Zërat
Kujtim Dobruna
Kujtim
Dobruna

Mjegulla rreth projektit neo-jugosllav për Unionin Doganor

Zërat March 29, 2017 - 19:22

Kryeministri serb dhe tash kandidat për postin e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vucic, javë më parë hodhi idenë e krijimit të një Unioni Doganor të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Sipas tij, ky union do të ndikonte që “kamionët me mallra të mos presin më nga njëzet orë në kufi. Pos kësaj, unioni do t’i afronte këto vende më shumë me njëri-tjetrin.”

Në shikim të parë, asgjë e keqe. Por, çfarë në të vërtetë fshihet pas kësaj ideje?

Lajmi i mirë këtu është se Vucic flet për gjashtë shtete, pra për herë të parë ai në mënyrë të drejtpërdrejtë e trajton Kosovën si shtet. Të tjerat janë një përzierje e dëshirës për një dominim ekonomik serb në rajon dhe për një faktorizim personal para Brukselit si një lider liberal i rajonit, që mendon për tregtinë e lirë, bashkëpunimin ekonomik, rritjen e investimeve të huaja, paqen në mes popujve e pse jo edhe për paqen botërore. Si “mjeshtër” i raporteve me publikun, i sprovuar shumë herë edhe në kohën e luftërave të përgjakshme në Jugosllavi, Vucic nuk harron të shtojë se projekti i tij i sjell vendet e Ballkanit më afër BE-së.

Në anën tjetër, ngazëllimi i politikës europiane nga ky propozim flet për mungesën e ideve përmbajtësore, inkompetencën dhe rraskapitjen e Brukselit në rrugën për t’i ofruar vendeve të Ballkanit Perëndimor një perspektivë të qartë e të matshme integruese.

Duhet shtuar se tregtia e lirë në mes të këtyre vendeve ekziston qe dhjetë vjet. Bashkë me Moldavinë Shqipëria, Bosnja, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe Serbia vetëm se janë pjesë e marrëveshjes për tregti të lirë CEFTA që nga 2007. Një Union Doganor do të përbënte fazën e tretë të integrimit ekonomik mes këtyre vendeve.

Çka është Unioni Doganor?

Në shkencën ekonomike Unioni Doganor njihet si një formë e integrimit ekonomik me qëllim të rritjes së eficiencës ekonomike dhe thellimit të raporteve politike e kulturore në mes të shteteve anëtare. Shtetet anëtare bashkohen fillimisht në një zonë të vetme doganore, tregtia në mes tyre është e lirë dhe tarifat e kufizimet nuk aplikohen mes vete. Efekti kryesor është se çmimet e mallrve të tregtuara mes shteteve anëtare lirohen. Më pas tarifat dhe kufizimet aplikohen ndaj shteteve që nuk janë anëtare përmes krijimit të një dogane të përbashkët dhe në fund të hyrat ndahen mes shteteve sipas një çelësi të definuar paraprakisht. Përderisa hapi i parë është i natyrës ekonomike, i dyti dhe i treti janë hapa kryekëput politik, gjë që e bëjnë edhe më joreal realizimin e këtij propozimi.

Efektet e Unionit Doganor

Efektet e një Unioni Doganor arrihen në dy drejtime. I pari është efekti i rritjes së këmbimeve të brendshme tregtare. Efekti i dytë është ai i devijimit të tregtisë. Produktet nga vendet jashtë unionit, nuk mund të jenë edhe më tej konkurruese me ato të vendeve anëtare për shkak të barrierave tregtare. Një union i tillë mund të jetë eficient nga aspekti ekonomik, vetëm atëherë kur efektet e rritjes së këmbimeve janë më të mëdha se ato të devijimit tregtar. Të dyja këto efekte tashmë janë arritur përmes CEFTA-s, përderisa efekti i devijimit tregtar në raport me BE-në është zbutur shumë viteve të fundit përmes procesit integrues dhe të liberalizimit, që nisë me MSA-në. Një devijim tjetër përbën marrëveshja bilaterale për tregti të lirë në mes të Serbisë dhe Rusisë, por për këtë pak më vonë.

Përderisa efektet fiskale dhe buxhetore në vendet anëtare të Unionit të propozuar Doganor janë të paqarta, sepse nuk është e ditur formula e propozuar për ndarjen e të hyrave doganore, ideja është e gjykuar të dështojë në radhë të parë për shkak të politikës. Marrëveshje të tilla politike do të ishin vështirë të realizueshme për shkak të qasjes armiqësore dhe hegjemoniste të politikës së Serbisë, veçanërisht ndaj Bosnjës dhe Kosovës. Politika serbe angazhohet me shumë zell për të penguar investimet e huaja në Kosovë, siç është rasti me Brezovicën apo Trepçën.

Zelli i saj është i madh edhe në destabilizimin ekonomik e social të vendit me qëllim zhbërjen e shtetit të Kosovës. Barrierat e njëpasnjëshme në arenën ndërkombëtare, siç është rasti me pengimin aktiv të anëtarësimit të Kosovës në UNESCO dhe në OKB, retorika anti-Kosovë, mosgatishmëria për t’iu nënshtruar një procesi të thellë të denacifikimit, mospranimi i realitetit se Kosova është e pavarur dhe armatosja masive gjatë viteve të fundit, janë dëshmi të tjera për këto synime. Si mund të bashkohesh në një union të tillë me dikënd që ta mohon të drejtën për ekzistencë? Me këtë mendësi dhe me këto veprime, Serbia nuk mund ta bindë askënd se dëshiron të shohë një Kosovë, Shqipëri, apo Bosnjë të zhvilluar ekonomikisht e të prosperuar. Synimi i saj është që t’i vendosë këto vende në varësi ekonomike e politike prej saj e të vërshojë tregjet e tyre me produktet e veta. Me të drejtë, prandaj, ky propozim nuk ka si të konsiderohet ndryshe veç se si një projekt neo-jugosllav.

Në anën tjetër, ekzistojnë dëshmi se Vucic nuk e ka menduar mirë idenë e tij. Siç u tha më lart, Serbia është vendi i vetëm europain që ka të liberalizuar tregtinë me Rusinë. Kjo marrëveshje i jep Serbisë përparësi të mëdha krahasuese në tërheqjen e investimeve të huaja. Krijimi i Unionit Doganor do të kishte për efekt shkëputjen e kësaj marrëveshje dhe potencialisht edhe të marrëveshjeve tjera bilaterale me Bjellorusinë, Kazakistanin dhe Turqinë. Kjo do të dëmtonte rëndë eksportet serbe. Nuk besoj se Serbia është e gatshme të sakrifikojë kaq shumë, për një ide që edhe ashtu me integrimin në BE do të bëhet realitet.

Si përfundim, ky propozim nuk e sjell Kosovën më afër BE-së, siç pretendohet, por më afër integrimit të saj ekonomik në Serbi. Kosova bën mirë të rrijë larg prej aventurave të tilla, që janë kundër interesave të saj dhe që ushqejnë shpirtërat e fantazmave neo-jugosllave. Një Unioni Doganor i mirëfilltë mund dhe do të arrihet vetëm përmes një integrimi të plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

(Autori është konsulent dhe themelues i ECIKS - www.eciks.com)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK