Zërat
Bedri Hamza
Bedri
Hamza

Viti 2016 dhe sistemi financiar i Kosovës

Zërat February 27, 2017 - 09:16

Sistemi financiar i Kosovës po vazhdon të dëshmojë se tanimë ka arritur një shkallë e kënaqshme e pjekurisë, e cila po manifestohet me një ngritje të vazhdueshme të shkallës së qëndrueshmërisë së tij dhe me një rol çdo ditë e më të madh të këtij sistemi në zhvillimin ekonomik të vendit. Viti 2016 ishte edhe një tjetër vit i suksesshëm për sistemin financiar të Kosovës, gjatë të cilit pjesa më e madhe e institucioneve financiare shënuan ngritje të performancës financiare, përderisa ekonomia e vendit përfitoi nga rritja e ofertës së produkteve financiare dhe përmirësimi i kushteve me të cilat ato ua ofruan klientëve.

Sistemi financiar i Kosovës mbetet kryesisht i bazuar në sektorin bankar, i cili ka rolin kryesor në mobilizimin e kursimeve dhe alokimin e tyre te huamarrësit. Niveli i lartë i besimit të publikut në sistemin bankar, i ndërtuar mbi bazën e funksionimit të shëndoshë të këtij sistemi ndër vite, edhe gjatë vitit 2016 ka pasur rol kyç në mobilizimin e kursimeve dhe rritjen e përshpejtuar të depozitave të mbledhura brenda vendit. Rritja e qëndrueshme e këtyre depozitave bëri të mundur që sektori bankar të ketë mjete të mjaftueshme për shtrirjen e mëtejme të kreditimit në ekonominë e vendit. Në vitin 2016 aktiviteti kredidhënës i sektorit bankar është rritur me ritëm të përshpejtuar, duke shërbyer kështu si një financues i rëndësishëm i rritjes së ekonomisë së vendit. Norma vjetore e rritjes së kredive bankare në fund të vitit 2016 arriti në mbi 10 për qind, që paraqet normën më të lartë të rritjes në pesë vjetët e fundit.

Me gjithë rritjen e vazhdueshme kreditimi bankar në raport me Bruto Produktin Vendor mbetet ende në nivel më të ulët krahasuar me mesataren e vendeve të rajonit dhe me vendet e zhvilluara, gjë që nënkupton hapësirë të mëtejme për rritjen e ndërmjetësimit financiar në Kosovë.

Sidoqoftë, krahas rritjes së vëllimit të kreditimit ekonomia e vendit ka nevojë edhe për një diversifikim më të madh të strukturës së kreditimit bankar në favor të rritjes së kreditimit për sektorët që mund të gjenerojnë më shumë vlerë të shtuar, siç janë sektorët e prodhimtarisë dhe bujqësisë, por edhe sektorët e tjerë të shërbimeve (të ndryshëm nga tregtia).

Struktura aktuale e kreditimit bankar vazhdon të jetë një refleksion i qartë i strukturës së përgjithshme të aktivitetit që ushtrojnë ndërmarrjet të cilat operojnë në Kosovë e që pjesa më e madhe e tyre janë ndërmarrje tregtare. Ndryshimi i kësaj strukture sigurisht se kërkon një rol më aktiv të bankave në eksplorimin e mundësive të reja investuese në ekonominë tonë, gjë e cila do të krijonte mundësi më të mëdha edhe për zhvillimin e mëtejmë të afarizmit të vet bankave. Mirëpo, angazhimi më i madh i bankave në këtë drejtim si i vetëm nuk mund të jetë i mjaftueshëm, por kërkohet një angazhim më gjithëpërfshirës në rigjallërimin dhe nxitjen e zhvillimit të këtyre sektorëve të ekonomisë.

Përveç nevojës për rritje më të madhe të investimeve në fushat e lartpërmendura, kërkohet angazhim më i madh edhe në rritjen e cilësisë së raportimit financiar dhe në ngritjen e kapaciteteve menaxhuese dhe planifikuese të bizneseve ekzistuese. Kjo do të gjeneronte një kërkesë më të madhe për kredi, si dhe përmirësim të cilësisë dhe besueshmërisë së aplikacioneve për kredi. Ndikim të rëndësishëm në nxitjen e rritjes së kreditimit bankar për sektorët që mund të kenë ndikim më të madh në zhvillimin ekonomik të vendit pritet të ketë edhe funksionalizim të Fondit Kosovar për Garantimin e Kredive.

Rritja e aktivitetit kredidhënës gjatë vitit 2016 është shoqëruar me një zvogëlim të konsiderueshëm të normave të interesit në kredi, me ç’rast norma mesatare e interesit në fund të vitit 2016 ishte rreth 7 për qind. Rënia e konsiderueshme e normës së interesit në vitet e fundit ka sjellë koston e financimit bankar në Kosovë në nivel të përafërt me mesataren e normave të interesit në vendet e tjera të rajonit tonë. Përveç normave të interesit, në vitet e fundit lehtësim kanë shënuar edhe kushtet e tjera të kreditimit, siç janë: kërkesat e kolateralit, kohëzgjatja e kredive, si dhe madhësia e kredive të aprovuara.

Të gjitha këto zhvillime flasin për përparime të dukshme në lehtësimin e qasjes në financa, që paraqet një faktor shumë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të një vendi.

Rritja e kreditimit bankar dhe përmirësimi i kushteve të kreditimit nuk do të ishte i mundur pa shkallën e lartë të qëndrueshmërisë, të cilën e gëzon sektori bankar i Kosovës.

Në vitin 2016 sektori bankar arriti të mirëmbajë treguesit e qëndrueshmërisë në nivel të lartë, madje duke shënuar progres të mëtejmë në disa aspekte kyçe të stabilitetit financiar siç është rasti me cilësinë e portofolit kreditor. Raporti ndërmjet kredive joperformuese dhe gjithsej kredive zbriti në rreth 4,8 për qind në fund të vitit 2016, që paraqet nivelin më të ulët të shënuar në gjashtë vjetët e fundit në Kosovë dhe normën dukshëm më të ulët në të gjithë rajonin. Norma e ulët e kredive joperformuese reflekton praktikat e shëndosha të zhvillimit të afarizmit nga ana e bankave, rregullimin dhe mbikëqyrjen e kujdesshme nga ana e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe ambientin stabil makroekonomik i cili nuk ka shkaktuar ndonjë tronditje mbi aftësinë paguese të huamarrësve. Rënia më e theksuar e këtij treguesi në periudhën e fundit në masë të madhe i atribuohet edhe lehtësimit të zbatimit të kontratave për bankat, gjë e cila ka ndikuar në rikuperimin e një pjese të kredive që kanë qenë në vonesë, si dhe ka rritur edhe më tutje shkallën e disiplinës së huamarrësve për ripagimin e kredive.

Gjatë vitit 2016 sistemi bankar vazhdoi modernizimin e mëtejmë të shërbimeve bankare duke rritur kështu ofertën e produkteve bankare digjitale, të cilat po gjejnë aplikim çdo ditë e më shumë te klientët bankarë. Në këtë kontekst vlen të theksohet rritja mjaft e madhe e pagesave të realizuara përmes llogarive bankare elektronike, të cilat në fund të vitit 2016 arritën një vlerë prej rreth 6 miliardë eurosh. Rritja e përdorimit të shërbimeve bankare digjitale zvogëlon koston dhe lehtëson qasjen në shërbimet bankare, duke i kontribuuar kështu rritjes së efikasitetit si të bankave, ashtu edhe të shfrytëzuesve të shërbimeve bankare.

Rritje të aktiviteteve dhe performancë të kënaqshme gjatë vitit 2016 kishin edhe fondet pensionale, të cilat për nga madhësia përfaqësojnë sektorin e dytë më të rëndësishëm në kuadër të sistemit financiar të Kosovës. Pjesa më e madhe e mjeteve të fondeve pensionale vazhdojnë të përbëhen nga kursimet e obligueshme pensionale, të cilat menaxhohen nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK). Vlera e gjithsej mjeteve nën menaxhimin e FKPK-së në fund të tremujorit të tretë të vitit 2016 ishte rreth 1.3 miliard euro, që paraqet një rritje vjetore prej 19 për qind. Investimet e kursimeve pensionale nga FKPK-ja gjatë kësaj periudhe janë karakterizuar me normë pozitive të kthimit, e cila nënkupton se vlera aktuale e kursimeve të kontribuuesve pensionalë është më e lartë në krahasim me vlerën e kontribuuar. Më konkretisht, çmimi i aksionit të FKPK-së në fund të tremujorit të tretë ishte rreth 1.37 euro, që nënkupton se 1 euro e kursyer në formë të kontributit pensional tani ka vlerën 1.37 euro.

Aktivitet më i madh është evidentuar edhe në kuadër të sektorit të sigurimeve, ku vlera e përgjithshme e primeve të shkruara arriti në 64.5 milionë euro deri në fund të tremujorit të tretë të vitit 2016. Në kuadër të primeve të shkruara vlen të theksohet ritmi më i lartë i rritjes së primeve të shkruara për produktet e sigurimeve vullnetare, të cilat gjatë kësaj periudhe ishin për 17 për qind më të larta në krahasim me vitin paraprak dhe shënuanvlerën prej 22 milionë eurosh. Ky zhvillim flet për një konkurrencë më të madhe në sektorin e sigurimeve, e cila po i nxit kompanitë të shtrijnë praninë e produkteve të sigurimit edhe në fusha të tjera për dallim nga e kaluara kur kompanitë e sigurimeve fokusoheshin pothuajse vetëm në sigurimet e obliguara të automjeteve.

Zhvillimi i tregut të sigurimeve vullnetare u ofron qytetarëve dhe bizneseve mundësi për t’u mbrojtur nga rreziqe të shumta të natyrave të ndryshme dhe në anën tjetër paraqet mundësi të mirë që sektori i sigurimeve të përforcojë qëndrueshmërinë financiare. Performanca financiare e sektorit të sigurimeve në përgjithësi vazhdon të mos jetë e favorshme si rrjedhojë e humbjeve, të cilat vazhdojnë të jenë të pranishme te një numër i kompanive. Vlera e humbjes së sektorit të sigurimeve deri në fund të vitit 2016 ka të ngjarë të rezultojë edhe më e lartë krahasuar me vitin paraprak. Ky thellim i humbjes së raportuar kryesisht mund të paraqitet si rezultat i proceseve të auditimit, të shtyra nga BQK-ja me qëllim të sigurimit të një shpalosjeje të drejtë të gjendjes financiare në këto kompani. Gjetjet nga proceset e auditimit kanë shërbyer si bazë për formulimin e planeve të sanimit, të cilat synojnë adresimin e brishtësive dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë së këtij sektori.

Sektori i mikrofinancave ka vazhduar të komplementojë rolin e sektorit bankar në kreditimin e ekonomisë së vendit, duke u fokusuar më tepër në financimin e bizneseve të vogla dhe individëve. Viti 2016 shënoi një rimëkëmbje të dukshme të kreditimit nga ky sektor, me ç’rast vlera e përgjithshme e kredive shënoi një rritje vjetore prej rreth 30 për qind. Për dallim nga kreditimi bankar, i cili sidomos në vitet e fundit u karakterizua me zvogëlim të theksuar të normës së interesit, kreditimi nga institucionet mikrofinanciare vazhdon të ketë një normë mjaft të lartë të interesit me një mesatare prej 22 për qind në nëntor 2016. Norma më e lartë e interesit për kreditë e institucioneve mikrofinanciare në krahasim me kreditë bankare deri në një masë pasqyron dallimet në burimet e financimit ndërmjet dy sektorëve, ku duhet pasur parasysh se aktiviteti i institucioneve financiare financohet nga tregjet e jashtme. Megjithatë, norma e lartë e interesit për kreditë nga ky sektor po ashtu mund të paraqesë nevojën për një rritje më të madhe të efikasitetit operacional të këtij sektori, e cila do të mundësonte zvogëlimin e shpenzimeve dhe përmirësimin e kushteve të financimit për huamarrësit.

BQK-ja edhe gjatë vitit që lamë pas ka vazhduar të luajë rol kyç në zhvillimin e mëtejmë të sistemit financiar dhe në ruajtjen e qëndrueshmërisë së këtij sistemi. Përmes aktiviteteve të saj në fushën e licencimit, rregullimit dhe mbikëqyrjes së institucioneve financiare BQK-ja ka mundësuar kushtet për zhvillimin e konkurrencës së shëndoshë në sistemin financiar, si dhe ka siguruar që sjellja e institucioneve financiare të bëhet në pajtim me rregulloret dhe ligjet në fuqi. Po ashtu, vlen të theksohet avancimi që është bërë në fushën e infrastrukturës financiare të ofruar nga BQK-ja, ku kemi arritur të funksionalizojmë sistemin e ri të pagesave RTGS, i cili paraqet një zhvillim me ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e efikasitetit të institucioneve financiare dhe shfrytëzuesve të shërbimeve të tyre. BQK-ja mbetet e përkushtuar të jetë në shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm dhe efikas të sistemit financiar të Kosovës, duke i ofruar kështu ekonomisë së vendit një sistem financiar të besueshëm, me një ofertë më të madhe dhe me kushte më të favorshme të shërbimeve financiare.

(Autori është guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK