Zërat
Nazmi Caka
Nazmi
Caka


'Post festum'

Zërat April 01, 2017 - 15:25

Pse duhet pritur të ngjajë diçka e pakëndshme për të ndërmarrë masa preventive apo sigurie? Ditë më parë në Ferizaj, shkruante gazeta: “  … pas incidenteve në shkolla janë organizuar takime të shumta…” ose “Gjatë periudhës së fundit ka pasur raste të therjes me thikë, mirëpo kemi marrë masa menjëherë…”.

Do të ishte e udhës të raportohej për evitimin e dhunës apo tejkalimin e ndonjë situate tjetër të padëshiruar. Për fat të keq kjo nuk ngjan vetëm në një komunë, por gati në të gjitha komunat e Kosovës. Dhuna në shkolla assesi të ndalet, përkundrazi sa vjen e shtohet. Dhuna shtohet, disiplina në punë nuk është në nivel, cilësia në mësim është nën nivel, ndërsa përgjegjësi për këtë situatë nuk merr askush. Shenja për përmirësimin e kësaj gjendje nuk ka. Nuk ka sepse askush, asnjë segment në shoqërinë tonë kosovare nuk merret seriozisht për ta përmirësuar atë. Është më e rëndësishme, me gjasë, të ruhet atmosfera politike dhe favoret partiake në hierarkinë shtetërore sesa zhvillimi i arsimit.

Nuk është se nuk flitet për arsimin, për gjendjen në të cilën gjendet arsimi, por e gjithë kjo është farsë. Asgjë nuk ndërmerret për ndërrimin e saj, por vetëm fjalë dhe përshkrime. Me fjalë nuk ndërron gjendja. “Res non verba” thonë latinët. Në vepër kalohet kur e dimë shkakun e dhunës në shkolla. Shkaktar i dhunës në shkolla është mungesa e njerëzve të caktuar, të cilët do të punonin me nxënës përpos orës mësimore. Me bindje të plotë them se ky është shkaku, prandaj të kthehemi në vepër.

Mësimdhënësi duhet ta dijë pse një nxënës nuk mëson. Nuk do apo nuk di? Nëse nuk do, duhet të informohemi për gjendjen e tij fizike dhe shpirtërore, por edhe për gjendjen sociale dhe ekonomike në familje. Nëse nuk ka aftësi më të mëdha për mësim, kemi forma të tjera të arsimimit. Për gjendjen e nxënësit dhe të nxënësve tjerë të dalluar, për të mirë apo për të keq, duhet të informohet Këshilli i Klasave dhe Këshilli i Arsimtarëve, të cilët më pastaj do të kenë qëndrim korrekt dhe të drejtë ndaj tyre.

Një grup prej 20-30 nxënësish, që ndryshe quhet klasë, duhet ta ketë një mësimdhënës të caktuar që quhet kujdestar klase, i cili do ta ketë 1 orë të caktuar në javë me planprogram të shkoqitur që quhet orë kujdestarie. Në kushtet dhe rrethanat tona, me këtë reformë arsimore, patjetër duhet të kemi kujdestar klase. Në fillim ai do të përpiqet ta njohë nxënësin dhe përmes nxënësit ta njohë edhe familjen e tij. Nëse gjatë muajit  shtator kujdestari i klasës merr informata nga nxënësit për gjendjen e tyre të përgjithshme në familje, për qëllimet dhe kërkesat e tyre, në muajin tetor mund ta konstatojmë se çfarë e kemi gjendjen e përgjithshme në shkollë.

Kur paraprakisht e dimë gjendjen, atëherë mund të përgatitemi për tejkalimin apo pengimin e situatës së pakëndshme e jo post festum. Me përpjekje modeste në shumë raste mund t’i bindim nxënësit të heqin dorë nga e keqja. Nuk na duhet kujdestar klase vetëm për t’i shqyrtuar mungesat e nxënësve, suksesin e tyre, përgatitjen dhe mbajtjen e mbledhjeve të prindërve, plotësimin e librezave, dëftesave, diplomave, ditarëve të klasës, librave amë, etj., por na duhet dhe kemi nevojë për kujdes të shtuar ndaj një grupi të caktuar nxënësish.

Këtij angazhimi të kujdestarit të klasës kur i shtohet edhe ndihma e pedagogut, psikologut apo të sociologut edhe të drejtorit të shkollës, atëherë mund të themi se e kemi gjendjen nën kontroll dhe në qeverisje të mirë. Këtë gjendje të dëshiruar nuk e kemi, meqë nuk kemi kujdestar klase të mirëfilltë, por kemi kujdestar pro forme. Aktualisht çdo paralele ka të emëruar një kujdestar klase, por pa orë të caktuar sipas orarit mësimor, pa planprogram të kujdestarisë dhe pa lokal apo klasë të caktuar për punë, sipas nevoje. Ai për ndonjë çështje sado të vogël nuk ka ku dhe kur të bisedojë me nxënësin. Pa dëshirën e tij, është i shtrënguar të bisedojë gjatë orës së vet të gjuhës shqipe, të matematikës apo cilësdo lëndë tjetër. Ai po e humb një orë të lëndës së vet, po ngec pa e realizuar një njësi mësimore.

Nuk është vetëm një paralele me një orë të humbur në shkollë. Shkolla mund t’i  ketë së paku 20 paralele që nën kupton se në një shkollë të vogël gjatë një jave humbin 20 orë të lëndëve të ndryshme dhe po aq orë të dështuara të kujdestarisë. Orë të dështuara sepse nuk janë të  planifikuara dhe të përgatitura. Të tria nivelet e arsimit parauniversitar, shkollat fillore, të mesme të ulëta dhe të mesme të larta i kanë 11 343 paralele. Vetëm nga 1 orë në vit nëse humb çdo paralele atëherë humbin gjithsej 11.343 orë mësimi të lëndëve të ndryshme. Por këto nivele i kanë gjatë vitit 35 javë të obliguara mësimi, përjashtuar klasat e 9-ta dhe të 12-ta, të cilat kanë më pak. Prandaj na del se gjatë vitit mësimor humbin 397,005 orë, llogaritur nga 1 orë në javë për paralele. Sa humbje e madhe është kjo. Të gjithë mësimdhënësit e dinë se po e ndërrojnë apo po e humbin me vetëdije, por jo me dëshirë një orë legjitime mësimore, të planifikuar me një orë të paparaparë me planprogram mësimore as me ligj. Në fund rezultati i kësaj të dytës nuk i shihet.

E dinë edhe drejtorët  e DKA-ve, nuk bëjnë asgjë në këtë drejtim edhe pse disa prej tyre janë përpjekur për të bërë zgjidhje me orë nga lëndët e mësimit zgjedhor. E dinë edhe drejtorët e shkollave, por nuk është në mundësinë e tyre të bëjnë diçka. Për ta larguar dhunën nga shkolla, për të kthyer rend, rregull e disiplinë në shkollë, për ta ngritur cilësinë në mësim duhet të formohet administrata si në Perëndim, e cila do të punojë me nxënës e veçanërisht me ata të dalluar.

Administrata duhet të formohet patjetër, se kështu e do rruga së cilës i jemi nisur, por jo sot dhe jo shumë shpejt. Deri në krijimin e kushteve për formimin e administratës standarde evropiane duhet të vazhdojmë me të vjetrën, stafin profesional, me kujdestar klase, pedagog, psikolog e sociolog, varësisht prej numrit të nxënësve në shkollë.

Nëse funksionalizohen njëra apo tjetra, e që duhet kjo e dyta hë për hë, në vitin e ardhshëm shkollor rezultatet do të shihen që në fillim të muajit tetor. (Autori është ish-udhëheqës i AML-së në MASHT)

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK