Zërat
Klementin Mile
Klementin
Mile

Basha, një hero tragjik në çadër

Zërat March 06, 2017 - 12:26

Vendimi i madh i Bashës për të ngritur një çadër para kryeministrisë dhe për të qëndruar aty deri në sigurimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme me qeveri teknike, e shënjoi atë prej fillimit si një hero tragjik. Vetë vendimi ishte patetik, nënkuptonte vuajtje, emocion, brengë, katastrofë – të gjitha këto kuptime të termit grek pathos. Edhe fjalimet që pasuan ditë pas dite në çadrën e qëndresës, si nga vetë Basha ashtu dhe personazhe të tjera, kanë qenë të natyrës tragjike.

Basha, një lider me formim juridik, ashtu si filozofi grek Sokrati 2500 vjet më parë, ka një raport të veçantë me ligjin. Beteja e tij është kundër ligjit (që parashikon qëndrimin në pushtet të qeverisë deri në fund të mandatit), por brenda ligjit (ai s’po bën revolucion, as grusht shteti, as akt terrorist, as krim, por vetëm një miting krejt të ligjshëm). Ashtu si Sokrati, edhe Basha duket të besojë se ligjet lidhen me një të mirë absolute dhe prandaj duhet t’u bindemi. Sokrati, i dënuar nga ligjet e Athinës me vdekje përmes helmimit, pati mundësi të arratisej, por zgjodhi ta pijë kupën e helmit dhe t’u bindet ligjeve. Megjithatë, siç tregon Platoni në librin Fedoni, dishepujt e Sokratit, të pranishëm në vdekjen e tij, kur e morën vesh këtë argument nuk e mbajtën dot të qeshurën.

Një tjetër rast ku tragjedia, përballë ligjit, transformohet në komedi, vjen nga romani Procesi i Kafkës. Siç paraqitet në këtë libër, ligji, në formën e tij të kulluar, përtej substancës, objektit apo ndonjë përcaktimi tjetër, është diçka që as nuk dihet dhe as nuk mund të dihet çfarë është. Dhe nga një ligj i tillë ndëshkohet personazhi i romanit, Jozef K., pa e marrë vesh kurrë fajin e tij. Reagimi i parë i lexuesve është ta shohin këtë histori si tragjedi. Por, siç dëshmon miku i Kafkës, Maks Brodi, kur Kafka zhvilloi një lexim të Procesit para një audience, të gjithë, përfshirë dhe vetë autorin, i kapi e qeshura. Kjo nuk është e rastësishme. Filozofi francez Dëlëz, duke refuzuar tragjiken dhe patosin, thotë se komikja është mënyra e vetme e konceptimit të ligjit; për t’u përballur me ligjin nevojitet një kombinim i veçantë i ironisë dhe humorit, jo patos.

Jo vetëm përballja me ligjin, por edhe përballja me një qeveri që shënjohet prej opozitës si ‘tiranike’, ‘jo e popullit’, ‘e lidhur me krimin’ etj., mund të realizohet vetëm përmes instrumenteve të komikes: ironisë dhe humorit. Përkundër tyre, heroi tragjik është ai që u bindet ligjeve edhe pse vuan prej tyre. Por, të bësh heroin tragjik, do të thotë të mos i kundërvihesh tiranisë. Kjo sepse, siç shprehet Markezi dë Sad, tirani flet gjuhën e ligjit dhe nuk njeh asnjë gjuhë tjetër, pasi ai jeton “nën hijen e ligjeve”.

Kështu Basha, ky hero tragjik i çadrës së qëndresës, jo vetëm që nuk arrin t’i kundërvihet qeverisë, të cilën e paraqet si ‘tiranike’, por me anë të patosit, as nuk arrin ta krijojë dot frymën që do ta frymëzonte popullin për ta mbështetur në këtë qëndresë. Ligjërimit tërësisht patetik të Bashës i mungon edhe ironia edhe humori. Edhe para disa ditësh, kur pas deklaratave të liderit opozitar për shpim gomash dhe goditje me grusht, u komentua se Basha e kishte radikalizuar qëndrimin e tij, komentatorët ishin krejt gabim. Gabim sepse e ngatërruan radikalen me ekstremen. Një hero tragjik nuk mund të radikalizohet – kjo mundësi ekziston vetëm brenda komikes, specifikisht, në formën e humorit.

Për të përmbysur ligjin “nën hijen e të cilit” jeton tirani mund të përdoret ose ironia ose humori. Kjo është gjuha që mund të përjetohet prej popullit për t’iu bashkuar një kauze, pasi përkon me përjetimet e individëve kundrejt tiranisë së ligjit. Dëlëzi bën dallimin ndërmjet ironisë dhe humorit, duke treguar se si të dyja janë pjesë esenciale e raportit me ligjin. Ndërsa ironia është një lëvizje që ngrihet mbi ligjin për të shkuar drejt një parimi transcendent më të lartë (hyjnor) ose më të thellë (i rrënjosur në natyrën e njeriut), humori është një lëvizje që zbret nga ligji te pasojat e tij. Ironia e anashkalon ligjin, kurse humori e përzgjaton.

Problemi është se raporti i Bashës me ligjin nuk është as anashkalues, as përzgjatues. Lideri opozitar, në ato pak përpjekje ironike të ligjërimit të vet, nuk ka patur sukses t’i bëjë thirrje ndonjë parimi më të lartë, si p.sh. të mirës publike, në atë mënyrë që të bindë popullin. Kjo sepse historia e hipokrizisë politike është shumë e rëndë për të prodhuar bindje të tilla. Nga ana tjetër, a mund të thuhet dot se Basha, duke kërkuar zgjedhje të lira e të ndershme, i bën apel ndonjë elementi të rrënjosur thellë në konstruktin metafizik të shqiptarëve; kur dihet se po këta shqiptarë kanë kontribuar në të kaluarën, përmes komprometimit për pak para më tepër, ndonjë vend pune apo përfitime të tjera, pikërisht për të mos patur zgjedhje të tilla? Sa i përket tentativës për humor, kjo nuk ekziston fare në ligjërimin e Bashës dhe të opozitës në tërësi, por shihet me shumicë te ligjërimi qeveritar, që ka synuar ta tregojë absurd qëndrimin e opozitës.

Sipas filozofit amerikan Harman, dallimi ndërmjet ironisë dhe humorit reflektohet te dallimi ndërmjet kundërkthimit dhe radikalizimit. Ironia kritikon dhe adapton parimin e kundërt ndaj atij që sulmon, ndërkohë që humori e pranon atë me çka përballet, por e shtyn në një formë të ekzagjeruar. Dëlëzi, nga ana e tij, duke i dhënë kuptim psikologjik këtij dallimi, e lidh ironinë me sadizmin dhe humorin me mazokizmin. Për shembull në rastin e humorit, duke e aplikuar në mënyrë skrupuloze ligjin, ne jemi të aftë të demonstrojmë absurditetin e tij dhe të provokojmë çrregullimin që ai synon ta parandalojë. Duke respektuar letrën e ligjit, ne nuk pyesim për karakterin final ose primar të tij. Rezultati në çdo rast është e kundërta e asaj që pritet. Ashtu si kamxhiku, i cili në vend që ta ndëshkojë ose parandalojë ereksionin, në fakt e provokon dhe e siguron atë.

Markezi Dë Sad na kujton që kushdo që synon përmbysjen e ligjit përmes ironisë dhe sadizmit, duhet ta ketë të qartë se ligji mund të kapërcehet vetëm drejt një modeli institucional anarkik. Fakti që anarkia mund të ekzistojë vetëm në intervalin ndërmjet dy regjimeve të bazuara në ligj, duke shfuqizuar të vjetrin dhe lindur të riun (republikën e re, siç shprehet Basha) nuk e parandalon këtë interval hyjnor, këtë moment të ikshëm, që të dëshmojë diferencën themelore nga të gjitha format e ligjit. Mbretëria e ligjeve është inferiore ndaj asaj të anarkisë. Kjo provohet nga fakti që të gjitha qeveritë detyrohen të zhyten në anarki kur kërkojnë të ribëjnë kushtetutat e tyre. E kjo do të thotë se ligji mund të kapërcehet vetëm nga një parim që e përmbys dhe ia mohon pushtetin.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK