Zërat

Të gjithë ata, që Europa u duket 'bullshit' në Ballkan

Zërat March 06, 2017 - 12:23

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, Federica Mogherini, gjeti kundërshtarët e vet në çdo kryeqytet të Ballkanit në turin e saj inkurajues, për të rritur shpresat e Ballkanit Jugperëndimor, për t’u integruar në Bashkimin Europian. E përbashkëta e kundërshtarëve të saj, është një linjë e re e kundërshtimit të standardeve të Bashkimit Europian dhe një ironi me fundin e Europës.

Në parlamentin e Serbisë, nacionalistët e Sheshelit e përqeshën zonjën Mogherini në emër të asaj çfarë ajo përfaqësonte, duke ia thënë hapur se nuk kanë nevojë për Europën. Shesheli dhe nacionalistët e tjerë të Serbisë, në të vërtetë përfaqësojnë me ndershmëri linjën anti-Perëndimore të Serbisë dhe aleancën me Rusinë, dhe ishin në vendin e duhur të tyre.

Në Shkup, Mogherini u ndesh me aktin e papërgjegjshëm të presidentit Ivanov, i cili refuzon të firmosë një shumicë të re, për shkak të pranisë së shqiptarëve. Ai po ashtu pati kritika të ashpra për Europën, pse ajo mbështet integrimin etnik të shqiptarëve në Maqedoni dhe gati sa nuk e akuzoi Mogherinin, si “zjarrvënëse” të Maqedonisë.

Në Kosovë, të zemëruar me izolimin në kufizimin e lëvizjes së lirë, Mogherini u ndesh me një frymë në rritje anti-Perëndimore, që nxitet nga një retorikë e patriotizmit folklorik, ku dështimet e veta i shpjegojnë me “hiletë” e Europës plakë.

Në Shqipëri, për herë të parë një përfaqësuese e lartë e Bashkimit Europian, është pritur me kaq përbuzje dhe qesëndi nga një parti e madhe opozitare.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vuri mbështetësit e opozitës në çadër të quajnë në kor, “bullshit”, deklaratat e Mogherinit, ndërsa Genc Pollo, një njeri që e ka shtyrë jetën me lidhjet personale në Bruksel, e quajti të parëndësishme zonjën Mogherini, edhe pse ajo është praktikisht përfaqësuesja më e lartë e Bashkimit Europian.

Por nëse e shikon dhe më gjerë fjalorin e opozitës shqiptare kundrejt Mogherinit dhe Bashkimit Europian, shikon një frymë në rritje me plot doza anti-Perëndimore, edhe kundër vetë Bashkimit Europian. Blogjet e opozitës po mbushen përditë me psherëtima, se BE do shkrihet para se të hyjmë ne dhe me një çmenduri në rritje të akuzave se BE është më e korruptuar se ne. Dhe për këtë, u mjafton ideja që Bashkimi Europian ka blerë në Tiranë një vilë që është tre herë më e lirë se vila e Sandrit në krah të saj dhe dy herë më e lirë se e Fatos Nanos dhe Ridvan Bodes. Edhe pse ajo është blerë nga BE dhe për BE, edhe pse BE ka audit dhe nëse ka shkelje, ka dhe ligje dhe gjyqe, opozitës në Tiranë i intereson doemos që imazhi i BE në Tiranë, të ketë fytyrën e një gruaje hajdute dhe mundësisht me dashnorë ilegalë, që të ndjehen të qetë dhe të barabartë me të. Frika nga reforma në drejtësi dhe vendosmëria për të mos e votuar Vetting-un i bën ata agresivë dhe e kanë të nevojshme, të mos tregohen me gisht si hajdutë e frikacakë. Modeli i Europës së korruptuar i ndihmon të duken bashkëfajtorë.

Nga ana tjetër, Shqipëria ka zëvendësuar retorikën e saj tradicionale antiruse të nacionalistëve të saj, me retorikën “antisoros”. Për opozitën shqiptare sot nuk ekziston më rreziku pro rus në Shqipëri, por “armiku” real i Shqipërisë për ta, është miliardieri Xhorxh Soros, i cili zor se ka dëgjuar akoma, për gjithë këta armiq të rinj në Ballkan, që shpjegojnë hallet e tyre me paratë e tij. Biles dhe sulmet për Sorosin, në shtypin margjinal ndërkombëtar bëhen në të njëjtat gazeta me pagesë, si kur ankohen për Shqipërinë, ashtu dhe për Maqedoninë apo Serbinë.

E përbashkëta e gjithë kundërshtarëve të Europës në Ballkan, është pikërisht tendenca e re për të mos ju bindur rregullave të Europës dhe për ta dështuar integrimin në të.

Në Shqipëri opozita po mban peng “kushtin e vetëm” të hapjes së negociatave, siç u shpreh Mogherini, atë të votimit të Vetting-ut në Parlament. Dhe janë të bindur se Europa e ka për detyrë të ndryshojë standardet për ta, dhe jo këta të ndryshojnë për të pranuar standardet e Europës. Për të cilat Lulzim Basha po mendon me zë të lartë, si gjithë antiperëndimorët e Ballkanit, se janë “bullshit”.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK