Zërat
Henrik Böhme
Henrik
Böhme

A do të ketë luftë tregtare?

Zërat March 21, 2017 - 17:42

Wolfgang Schäuble e kishte paramenduar ndryshe. Kur nikoqiri i Samitit të G20-shit hapi takimin e ministrave të Financave ishte i bindur se do të arrihej një marrëveshje me SHBA-në. Në dokumentin përfundimtar ishte parashikuar të theksohet përkushtimi për tregti të lirë dhe heqja dorë nga politika e proteksionizmit. Por ministri gjerman i Financave nuk arriti ta bindë homologun e tij amerikan Steven Mnuchin për kompromis. E vetmja, ku kanë rënë dakord, ishte formulimi se po angazhohen për forcimin e kontributit të tregtisë mes vendeve. Një gjë e ditur më parë - asgjë tjetër.

Në Baden - Baden është qartësuar edhe një gjë: ekipi i ri në Shtëpinë e Bardhë duket se mendon seriozisht kur flet për zbatimin e premtimeve parazgjedhore. Presidenti Donald Trump ka deklaruar gjatë takimit me kancelaren Merkel se gjermanët kanë qenë deri më tani negociues më të mirë, ndërsa amerikanët duan ta ndryshojnë këtë. Takimi në Baden - Baden ishte një dëshmi për këtë. As Wolfgang Schäuble nuk ia doli ta bindë palën amerikane.

Por samiti nuk mund të konsiderohet i dështuar. Takimet e këtilla nuk kanë ndonjë karakter zyrtar, dokumentet përfundimtare nuk janë të detyrueshme, por vetëm bazë për bashkëpunim. Ndonëse ishte premtuar se do të largohen pengesat për tregti dhe do të përparohet tregtia e lirë, trendi i izolimit është evidentuar kaherë. Që në vitin 2008 janë numëruar nga Organizata Botërore e Tregtisë mbi 2000 masa kufizimesh tregtare. Kur dihet që vendet e G20-shit përbëjnë gati 80% të tregtisë botërore, atëherë shihet se sa të mëdha janë pengesat dhe se premtimet nuk po realizohen.

Afrika dhe problemet atje

Problemet me marrëveshjen e tregtisë së lirë kanë hedhur nën hije arritje të tjera të G20-shit. Për shembull sa i takon transparencës dhe tatimeve për koncernet e mëdha. Por edhe plani i Schäubles për Afrikën, në të cilin duhet të ketë më shumë siguri për investitorët. Kjo është mbështetur nga të gjitha qeveritë. Ndërsa pyetja që shtrohej tërë kohën ishte nëse tani do të ketë një luftë të re tregtare?

Kjo frikë nuk është e pabazë. Administrata e Trumpit tërë kohën thotë se SHBA-ja importon tepër dhe eksporton pak, ndërsa stilin gjerman të eksportit të madh e quan "rrezik për sigurinë nacionale amerikane". Kritika ndaj Gjermanisë nuk është e re. Këtë e kanë thënë edhe Bushi dhe Obama, por është dëgjuar edhe në Bruksel. Përgjigjja gjermane ka qenë gjithmonë: "A thua duhet të prodhojmë mallra të dobëta, të cilat nuk do t'i blejë askush?"

Shkaqet për optimizëm

Pohimet se tregtia e lirë është kompetencë e Brukselit nuk dëgjohen me dëshirë në Uashington. Nëse futen dënimet e para doganore ndaj prodhimeve gjermane Berlini me siguri se do të përgjigjet. Në Berlin është përmendur edhe mundësia e nxjerrjes së çështjes para gjykatave të WTO-së. Por as në Uashington me siguri që nuk do të vdesin nga frika. WTO-ja i intereson Trumpit vetëm nëse është në interesin amerikan. Qeveria amerikane po shikon mundësitë e dënimeve dhe evitimin e masave të WTO-së.

Por ka dhe një gjë e cila ndoshta do ta evitojë luftën tregtare - deklarata e G20-shit për politikën monetare dhe atë pa manipulime. Kjo jep shkas për optimizëm. Në Baden-Baden është parë se si mund të zhvillohen takimet e tjera. Në Hamburg do të mbahet Samiti i G20-shit në nivelin e krerëve të këtyre vendeve. Ky samit do të jetë shumë domethënës sepse në rend dite ka edhe shumë pika të tjera kontestuese.

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK