Kėrkesa tė pahijshme

0

SHPËRNDARJE

04 March 2017 • 18:03

Kërkesat për ndërrimin e emrave të shkollave kanë filluar që nga vitet e ’90-ta për të vazhduar deri në ditët e sotme, por tani me një intensitet të shtuar. Qëllimi i ndërrimit të emrit sa është  i gabuar po aq edhe ofendues dhe nënçmues. Ka qenë e pritshme të ndërrohen emrat e shkollave të figurave shqiptare me një emër joshqiptar në kohën kur serbët pretendonin, jo vetëm t`ua ndërrojnë emrin shkollave por edhe ta çrrënjosin shkollën shqipe në Kosovë. Atë që patën mundësi e bënë.

Ua ndërruan emrat shkollave, i rrënuan bustet e figurave shqiptare, duke i zëvendësuar me emra e buste të veta, ato serbo-sllave. Nuk kemi pritur diçka më shumë prej tyre. Ka qenë e pritshme dhe krejtësisht normale, viteve të ’90-ta të emërtohen shkollat shqipe në kohën kur serbët së bashku me nxënës e arsimtarë, në ndarje, morën me vete edhe emrin e shkollës e cila ishte e përbashkët deri në ato momente.

Ne ishim të obliguar t`i emërtojmë shkollat sepse na mbetën pa emra një numër i madh i tyre. Edhe në atë kohë ishin disa kërkesa, të pahijshme, gati të një natyre me këto të sotmet. Ishin kërkesa për t`i larguar emrat e dëshmorëve nga LDB-ja, por në këto raste kemi qenë shumë të kujdesshëm. Për të mos u koritur dhe për të mos i hyrë në hak dikujt, u bënë përgatitje serioze.

Pleqësia e Arsimit, me propozimin e Entit Pedagogjik të Kosovës, miratoi Rregulloren për procedurat e emërtimit të shkollave. Me këtë Rregullore kufizohej për të mos thënë pamundësohej, keqpërdorimi i procesit të emërtimit. Pleqësia, në këtë kohë e zgjodhi një komision në përbërje të: dr. Liman Matoshi, kryetar Zijadin Gashi, dr. Jusuf Dedushaj, dr. Mejdi Elezi dhe Nazmi Caka, anëtar, të cilët e hartuan një listë me 296 emra të mundshëm për emërtimin e shkollave.

Kjo ndikoi pozitivisht në situatën e krijuar dhe procedura për emërtim e shkollave e mori rrjedhën e vet normale. Asnjë problem të vetëm nuk e kemi pasur rreth kësaj çështjeje. Kështu na ngjau edhe pas suprimimit të Organeve të Përkohshme Qeverisëse të Kosovës. Në krye të Departamentit të Arsimit u caktua prof. Agim Vinca, si bashkëdrejtues me Shtefi Shnor. 

Duke e parë se do të banalizohet procedura e emërtimit e sidomos e riemërtimit të shkollave, profesor Agimi mori vendim të pezullohet  përkohësisht emërtimi i shkollave. Kishte ide dhe vizion të qartë dhe e bëri këtë për të mos u lënduar pala së cilës i takonte emri i shkollës e as pala që pretendonte ta emërtojë shkollën me emrin e një personi të propozuar, e pushoi procedurën e riemërtimit të shkollave. Për fat të keq, në vlugun e punëve, e në mesin e tyre edhe emërtimi i shkollave, u desh të largohet nga posti i udhëheqësit të Departamentit.

U largua, po u largua si burrat. Pati premtuar se nuk do të shkojë vetëm dhe vërtet nuk shkoi. U desh edhe Shtefi Shnor të japë dorëheqje nga po i njëjti post me prof. Agimin. Më pastaj çështja e riemërtimit të shkollave filloi të marrë përmasa deri në banalizim. Të hiqet emri i Hasan Prishtinës apo Abdyl Frashërit dhe t`i vihet emri i një personaliteti i cili është anonimus për komunitetin, është e pa vend dhe e pa mend. Respekt për ata të cilët sakrifikuan jetën për liri por ka edhe emra të cilët nuk dihet kush janë.

Është banalizuar kërkesa për riemërtim derisa ajo kërkesë nuk vjen në formë zyrtare por privatisht nga vëllai, daja, miku  apo dikush tjetër. Në këtë rast ka faj edhe MASHT-i që nuk ka kërkuar dhe nuk ka insistuar nga Qeveria ta bëjë një listë me emrat e heronjve, të dihen me emër e me mbiemër. Më vonë MASHT-i ta përpilojë një listë me emra të mundshëm për emërtimin e shkollave. Nuk është në rregull të hiqet emri i Hasan Prishtinës dhe t`i vihet emri i ndonjë heroi, qoftë dhe i shpallur hero me vendim. Po të ishte në jetë ai hero kurrë nuk do të lejonte një ndërrim të tillë e as Hasan Prishtina ta nënçmonte heroin e popullit. Ky i fundit e ka vendin e vet me meritë dhe patjetër duhet ta gjejë vendin meritor me nam e jo kudo. Nuk është nder, as patriotizëm, as trimëri e as njerëzore ta shkelim të kaluarën tone të lavdishme dhe të ndërtojmë histori të shkëputur.

MASHT-i nuk e ka lehtë ta bëjë një ndërrim të tillë por nuk mund t`i shpëtojë shqyrtimit të atyre kërkesave jolegale të cilat shpesh janë përcjellë me kërcënime.

Është për keqardhje që partitë tona politike nuk ndihmojnë në këso rastesh. A e dinë ata se kemi probleme me propozime të paarsyeshme për riemërtimin e shkollave? Këto mund t`i ndalin së paku në mesin e votuesve të vet. Kemi probleme me zgjedhjen e drejtorëve, me pranimin e kuadrit mësimdhënës, të cilitdo nivel qoftë, kemi problem me mungesë të kuadrit profesional në shkolla, kemi shumë e shumë problem të tjera. A ka mundësi që partitë tona politike të takohen, së paku me një pikë e cila do ta ndihmonte  arsimin?

Autori është ish-udhëheqës i AML-së në MASHT