Zërat
Nataliya Apostolova
Nataliya
Apostolova

Ditëlindja e 60-të e BE-së, nxitje për një Kosovë evropiane

Zërat March 25, 2017 - 14:44

Më 25 mars, Bashkimi Evropian shënon 60 vjet që nga nënshkrimi i Traktatit të Romës, hapi i parë drejt një Evrope të bashkuar. Që nga lindja e komuniteteve evropiane në vitin 1957, qytetarët e shteteve tona anëtare kanë gëzuar gjashtë dekada të paqes së pashembullt, prosperitetit dhe sigurisë.

Kontrasti me gjysmën e parë të shekullit të 20-të është shumë i madh. Dy luftërat katastrofike në Evropë në mes të 1914-ës dhe 1945-ës lanë miliona të vdekur dhe një kontinent të shkatërruar, të ndarë dhe të gjunjëzuar. Për vendet që kishin qenë gjatë në luftë, integrimi evropian është projekti më i suksesshëm i paqes në historinë tonë.

Megjithatë, ne jemi duke jetuar në kohë të paparashikueshme dhe 60-vjetori i Traktatit të Romës është mundësi jo vetëm për ta riafirmuar përkushtimin tonë ndaj vlerave dhe objektivave për të cilat projekti evropian është themeluar, por edhe për të marrë hapa pragmatikë dhe ambiciozë përpara.

Në këtë përvjetor të rëndësishëm për Bashkimin Evropian dhe më gjerë, politika e BE-së ndaj Kosovës mbetet e fortë: Kosova ka një perspektivë të qartë evropiane. Kjo është konfirmuar së fundmi me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA) midis BE-së dhe Kosovës, 1-vjetorin e të cilit ne do ta shënojmë javën e ardhshme. Rruga evropiane nënkupton sundimin e ligjit, mbrojtje të fortë të të drejtave të njeriut, zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës. E ardhmja evropiane e Kosovës, e konfirmuar nga MSA-ja, është një mundësi e mirë për ta filluar ndërtimin e unitetit rreth agjendës evropiane. BE-ja do të mbetet partneri kryesor i Kosovës: investitori, partneri tregtar dhe donatori më i madh. Asistenca e BE-së ka krijuar mijëra vende të reja pune. Ajo është duke përmirësuar jetën e qytetarëve të Kosovës, duke kontribuar në progres dhe në ndërtimin e një shoqërie të qëndrueshme, të përgjegjshme dhe të begatë. BE-ja dëshiron ta shohë një Kosovë evropiane të përparuar e cila do ta ketë një të ardhme të mirë për popullin e saj dhe fëmijët e tyre.

Bota po kalon nëpër një kohë të pasigurisë së madhe. Balanca globale e pushtetit po lëviz dhe themelet e një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla, po vihen shpesh në pikëpyetje. Bashkimi Evropian do të jetë një fuqi gjithnjë e më e rëndësishme për ta ruajtur dhe për ta forcuar rendin botëror.

BE-ja është ekonomia e dytë botërore. Ne jemi tregu më i madh global dhe investitor i huaj udhëheqës në shumicën e vendeve në botë. BE-ja ka arritur një pozitë të fortë duke punuar së bashku njëzëri në skenën botërore, duke luajtur rol të rëndësishëm në heqjen e barrierave tregtare si dhe në arritjen e marrëveshjeve bilaterale me shumë partnerë në mbarë botën. 

Ne investojmë më shumë në bashkëpunimin për zhvillim dhe ndihma humanitare sesa pjesa tjetër e botës së bashku. BE-ja është gjithnjë e më aktive në ofrimin e sigurisë globale.

Bashkimi Evropian është dhe do të vazhdojë të jetë një fuqi e fortë, bashkëpunuese dhe e besueshme. Partnerët tanë e di se çfarë ne përfaqësojmë.

Ne përfaqësojmë multilaterizmin, të drejta të njeriut, bashkëpunimin ndërkombëtar. 

Ne përfaqësojmë zhvillim të qëndrueshëm, shoqëri gjithëpërfshirëse, luftë kundër padrejtësive në arsimim, demokraci dhe të drejta të njeriut. Për ne kjo nuk është bamirësi por është investim i mençur në sigurinë dhe në prosperitetin tonë.

Bashkimi Evropian është donatori financiar më i madh në botë i ndihmës për zhvillim. Ne kemi ndihmuar në planifikimin e qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm të OKB-së dhe tashmë jemi duke i zbatuar dhe duke punuar në përditësimin e Konsensusit Evropian mbi Politikat e Zhvillimit. Ndihma për zhvillim e BE-së i ofrohet rreth 150 vendeve në botë dhe fokusohet kryesisht në vendet më të varfra në botë. Në periudhën 2014-2020, rreth 75% e mbështetjes së BE-së do të shkojë për vendet të cilat janë goditur nga katastrofat natyrore ose konfliktet, diçka që i bën qytetarët e tyre në veçanti të pambrojtur. BE-ja është donatori i vetëm në botë i cili ofron mbështetje në të gjitha vendet e cenueshme ose që vuajnë nga konfliktet.

 

Ne përfaqësojmë rregulla më të mira globale, rregulla që mbrojnë njerëzit kundër abuzimit, rregulla për t’i zgjeruar të drejtat dhe për t’i rritur standardet. Në një botë të rishfaqjes së politikës së pushtetit, Bashkimi Evropian do ta ketë një rol edhe më të rëndësishëm për të luajtur.

Një mjedis më i brishtë ndërkombëtar bën thirrje për angazhim më të madh, jo për zvogëlim. Bashkimi Evropian është gjithashtu një partner i fortë dhe aktiv i Kombeve të Bashkuara dhe organizatave rajonale si Bashkimi Afrikan, Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore dhe Këshillit të Arktikut.

Bashkimi Evropian po ashtu qëndron i gatshëm për t’i ndihmuar të prekurit nga fatkeqësitë natyrore dhe të shkaktuara nga njeriu. Krizat humanitare vazhdojnë të kenë kosto të lartë ndërkombëtarisht dhe në vitin 2016 BE-ja ka ndarë ndihmë lehtësuese me shumë prej 1.5 miliard € për ushqim, strehim, mbrojtje dhe kujdes shëndetësor për 120 milion njerëz në më shumë se 80 vende. 

Që nga fillimi i konfliktit në Siri në vitin 2011 BE-ja ka qenë dhuruesi më i madh i vetëm i ndihmës humanitare për t’i ndihmuar miliona burra, gra dhe fëmijë të shpërngulur nga konflikti. Çdo vend i botës mund të mbështetet për ndihmë në Mekanizmin e BE-së për Mbrojte Civile. Që nga lansimi i tij në vitin 2001, ai ka ndërhyrë në katastrofat më shkatërruese me të cilat është përballur bota, siç është tërmeti në Haiti (2010), fatkeqësia e trefishtë në Japoni (2011), përmbytjet në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë (2014), përhapja e Ebolas (2014), konflikti në Ukrainë (2014), tërmeti në Nepal (2015), kriza e refugjatëve në Evropë dhe uragani Mattheë në Haiti (2016).

Çfarëdo që ndodhitë mund të sjellin në të ardhmen, një gjë është e sigurt: BE-ja do të vazhdojë ta vendosë në qendër të politikave të huaja dhe të sigurisë promovimin e paqes dhe sigurisë kombëtare, bashkëpunimin zhvillimor, të drejtave të njeriut dhe reagimin ndaj krizave humanitare. 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK