Zërat
Mr. Sci. Zef Komani
Mr.
Sci.
Zef
Komani

Diskriminimi i komunitetit katolik në Kosovë, me apo pa vetëdije?

Zërat March 30, 2017 - 10:18

Diskriminimi si aspekt sociologjik nënkupton zhvlerësimin e një grupi “të huaj”, e në veçanti të një minoriteti shoqëror brenda një shoqërie të ngritur mbi parimet e barazisë, parimit të ndalimit të dallimeve racore, fetare, politike, rajonale.

Ky fenomen shpesh merr veti të etnocentrizmit e që rrjedh nga motive paragjykuese apo edhe si mjet i caktuar lufte ndaj një grupi të caktuar. Në përgjithësi, diskriminim konsiderohet çdo formë e dallimit, përjashtimit, kufizimit ose ndonjë preference, me qëllim të mohimit ose refuzimit të të drejtave të barabarta dhe mbrojtjes, e që  paraqet mohim të parimit të barazisë dhe fyerje ndaj dinjitetit njerëzor.

Varësisht nga arsyeja për trajtim të tillë, ne mund të flasim për “diskriminim në baza racore, kombëtare, ngjyre, gjinie, religjioni, seksual, etj”. Parimi sipas të cilit të gjitha qeniet njerëzore kanë të drejta të barabarta dhe duhet të trajtohen njësoj, paraqet bazën e kuptimit të të drejtave të njeriut dhe rrjedh nga dinjiteti i barabartë njerëzor i çdo individi.

Mirëpo, kjo e drejtë natyrore e barazisë, qoftë në të kaluarën ose tani, asnjëherë nuk u është ofruar të gjitha qenieve njerëzore në mënyrë të plotë.

Sot, si rezultat i këtyre përvojave historike, ndalimi i diskriminimit është paraparë me shumë konventa ndërkombëtare dhe legjislacione kombëtare. Megjithatë, diskriminimi i bazuar në racë, ngjyrë, kombësi si dhe në besim fetar ende ekziston dhe atë edhe në mesin tonë.

Ende nuk kemi arritur në njohjen e dinjitetit të lindur dhe e të drejtave të barabarta, ashtu siç është deklaruar në Preambulën e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, se barazia e të gjithë pjesëtarëve të familjes njerëzore, paraqet shtyllën për liri, drejtësi dhe paqe në botë.

Ka kohë që në Kosovë flitet për ndërtim të demokracisë e të një shoqërie ku barazia sociale është prioritet numër një. Mirëpo nëse thellohemi më tepër në këtë aspekt del se jo vetëm që në Kosovë nuk ka barazi sociale por mund të themi se ka diskriminim dhe atë ndaj një komuniteti të tërë.

Ideja e këtij shkrimi është të shtjellohet vetëm një segment, ai i diskriminimi në punësim. Ky diskriminim në vetë vete ndërthur tri elemente: Është një vendim kunder një apo më shumë individëve, vendimi rrjedh pjesërisht ose tërësisht prej paragjykimeve dhe elementi i tretë është se vendimi ka një ndikim te dëmshëm apo negativ mbi interesat e një komuniteti.

Vërtetësinë e këtij fenomeni e dokumenton analiza e bërë gjatë vitit të kaluar. Në bazë të këtij mini studimi dëshmohet se një komunitet i cili me shekuj jeton në komunën e Gjakovës me apo pa vetëdije, me apo pa dëshirë, me apo pa një projekt të përgatitur është i diskriminuar.

Në bazë të analizës vërtetohet se shqiptarët e besimit katolik në komunën e Gjakovës janë të diskriminuar në mënyrë sistematike dhe krejtësisht të pa dukshme edhe në punësim.

Sipas statistikave në komunën e Gjakovës komuniteti katolik përbën afër 30 % të popullatës së gjithëmbarshme. Duke e analizuar se në tersi të dyja komunitetet si ajo islame po ashtu ajo katolike në të gjitha aspektet si; gjenetike, antropologjike, sociologjike, kulturore, etj, janë të njëjta e që nënkuptohet se duhet të jenë të tilla edhe në aspektin e intelektit, sjelljes, dijës, aftësive të përgjithshme, etj. Mirëpo nëse i bëjmë krahasimin e numrit të të punësuarve në 16 organizata buxhetore që financohen nga buxheti i Republikës së Kosovës e që veprojnë në komunën e Gjakovës atëherë del se diçka nuk është në rregull në aspektin sociologjik.

Komuniteti katolik në përgjithësi në këtë komunë duhet të jetë jo inteligjent, i pa dijshëm, i prapambetur, asocial, etj ose është i diskriminuar në mënyrë sistematike. Vlen të theksohet se të shkolluar në të gjitha nivelet ka shumë pjesëtarë të komunitetit katolik e të cilët janë të pa punë. 

Nga numri i tërësishëm prej 3397 i të punësuarve në kujdesin parësor dhe dytësor shëndetësor, gjykatë, prokurori, polici, arsim parauniversitar dhe universitar, zjarrfikës, qendra për punë sociale, hidrosistem si dhe KEDS (edhe pse është “privatizua”, punësimet kanë ndodh kur ka qenë organizatë publike), vetëm 259 të punësuarve i takojnë komunitetit katolik pra vetëm 7.62 %.       

Punësimi nëpër organizata i pjesëtarëve të komunitetit katolik varion nga 0 % gjegjësisht asnjë i punësuar siç është rasti me Prokurorinë e Shtetit në Gjakovë, Ekonominë e Pyjeve si dhe në Universitetin Publik “Fehmi Agani” deri në 22.22 % në Qendrën për Punë Sociale apo 12.64 %  në Stacionin Policor të Gjakovës. Pra është shumë indikative që në vatrën e arsimit në universitetin publik nga 70  të punësuar nuk është asnjë i komunitetit katolik as edhe një roje apo pastrues/e pa dashur ti përçmoj këto profesione të nderuar.

Situatë e njëjtë na paraqitet edhe nëse i analizojmë të punësuarit me shkollim superior në këto institucione. Përderisa numri i të punësuarve më shkollim superior nga pjesëtarët e komuniteti katolik në shëndetin primar është 13 %, në Hidrosistemin e Radoniqit, Prokurorinë Shtetit në Gjakovë, dhe UP “Fehmi Agani” është 0 %, pra asnjë i punësuar nga ky komunitet. Pra në këto tri institucione janë 100 individ me shkollim superior të punësuar dhe asnjë i komunitetit katolik.

Që të gjitha këto shënime janë të shkurtit 2016 por duke e analizuar se punësimi në institucionet publike është i limituar atëherë këto shënime mund të kenë ndryshuar plus, minus 2 %.

Frikohem se në tërë Kosovën kjo gjendje është e njejtë.

Krahas këtij studimi kuantitativ është bërë edhe një tjetër kualitativ, rezultatet e të cilit do të publikohen pas përpunimit të të dhënave.

Duke e ditur situatën nëpër të cilën po kalon Kosova ku përballet me sfida të mëdha në nivel lokal, regjional si dhe global si dhe pa dashur që ky shkrim të konsiderohet akuzë ndaj dikujt këto të dhëna gjithsesi duhet të merret shumë seriozisht nga institucionet relevante.

Si përfundim i kësaj analize dalin tri opsione të mundshme për eliminimin e këtij fenomeni.

E para e që është zgjidhja më e pranueshme në aspektin moral duhet të jetë mobilizimi i të gjitha institucioneve që ky fenomen të zhduket si dhe në të njëjtën kohë, pasojat sadopak të riparohen përmes një diskriminimi pozitiv.

Si opsion i dytë mund të jetë sensibilizimi i faktorit ndërkombëtar që përmes investimeve dhe donacioneve të përmirësoj gabimet që ne, kosovaret i kemi bërë.

Ndërsa zgjidhja më dashakeqe për këtë komunitet si dhe për Kosovën në tërësi do të ishte që të drejtën elementare atë të punësimit ky komunitet ta kërkon në shpërngulje e që fatkeqësisht po ndodh me të madhe. 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK