Zërat
Toby Vogel
Toby
Vogel

Besueshmëria e BE-së është në lojë në Maqedoni

Zërat March 22, 2017 - 12:11

Si institucion, BE-ja ka pasur vështirësi në pranimin e burimeve sistematike të sjelljes politike në Ballkan dhe në përshtatjen e përgjigjeve të duhura. [Zyrtarë individualë, veçanërisht ata në terren, priren ta kuptojnë situatën pak më mirë].

Ka vende me mekanizma të dobët ose joekzistues llogaridhënieje: atyre u mungojnë kontrollet dhe balancat, partitë e forta apo shoqëritë civile vigjilente dhe medie që përbëjnë thelbin e demokracive liberale.

Politikat e tyre favorizojnë fitimtarin dhe ndonjëherë janë ekzistenciale: një arsye përse ish-kryeministri Nikola Gruevski po kapet pas pushtetit të tij me bindjen se po e humbi atë do të përfundojë në burg – mbase ka të drejtë.

I detyruar të zgjedhë mes pushtetit ose marrjes së një vlerësimi simbolik nga Brukseli, ai nuk është çudi po të zgjedhë pushtetin dhe mbijetesën përkrah duartrokitjeve të huaja.

Liderët e Ballkanit nuk janë irracionalë: ata i përgjigjen një kulture politike të ngulitur institucionalisht. Në Maqedoni dhe Bosnjë-Hercegovinë kjo kulturë politike është riforcuar nga marrëveshjet e postkonfliktit në Ohër dhe Dejton me klientelizmin e tyre të brendshëm.

Politika e zgjerimit të BE-së ka dështuar ta ndryshojë këtë ekuacion bazik. Komisioni Evropian, i cili sheh më nga brenda, kohët e fundit e ka degraduar më shumë zgjerimin si mjet për transformim politik, duke sinjalizuar se anëtarësimi është një rrugë e gjatë për vendet aktuale kandidate dhe ka vënë në krye një burrë që duket se ka prioritet të bëjë sa më pak të jetë e mundur.

BE-ja ka ndjekur një agjendë të stabilitetit në vend të demokratizimit të rajonit. Në vend të nxitjes për një transformim të kulturës politike ajo ka kultivuar elita të qëndrueshme. Ashtu si ata, ajo është e tmerruar nga lloji  “i pushtetit të njerëzve” [ose të paktën zemërim i ashpër] kjo ishte e qartë në Maqedoni pas shpërthimit të skandalit të përgjimit apo në Bosnjë në pranverën e 2014-s.

Për në çast, në verën 2015 dukej sikur Komisioni Evropian mund të hiqte dorë nga heshtja e vet e zakonshme dhe të bënte një qasje më politike te një nga vendet që po kërkonte anëtarësim në Bashkimin Evropian – në këtë rast Maqedonia.

Një panel i drejtuar nga Reinhard Priebe, një ish-zyrtar i Komisionit, nënvijëzoi masat që qeveria e qendrës së djathtë të Gruevskit duhej të ndërmerrte për ta kthyer besimin dhe për ta forcuar llogaridhënien pas skandalit të përgjimit dhe një abuzimi sistematik të dukshëm të pushtetit.

Raporti Priebes, i cili ishte jashtëzakonisht i qartë në analizën e tij dhe urdhërues në rekomandime, u bë publik – një tjetër hap i pazakontë për Komisionin, i cili në përgjithësi preferon t’i zgjidhë problemet në vendet kandidate prapa dyerve të mbyllura.

Në muajt pasues kriza në Maqedoni u thellua. Ndërmjetësimi i kryesuar nga BE-ja mes qeverisë dhe opozitës rezultoi në një marrëveshje për zgjedhje të parakohshme dhe një proces paralel të investigimit të pretendimeve për përgjime dhe akuza të tjera të abuzimit me pushtetin.

Megjithatë, zgjedhjet në dhjetor 2016 ishin jovendimtare: partia e Gruevskit mori pak më shumë vota sesa socialdemokratët në opozitë, por nuk mori mbështetjen e duhur për të formuar qeveri.

Gruevski nuk ia doli të lidhë një koalicion me partitë etnike shqiptare. Por kur socialdemokratët arritën një marrëveshje me dy partitë etnike shqiptare që do t’i jepte atyre një shumicë në parlament, presidenti, një aleat i Gruevskit, e bllokoi atë.

Në këtë pikë Federica Mogherini, shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, ndërhyri dhe i bëri thirrje presidentit të lejonte koalicionin e ri të merrte pushtetin. Në fillim të marsit ajo tha në Shkup se veprimi i presidentit shkeli “shpirtin e demokracisë” dhe “nuk përputhej me parimet bazë të demokracisë”, si dhe me “procesin e integrimit euroatlantik”.

Ajo vazhdoi: “I kërkova presidentit të reflektojë përpara, të tërhiqet nga vendimi i tij në interes të të gjithë shtetasve të këtij vendi”.

Këto ishin fjalë të qarta, të forta. Ende, në momentin e këtij shkrimi, Gruevski dhe partnerët e tij po mbahen fort.

A është kjo provë se “kushtëzimi nuk funksionon”, siç e përkufizon një ish-zyrtar i lartë i përfshirë në negociatat e zgjerimit? A ka BE-ja, siç sugjeron një tjetër zyrtar i Komisionit, “influencë të kufizuar mbi ngjarjet?” te fqinjët?

Në rastin e Maqedonisë, ka një arsye tjetër përse BE-ja ngurroi ta trondiste varkën dhe përse dy episodet – raporti Priebe dhe thirrja e fortë e Mogherinit për presidentin – mbeten çaste të izoluara të kthjelltësisë mendore.

Në 2015-16 qindra mijëra refugjatë dhe emigrantë e përdorën Maqedoninë si një rrugë arratisjeje nga Greqia dhe si një korridor për në Evropën Perëndimore. Ndalimi i mbërritjeve të reja u bë synimi kryesor i politikëbërësve në Bruksel, Berlin dhe gjetkë.

Synimi i BE-së për mbylljen e rrugës ballkanike dhe sprapsjen e refugjatëve që po përpiqeshin të arrinin në Greqi tani i tejkaloi të gjitha shqetësimet e tjera. Maqedonia ishte një shtyllë e rëndësishme e kësaj politike, megjithëse dëmi që kjo politikë po bënte ishte më i dukshëm në marrëdhëniet me Turqinë.

Kryesuar nga Gjermania, BE-ja i shkëmbeu parimet e saj për lehtësim afatshkurtër; ajo kultivoi një lider gjithnjë e më autoritar – presidentin Erdogan të Turqisë – dhe efektivisht bëri fushatë për partinë e tij në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit 2015, për shembull duke vonuar publikimin e progres-raportit për vendet kandidate.

Diçka e ngjashme po ndodhte në Maqedoni. Në një shfaqje të përbuzjes për çdo qëndrim të përbashkët të BE-së kundër abuzimeve të Gruevskit, Sebastian Kurz, ministri i Jashtëm austriak, bëri fushatë për Gruevskin në zgjedhjet e dhjetorit 2016.

Njëkohësisht, përfshirja e shteteve të caktuara anëtare – kryesisht i Gjermanisë, i Britanisë, i Holandës dhe SHBA-së kërkohej për të mbajtur angazhimet e qeverisë Gruevski në lidhje me marrëveshjen me opozitën.

Në çaste kritike të krizës maqedonase ishte presioni bilateral dhe diplomacia e krizës nga këto vende që e mbajti procesin në lëvizje, megjithëse BE-ja mendohej se do të kryesonte ndërmjetësimin mes qeverisë dhe opozitës në fillim.

Ky ishte një rezultat direkt i besueshmërisë së shkatërruar të BE-së dhe ndjekjes së stabilitetit mbi të gjitha nga Unioni. Ngritja e zërit ndaj pushtetarëve të fortë si Gruevski nuk është e lehtë për BE-në.

BE-ja mundet ende të fitojë pak nga autoriteti i vet i zbehur nëse mbështetet te raporti “Priebe” dhe te komentet e Mogherinit.

Ajo duhet ta bëjë të qartë se presidenti maqedonas duhet të lejojë çdo koalicion me shumicë parlamentare të formojë një qeveri.

Duhet të këmbëngulë se elementë të shumtë të raportit “Priebe” dhe të marrëveshjes mes partisë qeverisëse dhe opozitë duhet të zbatohen plotësisht dhe se ata që janë akuzuar me abuzim me pushtetin duhet të ndiqen penalisht.

Por BE-ja do të jetë e besueshme vetëm nëse përgatitet t’i bëjë publike mesazhe të tilla dhe të sfidojë haptazi ata në pushtet – në Maqedoni dhe përtej.

Predikimi nuk do të mjaftojë: BE-ja gjithashtu duhet të risigurojë zotimet e veta ndaj vlerave thelbësore duke sanksionuar vendet anëtare që po rebelohen ndaj reformës demokratike, mbi të gjitha Hungaria e Polonia dhe ata që kanë parandaluar refugjatët nga kërkimi i mbrojtjes që u takon.

Në një kohë kur politika e jashtme amerikane është bërë shumë e çrregullt dhe Ballkani ka rënë nën radar, është jetësore që BE-ja dhe SHBA-ja të qëndrojnë të bashkuar në qasjen e tyre. SHBA-ja është prirë të bëjë një qasje më të fortë, për shembull duke ngrirë asetet e Milorad Dodik-ut, liderit serb të Bosnjës.

Fakti që BE-ja ka hezituar të ndjekë këtë rrugë ka sinjalizuar më tej se nuk duhet marrë seriozisht.

Ministrat e Jashtëm të BE-së duhet të konsiderojë sanksionet kundër çdo politikani në Maqedoni që po përpiqet ta pengojë marrëveshjen e dakordsuar mes qeverisë dhe opozitës.

Në një BE që tani i sheh fqinjët si një shpërqendrim i padëshiruar, raporti “Priebe” dhe deklarata e Mogherinit janë një përjashtim, jo rregulli. Ato reflektuan një sens paniku në Bruksel, jo një strategji të re me Ballkanin Perëndimor.

BE-ja vazhdon të këmbëngulë se nuk ka zjarre për t’u shuar në Ballkan – megjithëse metoda e saj kryesore në angazhim është e luftimit të zjarrit. Për sa kohë kjo nuk ndryshon, BE-ja do ta ketë të vështirë të ketë efekt vërtet transformues në rajon.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK