Zërat
Fatos Lubonja
Fatos
Lubonja

Fasada e Ramës po kriset

Zërat March 10, 2017 - 10:59

 “Qeveria teknike është kusht i patjetërsueshëm për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për t’i hapur rrugë zbatimit të reformës së vërtetë në drejtësi, sipas përcaktimeve kushtetuese”. Ky është pak a shumë formulimi i kërkesave të çadrës së opozitës. Ndërkaq ky formulim shoqërohet edhe me deklarata të herëpashershme të Bashës që i drejtohet Ramës duke i thënë: “E vetmja alternativë është ikja jote dhe e banditëve të tu me para të pista”.

Nuk do shumë mend për të kuptuar se ka një mospërputhje në këto dy prononcime. Thënë ndryshe duket se treni i opozitës kërkon të ecë mbi dy palë shina. Njëra është ajo e “qeverisë teknike”, që presupozon kushte për garë të barabartë zgjedhore midis opozitës dhe “Ramës e banditëve të tij”, por që nuk e përjashton “Ramën&Co” nga politika. Sipas këtij opsioni, ai edhe mund të fitojë e të qëndrojë në pushtet. Por, sipas shinës së dytë, Rama është në krye të një bande me kriminelë dhe alternativë e vetme është që këta të largohen njëherë e mirë nga politika dhe të përgjigjen përpara drejtësisë, sepse një bandë kriminelësh s’mund të quhet opozitë.

Atëherë, çfarë synojnë realisht demokratët?

Po t’u referohesha precedentëve historikë, qeveria teknike më kujton më së shumti vitin ’97, kur kjo ishte një kërkesë e opozitës që më së shumti e shihte si hapi i parë i lëshimit të pushtetit nga ana e Berishës. Ishte “pika” ku opozita kërkonte të mbështeste levën për të rrëzuar në fakt Berishën dhe njëherësh për të treguar përpara ndërkombëtarëve se këtë kërkonte ta bënte në mënyrë institucionale, me zgjedhje, jo me dhunë. Në fakt u bë një qeveri e “pajtimit kombëtar”, që e zhyti vendin në kaos e që vetëm pajtim nuk bëri, as zgjedhje të ndershme s’mund të kishte në ato kushte, por pushteti i kaloi opozitës pas zgjedhjeve.

Duke pasur parasysh se protesta e opozitës aktuale nuk e ka dimensionin dramatik që krijoi rënia e piramidave, mund të them se i ngjet më shumë protestës së vitit 2010, kur PS-ja në opozitë asaj kohe u fut në një grevë urie në një çadër mu përballë Kryeministrisë për të kontestuar manipulim të zgjedhjeve me parullën “o hap kutitë, o ik”. “Pika” e saj për të mbështetur levën ishte e drejta për të hapur kutitë e votimit që, nëse do të hapeshin, mund të provonin shkelje, çka do të çonte në zgjedhje të reja e rrëzimin e Berishës.

Në protestën e sotme është qeveria teknike “pika” ku opozita kërkon të mbështesë levën për të përmbysur Ramën. Edhe përdorim i termit “Republika e dytë” apo “Republika e re” nga protestuesit nënkupton përmbysje, një riformatim institucional. Por ky fillim kërkohet duke u përdorur mjete që çojnë te zgjedhjet.

Jemi pra në një lojë ku një këmbë opozita e mban në terren institucional, një tjetër në terren jashtëinstitucional. Në thelbin e vet ky dualizëm kontradiktor buron nga fakti se këta 25 vjet politika jonë ka operuar me një strategji të dyfishtë. Më një anë ajo ka përqafuar, në bashkëpunim me ndërkombëtarët, ndërtimin e shtetit të institucioneve demokratike, por, më anë tjetër, këta institucione i ka përdorur thjesht si fasadë institucionale, prapa së cilës ka punuar në forma jashtëinstitucionale nëpërmjet luftës midis klaneve të forta që synojnë të kontrollojnë të gjitha pushtetet edhe ekonomike, edhe ekzekutive, edhe mediatike, vjedhjes apo blerjes së votës, bashkëpunimit me krimin, korrupsionit, klientelizmit etj. Ky dualizëm është pranuar si një situatë tranzicioni, ku ajo që e quajta “fasadë institucionale” është konsideruar si një kornizë që pak nga pak do të kthehej në një strukturë gjithnjë e më formësuese e shtrënguese. Por ky tranzicion tashmë mund të quhet sëmundje kronike që së fundi po kalon në një krize të rëndë degjenerative me rrezik rënien e fasadës.

Në një vend ku ekziston shteti institucional i së drejtës, një kryebandit në krye të banditëve dhe kriminelëve nuk do të mund të ngjitej në krye të qeverisë. Por edhe sikur kjo të ndodhte, ngaqë lidhjet kriminale nuk do të ishin të njohura apo sepse do t’i vendoste këto më vonë, kur këto të mësoheshin, do të vihej në lëvizje drejtësia dhe këta do të arrestoheshin. Sikur të mos mjaftonte kaq, do të vihej në lëvizje protesta e ndihmuar edhe nga mediet. Pra, po të ishim në këtë nivel protesta më e logjikshme e opozitës do të ishte ajo që do t’i nxirrte njerëzit te çadra dhe, e mbështetur mbi një numër akuzash të drejtuara në Prokurori, do t’i thoshte kryeministrit dhe të tijve: ose jepni dorëheqjen që prokuroria dhe gjykatat të jenë të pandikuara nga pushteti juaj kur t’ju hetojnë dhe gjykojnë, ose ne nuk lëvizim që këtej.

Opozita mund të ndalte edhe këtu, mirëpo ajo s’ka ndalur pasi ne jemi edhe më keq. Drejtësia jonë as nuk mund të imagjinohet të veprojë ndaj shkeljeve të ligjit nga kryeministrat dhe ministrat e tyre dhe aq më pak të hetojë për lidhje të tyre me njerëz që janë marrë në Perëndim me trafiqe droge e prostitucion e që sot janë në pushtet e Parlament. Prandaj, në këto kushte, ajo ka kaluar njërën këmbë në terren jashtëinstitucional, bojkoton Parlamentin, kërkon qeveri teknike, që është barazi me deklarim gjendjeje të jashtëzakonshme, destabilizuese.

Sikurse dihet, në krizën e 2010-s për të na nxjerrë nga gjendja e jashtëzakonshme, ndërhynë ndërkombëtare në favor të qeverisë së asaj kohe. Rezultati ishte ruajtja e fasadës, ndërkohë që prapa saj vazhdoi intensifikimi i punës jashtëinstitucionale. Edi Rama arriti ta përmbysë pushtetin e Berishës me zgjedhje pas tre vjetësh (siç del duke u mbështetur fort edhe te puna prapa fasadës e krimit e njëherësh duke bashkëpunuar me një forcë si ajo e Metës, që e njeh mirë këtë lloj loje të dyfishtë). Por ajo çka bëri nuk ishte puna për të ndërtuar shtetin e institucioneve kundër “shtetit” prapa fasadës.

Përkundrazi e intensifikoi maksimalisht punën prapa fasadës me kanabizim të ekonomisë, me bashkëpunim me kriminelë, me blerje e mbyllje mafioze mediesh kundërshtare e njëherësh duke bashkëpunuar apo manipuluar ndërkombëtarët për të ruajtur fasadën, siç është edhe propaganda me reformën në drejtësi. Ajo që kërkon opozita sot është pikërisht demaskimi dhe shkatërrimi i kësaj pune me pretendimin se zgjedhjet nuk mund të jenë fasadë e këtij aktiviteti kriminal, si dhe me premtimin e ndërtimit i një strukture shtetërore që të garantojë se nuk do të ketë punë prapa fasadës. Denoncimi qëndron, premtimi mbetet për shqiptarët një gjë që ju kujton skenarë mashtrimi të njohur tashmë.

Megjithatë, situata nuk është një përsëritje e skenarit të vitit 2010, kur ndërhynë ndërkombëtarët për të ruajtur fasadën. Gjendja është shumë më e rëndë, sepse brenda tre muajsh ne rrezikojmë të na bjerë thuajse krejt fasada. Sipas ndryshimeve kushtetuese rrezikojmë të mbetemi pa institucionet e drejtësisë, sepse, ndërsa e vjetra po vdes, e reja ka lindur e vdekur, sikurse po duket qartë me zhvillimet e fundit. Ne rrezikojmë të mbetemi edhe pa president, që është edhe ai pjesë e fasadës, edhe pa zgjedhje që janë edhe ato pjesë e fasadës, ashtu sikurse edhe pa Parlament dhe pa Qeveri. Këtë rënie të fasadës e ndihmon shumë edhe fakti se ndërkombëtarët nuk kanë më autoritetin që kanë pasur për ta rivendosur atë, sepse kanë neglizhuar në mënyrë dramatike të shohin e luftojnë punën e mbrapshtë që bëhet pas saj nga qeveritë me të cilat janë bërë gjithmonë aleate. Dhe rënie e fasadës do të thotë dalje lakuriq ose nën pushtetin e krimit, ose në kaos.

Situata kërkon urgjentisht një pakt politik sa më të gjerë për të dalë nga ky rrezik, por, njëherësh, një pakt që të mos jetë përsëritje e atyre që na kanë sjellë në këtë gjendje.
(Lapsi.al) 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK