ngatërrim të Kuvendit në nivel nacional me atë komunal. 


Përfaqësim i denjë i një deputeti në Kuvendin e Kosovës do të ishte, nëse deputeti do të punonte dhe kontribuonte në komisionet parlamentare dhe do të ishte prezent në çdo hap të draftimit dhe hartimit të dokumenteve për nevojat e qytetarëve. Kuvendi i Kosovës me deputetët/et e tij do duhej të reflektonte dhe përfaqësonte interesat e qytetarëve e jo të atyre partiake. Prezenca jo e rregullt në sallë, mbajtja jo e rregullt e seancave, mostransparenca gjatë votimit të amendamenteve, si dhe mbajtja e mbledhjeve të dy komisioneve në të njëjtën kohë përderisa ka gjasa që një deputet të jetë pjesë e dy prej tyre nuk ndihmon në përfaqësim të shoqërisë.


Kuvendi, si pushteti kryesor që është zgjedhur nga qytetari, duhet ta ushtrojë punën e tij në mënyrë të pavarur. Rolin indirekt që luan Qeveria ndaj Kuvendit mbi proceset e ndryshme bën që qytetarët të mos e konsiderojnë Kuvendin një institucion të besueshëm. Edhe pse në suaza normale do të duhej që Kuvendi të mbikëqyrë punën e Qeverisë dhe jo anasjelltas. Ndryshimi i qëndrimeve të deputetëve/eve me presionin që vjen nga lart bën që besueshmëria në përfaqësim të shoqërisë sonë të zbehet. Rasti konkret është kur deputetët zotohen se do të votojnë për një çështje pro ose kundër, por më pas ndryshojnë mendimin duke rënë në kontradiktë me veten.


Besimi është zbehur dhe kjo zbehje do të vazhdojë të thellohet edhe më shumë nëse deputetët e Kuvendit nuk do ta marrin më me seriozitet përfaqësimin, përkushtimin ndaj punës, kështu së pari duke qenë prezent në sallën e Kuvendit e me pas duke dhënë kontributin e tyre. Çka rekomandohet është që të zhvillohen takime më të shpeshta me qytetarët jo vetëm kur ata kanë nevoja emergjente apo pas katër vjetëve kur kanë nevojë për votat e tyre. Deputetë/et si pjesë e Kuvendit, si institucion përfaqësues, duhet të rrisin komunikim me qytetarët/et, t’i pyesin për problemet dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohen në komunitetin e tyre.

Megjithatë, pavarësisht problemeve në përfaqësim, detyrë e secilit qytetar është të votojë. Ndryshimi i gjendjes aktuale për të mirë mund të bëhet vetëm nëse kërkohet në vazhdimësi llogaridhënia dhe nëse zhduket ky hendeku mes deputetit dhe qytetarit. Pa këtë lidhjen e pashkëputshme deputet/e-qytetar/e, nuk mund të flasim as për përfaqësim!

 

 

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK