Zërat
Mero Baze
Mero
Baze

Një përpjekje për t’u marrë seriozisht si “zjarrvënës”!

Zërat March 10, 2017 - 11:01

Indiferenca me të cilën shumica në pushtet dhe faktori ndërkombëtar e kanë marrë çadrën në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ka shtyrë sot Lulzim Bashën drejt një gjesti më ekstrem, për t’i bindur të gjithë se e ka seriozisht. Ai ka mbledhur aleatët formalë të opozitës për ta tërhequr regjistrimin e tyre nga zgjedhjet dhe për të ngritur “Komitetet e Shpëtimit” në gjithë Shqipërinë me shpresë se do të organizojë rezistencë popullore kundër zgjedhjeve në Shqipëri.

Është një gjest ekstrem nga i cili ai shpreson të marrë së paku një reagim serioz. Deri më sot nga dy javë të qëndruari në bulevard ai ka mundur ta sigurojë vetëm një drekë me ambasadorin amerikan, pas së cilës vendosi të shpallë luftë nga dëshpërimi.

Shpërndarja e protestës nga Tirana në rrethe duke krijuar “Komitete Shpëtimi” dhe vendimi për t’i bojkotuar zgjedhjet si opozitë janë shpresa se ai do të mund të merret seriozisht.

Në fakt Lulzim Basha dhe Sali Berisha janë duke u marrë seriozisht për një çështje, që ata e kanë në dorë. Ata kanë prerë në besë faktorin ndërkombëtar dhe u është dhënë çelësi i administrimit të reformës në drejtësi. Ata si kalamaj hileqarë kanë marrë çelësin dhe kanë ikur nga shkolla. Kaq kanë bërë dhe për kaq janë marrë seriozisht. Ambasadori amerikan po përpiqet t’i kthejë në “bankat e shkollës”, Bashkimi Evropian u ka qëndruar fort me deklarata, duke i konsideruar si një parti që ka keqpërdorur besimin e Brukselit, ndërsa Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit është duke kërkuar rrugëzgjidhje për situatën e krijuar.

Deri këtu janë marrë seriozisht dhe do të merren seriozisht, përderisa Perëndimi ka pjesën e vet të fajit, që ia vari ujkut “mëlçitë në qafë”.

Më tutje, sidomos për zgjedhjet nuk i merr askush seriozisht, edhe pse janë të bindur që mund t’i bojkotojnë edhe ato. Nëse kërkon në “Google” me emrin “Sali Berisha”, sugjerimet e para që të bën motori i kërkimit për të janë “vjedhjet e zgjedhjeve” dhe “trazirat e vitit 1997”. Nëse kërkon emrin e Lulzim Bashës sugjerimet e para që të jep janë zgjedhjet e Tiranës 2011. Nëse kërkon me emrin “Arben Ristani”, të jep vetëm vjedhjen e zgjedhjeve 2011.

Në këto kushte këta njerëz mund dhe të mos shkojnë në zgjedhje, mund t’i shkaktojnë Shqipërisë një lodhje nga politika e tyre, por nuk është se e mbajnë dot peng.

Lulzim Basha do bojkot sepse do të shpëtojë nga analiza  e humbjes, Sali Berisha do të shpëtojë nga Vettingu i atyre që i kanë shpëtuar familjen, Ilir Meta do të shpëtojë nga Edi Rama, Agron Duka do të shpëtojë nga Nari, bile dhe disa kongresmenë amerikanë do të shpëtojnë nga Fatmir Mediu, por vetëm kaq. Këto të mira do t’i ketë bojkoti. Por kushdo që do të jetë në krye të këtij vendi do të jetë përgjegjës para historisë, nëse ngulit në këtë vend marrjen e pushtetit pa zgjedhje në tavolinë. Një precedent i tillë do ta fuste Shqipërinë përjetësisht në spiralen e luftës civile dhe të papërgjegjshmërisë për ta marrë pushtetin me dhunë dhe kërcënime.

Kështu që Lulzim Basha është i lirë t’i bojkotojë zgjedhjet. Është i lirë po ashtu t’i mbajë aleatët e tij larg zgjedhjeve. Shqipëria do të ketë gjithnjë një opozitë dhe një qeveri që do të votohen nga shqiptarët derisa të jenë të lirë të votojnë. Askush nuk emocionohet nga vendimet e tij politike.

Është i lirë po ashtu të besojë se Ilir Meta nuk hyn në zgjedhje po nuk hyri ai, se LSI-ja nuk do ta votojë Presidentin që do ai, etj. LSI-ja ka të drejtën e saj, ta përdorë Luzlim Bashën sa herë t’i duhet dhe Lulzim Basha po ashtu ka të drejtë t’i besojë sa herë i duhet, duke e përdorur si “Viagra” që ia ngre lart moralin.

I vetmi emocion negativ ndaj Lulzim Bashës dhe Sali Berishës është që po mbajnë peng reformën në drejtësi. Tani as për atë nuk kemi çfarë t’u bëjmë më moral. Duket që edhe ajo do të zgjidhet më 18 Qershor, kur shqiptarët ta votojnë qeverinë e re dhe opozitën e re, e cila do të ketë në dorë mandatin për ta shtyrë përpara reformën.

Kërcënimet për destabilzim të Shqipërisë për bllokim të jetës institucionale dhe mosbindje civile janë ëndrra në sirtar të një grupi njerëzish të frikësuar nga normaliteti në këtë vend dhe që mendojnë se janë më të rëndësishëm se shqiptarët e thjeshtë.

“Komitetet e Shpëtimit” që ai do t’i ngrejë në çdo qytet nuk e shpëtojnë dot. Ato do ta ekspozojnë më tej varfërinë e PD-së dhe do t’ua kujtojnë njerëzve në çdo qytet se kush po tenton t’i marrë peng.

Ata që vendosin se çfarë do të bëhet me Shqipërinë janë shqiptarët dhe jo një grusht banditësh që kanë vjedhur zgjedhje, miliarda dhe kanë marrë jetë njerëzish në emër të pushtetit të tyre këto 25 vjet. Kjo nuk është një shaka me zjarrin, por është një zjarr që do ta djegë shakanë e tyre për ta marrë peng Shqipërinë.

Merreni me qetësi deri më 18 qershor, se dhe 100 ditë janë. Dhe nuk janë 100 ditët e Napolonit. Janë 100 ditët e fundit të Lulzim Bashës në çadër.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK