Zërat
Klementin Mile
Klementin
Mile

Kriza e identitetit

Zërat March 11, 2017 - 12:13

Problemi më i madh dhe i gjithkohshëm i njeriut është identiteti i tij. Nuk është vdekja, pasi ajo nuk mund të formulohet si problem, por vetëm si katastrofë ose fatalitet i pashmangshëm. Për vdekjen nuk ka zgjidhje, për identitetin po. Sot, në fakt, flitet shumë për një krizë identiteti që e përjeton çdo individ njerëzor. Të jesh në krizë identiteti do të thotë të mos dish kush je, të mos dish ç’kuptim t’i japësh jetës tënde, të mos dish sa dhe për çfarë vlen ti, të mos dish vendin që të përket ekskluzivisht ty në shoqëri dhe në botë.

Po t’i referohemi filozofit grek Sokratit, detyra kryesore e njeriut është të njohë vetveten, pra të arrijë ta identifikojë veten. Nëse njeriu nuk e bën dot këtë, jeta e tij shkon kot, pa qëllime autentike, në tension të vazhdueshëm dhe në injorancë të plotë. Jo vetëm kaq. Secili prej nesh është gjithmonë i rrezikuar të dëmtohet nga veprime të njerëzve që nuk e dinë çfarë duan, pikërisht sepse nuk e dinë kush janë.

Në këtë kuptim, problemi i identitetit është themelor, pasi moszgjidhja e tij bën të lindin probleme të tjera në raportin e njeriut me veten, ose në raportet e njerëzve me njëri-tjetrin. Nga ana tjetër, ky problem është shumë i vështirë për t’u zgjidhur. Identiteti është problem personal dhe nuk mund të zgjidhet në nivel impersonal, pra prej roleve që individi luan në shoqëri. Për shembull, gjatë një dite të zakonshme, unë luaj disa role: pedagog në auditor, klient në kafene, anëtar në familje, pasagjer në autobus, teleshikues para televizorit, opinionist në gazetë etj. Por, kush jam unë? A mund të barazohet qenia ime me ndonjërin prej këtyre roleve? Kjo, pavarësisht rëndësisë së ndonjërit prej roleve, do të ishte reduktuese. Unë nuk mund të jem vetëm pedagogu, ose vetëm pasagjeri, ose vetëm opinionisti. Apo unë jam shuma e këtyre roleve? Por një shumë e tillë nuk ka kuptim. Është sikur të mbledhësh 1 kungull, 1 patate dhe 1 dardhë dhe të thuash që shuma është 3. 3 çfarë? Megjithatë, edhe sikur një shumë e tillë të kishte kuptim, ajo do të ndryshonte nga njëra ditë në tjetrën, pasi do të kishte ditë që nuk do ta kryeja ndonjërin prej roleve apo do t’i shtoja jetës sime një rol të ri. Unë nuk mund ta barazoj konstanten e qenies sime me një shumë që nuk është konstante, por varion sipas ditëve.

Problemi i identitetit mund të zgjidhet vetëm në nivel personal. Kështu, teoricieni social Zygmunt Bauman, ka treguar tri zgjidhje të mundshme për të shmangur krizën e identitetit: intimiteti, tregu dhe psikanaliza. Intimiteti, marrëdhënia dashurore, shërben si zgjidhje e problemit të identitetit sepse funksioni i tij është të na konfirmojë autoportretin tonë. Secili prej nesh ka një imazh për veten, si të thuash, i bën një portret vetes; gjë që do të thotë se ka intuitën se kush është në të vërtetë dhe në dallim nga të tjerët. Por, nëse ky imazh nuk shprehet në komunikim dhe nuk konfirmohet nga tjetri, atëherë ai është po aq irreal sa dhe një ëndërr nate. Intimiteti siguron partnerin e gatshëm për komunikim personal dhe konfirmim nga ky person tjetër i rëndësishëm. Në fakt, cilësia esenciale e partnerit intim është pikërisht kjo: ai është juria e kualifikuar dhe ekskluzive për të vlerësuar autoportretin tonë. Njerëzit e tjerë nuk mund ta kryejnë këtë funksion, ne nuk besojmë se shikimi i tyre mund të depërtojë deri në thelbin e qenies sonë. Kjo do të thotë se gjykimit të partnerit ne i besojmë plotësisht dhe konfirmimi që marrim (nëse e marrim) është vërtet bindës. Partneri na thotë: “Po, ti je vërtet ky person që imagjinon se je!”

Por zgjidhja intime e problemit të identitetit mbart vështirësi të mëdha. Së pari, nuk ka ndonjë garanci që secili prej nesh do ta gjejë një partner intim – intimiteti nuk është vetëm seksualitet, por edhe relevancë psikike ndërmjet dy personave. Së dyti, marrëdhëniet intime zakonisht zgjasin pak për shkak të monotonisë dhe konfliktit, edhe pse institucioni i lidhjes mund të mbijetojë. Por një lidhje jo intime (vetëm seksuale ose vetëm e bazuar në shkëmbim), nuk e konfirmon më autoportretin tonë. Në këto kushte, njerëzit e pafat në dashuri, priren ta zëvendësojnë intimitetin me tregun.

Tregu, si zgjidhje e problemit të identitetit, do të thotë të shpenzosh para për mallra, produkte, shërbime dhe aktivitete, të cilat duket se përputhen me imazhin që individi ka për veten. Kështu, nëse dikush e imagjinon veten si femër klasike të viteve ’50 në Parisin e pasluftës, atëherë zgjidhja është të shkojë në treg e të blejë veshje klasike, të blejë libra që flasin për atë kohë, të paguajë për të ndjekur aktivitete të llojit të “brezit të humbur”, të konsumojë verë franceze e kështu me radhë. Por zgjidhja e krizës së identitetit përmes tregut, përveçse kushton shumë, ka edhe mangësinë që nuk arrin të na dallojë qartazi dhe bindshëm prej gjithkujt tjetër. Prandaj, si alternativë e saj është zhvilluar psikanaliza.

Psikanaliza kushton më pak dhe bind më shumë. Njeriu që shkon te psikanalisti i bën vetes një autoportret me anë të rrëfimeve të tij, ndërkohë që psikanalisti e dëgjon dhe me anë të gjesteve miratuese, inkurajimit për të vazhduar rrëfimin më tej apo edhe thjesht heshtjes që shpreh vëmendje, ia konfirmon imazhin për veten. Psikanaliza, në këtë mënyrë, është shumë e afërt me intimitetin; gjë që shpjegon se pse ndodh shpesh që pacientët të bien në dashuri me psikanalistin.

Në Shqipëri psikanaliza është ende shumë pak e zhvilluar, jo vetëm për shkak të konvencionit social që e trajton negativisht si “të mangët nga trutë” personin që shkon në seanca psikanalitike; por edhe sepse në Shqipëri, si një vend ku ndërveprimi është disa herë më intensiv se në vendet perëndimore, funksionin e psikanalistit e kryen miku i ngushtë. Kujtoni rastet kur jeni ndier keq, të pakonfirmuar nga askush dhe asgjë, dhe e keni zgjuar nga gjumi në mes të natës mikun tuaj, vetëm për t’i rrëfyer ndonjë ngjarje që tregon se ju jeni vërtet ashtu si mendoni që jeni.

 

*Pedagog në UET

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK