Zërat
Elson Frroku
Elson
Frroku

Qeveri teknike apo disonancë konjitive e Lulzim Bashës

Zërat March 11, 2017 - 12:11

Mundësia e krijimit të një qeverie teknike në kushtet e tanishme është e pamundur, shkruan Frroku. Ajo që e mban gjallë këtë kërkesë është vetëm disonanca konjitive

Disonanca konjitive është një nga teoritë më me ndikim dhe më të studiuara në psikologjinë sociale, dhe nënkupton një stres mental ose shqetësim i lartë i një individi që mban dy ose më shumë besime, ide, ose vlera kontradiktore, në të njëjtën kohë. Disonanca konjitive është një kontradiktë e brendshme që krijon një strukturë të sjelljeve mjaft të hulumtuara dhe të parashikueshme të një individi ose grupi që është ose janë nën ndikim të çuditshëm të saj. Sipas kësaj teorie, qeniet njerëzore orvaten rregullisht të arrijnë konsistencë të brendshme nga disonanca që ekziston gjithandej në mendjen e njeriut. Leon Festinger në librin e tij “Teoria e Disonancës Konjitive” (1957) e përshkroi termin Disonancë Konjitive si një gjendje të parehatshme që përjeton njeriu nga ekzistenca e dy besimeve kontradiktore me njëra-tjetrën. (Festinger, 1957). Fatos Lubonja te shkrimi i tij në nëntor (2014) te gazeta “Panorama” me titull “Arti i gënjimit të vetes” e shqipëroi disonancën konjitive si një mënyrë për të gënjyer veten. Pra, e shpjeguar më thjesht, në një farë mënyre të duhet të pretendosh që po t’i lësh ujkun dhe dhinë në një varkë në mes të Oqeanit, ata do të bëhen miq. Nëse kjo nuk ndodh por ujku e gëlltit dhinë, atëherë ti fillon të bindësh veten që nuk e ka ngrënë ujku, por dhia mund të ketë ikur me not ose ka ardhur dhe e ka marrë ndonjë varkë shpëtimi dhe e ka shpëtuar etj. Kjo është disonanca konjitive.

Gjithsesi, disonanca konjitive konsiderohet si një shembull shumë i keq për t’u përdorur sidomos nga njerëzit me pushtet politik, të cilët nuk mund ta pranojnë kurrë se kanë bërë një gabim. Kjo në fakt nuk ka ndodhur rrallëherë në politikën shqiptare, por ajo që është për t’u theksuar është këmbëngulja e kreut të Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha, për të rrëzuar qeverinë dhe për krijimin e një qeverie teknike me bazë të gjerë, për monitorimin e zgjedhjeve, që sipas tij kjo qeveri teknike të sigurojë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Kjo kërkesë e Lulzim Bashës më kujton një pasazh në librin e Festinger-it, i cili shpjegon se si i lindi ideja e krijimit të teorisë së Disonancës Konjitive. Leon Festinger u bë i famshëm në vitet ‘50 në SHBA nëpërmjet studimit të një sekti që profetizonte fundin e botës. Një grua amerikane, që e quante veten priftëreshë, proklamonte në Winsconsin se një jashtëtokësor i kishte komunikuar asaj një mesazh të fshehtë, sipas të cilit do të ndodhte një përmbytje universale që do të zhdukte njerëzimin dhe se ajo vetë ishte e zgjedhura për t’u shpëtuar.

Në vend që të vinte veten në dyshim, ajo krijoi një sekt që mblidhej e lutej në pritje të këtij apokalipsi. Kur u bë e qartë se ky nuk ndodhi, ta donte mendja që sekti të shkrihej. Por nuk ndodhi kështu. Anëtarët e sektit, në vend që të pranonin se ishin një tufë budallenjsh, nxorën teorinë se ishin pikërisht ata, me lutjet e tyre, që e kishin shpëtuar botën. Kjo në fakt ka të ngjarë që të ndodhë edhe me kryetarin e opozitës dhe protestuesit që kanë dalë në çadër pranë Kryeministrisë. Në momentin që nuk do arrijnë të plotësojnë kërkesën e tyre për një qeveri teknike atëherë ata do e gënjejnë mendjen e tyre se arritën diçka tjetër dhe sigurisht do mundohen ta argumentojnë atë si mënyrën më të mirë të zgjedhjes që bënë. Nuk ka rëndësi fare se cila do të jetë zgjidhja e negocimit qe do të bëjë Lulzim Basha me qeverinë, por të gjithë mbështetësit e tij do të bien në një mendje se ajo ishte zgjidhja më e mirë. Por në fakt nuk e arritën kurrë kërkesën e tyre, për të cilën ata ndenjën disa javë në çadër duke protestuar për krijimin e një qeverie teknike.

Ky fenomen nuk është i panjohur në jetën politike shqiptare dhe liderëve të saj. Edi Rama bëri të njëjtën gjë në 2010 me grevën e urisë, që sipas tij nuk dilnin nga protesta pa hapur kutitë. Çfarë ndodhi në fakt? Kutitë nuk u hapën dhe grevistët dolën nga greva pa e fituar kauzën e tyre. Një rast tjetër që i përafrohet më tepër është momenti kur Lëvizja Socialiste për Integrim hyri në koalicion me Partinë Demokratike (2009). Kjo ndodhi në fakt midis dy kontradiktave të mëdha të liderit të LSI, z. Ilir Meta. E para, programi politik i dy partive ishte totalisht i kundërt me njëri-tjetrin dhe e dyta, ishte raporti i dy liderëve, të cilët shaheshin në mënyrë monstruoze me njëri-tjetrin. Por si u përputhen këta me njëri-tjetrin? Përgjigjja e LSI ishte se po shpëtonte vendin nga një destabilizim i mundshëm politik. Pra, po shpëtonte Botën.

Kështu që, edhe protesta e zhurmshme por paqësore e opozitës ka të ngjarë të jetë një shpërqendrim konjitiv i z. Lulzim Basha. Disonanca konjitive konsiston në mënyrën se si ai do e justifikojë humbjen e kauzës së tij. Pra, ai do të sajojë një mënyrë tjetër për ta legjitimuar veprimin e tij, që doli nga protesta pa krijuar një qeveri teknike, për të cilën qëndroi disa javë në protestë. Ai do të bëjë të njëjtën gjë, siç bëri edhe ai sekti fetar, i cili pretendoi se me lutjet e tyre kishin shpëtuar Botën.

*Msc marrëdhënie ndërkombëtare

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK