Zërat
 Bilall Sherifi

Bilall
Sherifi

Konventa e 'të lumturve'... në hotel 'Emerald' u dëgjua vetëm 'Rroftë mbreti!'

Zërat March 28, 2017 - 14:10

Në vendet ku mjerimi ua zë frymën shumicës dërrmuese të popullsisë ndodh rrallë të shohim të tubuar në një sallë hoteli luksoz kaq shumë njerëz të kënaqur dhe të lumtur me pozitat e tyre politike, shoqërore dhe ekonomike. Në sallën e hotelit “Emerald”-it vezullonin fytyrat e atyre që kanë zgjidhur problemet e punësimit të çdo anëtari madhor të familjarëve dhe akraballëkut... Të gjitha nivelet e pushtetit, prej atij komunal e deri në pushtetin qendror, “rrezatojnë” nga lumturia e familjarëve dhe farefisit të tyre. E njëjta gjë vlen për RTK-në, PTK-në, bordet e ndërmarrjeve dhe institucioneve publike në nivel qendror, rajonal apo komunal: “rrezatojnë” nga lumturia vetëm “ata” që janë “të tyre”.  E për të tjerët? Për qindra mijëra njerëz që i ka kapluar skamja kjo elitë luksoze gjen luksin të deklarojë publikisht: I kemi dëgjuar brengat e tyre!

Sikur të mos ishin karriget kam bindjen e plotë se ashtu të “lidhur” dorë për dore dhe të qeshur do t’ia nisnin valsit të lumturisë. Por, përtej lidhjes së duarve për të përcjellë mesazhin e unitetit, secili hallexhi i Kosovës sheh unitetin e tyre rreth zhvatjes së atdheut. Përfitimet personale janë arsyet e vetme që i mbajnë bashkë të ulur në karrige me “duar të lidhura” këta njerëz që i dhanë karakter të “Oborrit mbretëror” sallës së Konventës së PDK-së. Përndryshe, sikur të mos ishin interesat individuale dhe grupore që i kanë lidhur njëri me tjetrin ata do të bëheshin copa njëri me tjetrin. Njëjtë siç na i kanë përshkruar shkrimtarët e mëdhenj grindjet e njerëzve me karaktere të vogla...

Veprimet që më bën ta krahasoj sallën e hotel “Emerald”-it  me “Oborret mbretërore”  të dikurshme lidhen me logjikën se kur mungon dikush nga oborrtarët e mëparshëm nuk përmendet fare. Qoftë edhe personi që është adhuruar më së shumti!  Për dallim nga periudha e “Oborreve mbretërore” kur brohoritej "Mbreti vdiq, rroftë mbreti!" në sallën e hotel “Emerald”-it  u dëgjua vetëm “Rroftë mbreti!” Mbreti i mëparshëm as që u zu në gojë!

Të mos flasim për militantët, anëtarët dhe votuesit e thjeshtë të partisë! Ata edhe më tej duhet të kontribuojnë për lumturinë dhe kënaqësinë e “oborrtarëve” të partisë. Edhe pse “as kësaj here nuk u ka ardhur radha” për privilegje, atyre u lihet mundësia të shpresojnë se një ditë, kur të ngihen oborrtarët e sallës së hotel “Emerald”-it do t’u vijë rendi edhe atyre. Ndërsa, sa për qytetarët që nuk bëjnë pjesë në rrethin e tyre e që janë duke hequr të zitë e ullirit, ata duhet të kënaqen vetëm me faktin se dikush i ka dëgjuar me kujdes brengat e tyre!

E kanë trashur zullumin!

Populli shqiptar ka një shprehje shumë filozofike: zullumi nga të trashit këputet! Kam besim se ky zullum mund të këputet shumë shpejt nga dora e përvuajtur e votuesit në Kosovë.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK