Zërat
Michael Rubin
Michael
Rubin

Deportimi i Gylenit do të ulte reputacionin e NATO-s

Zërat February 25, 2017 - 13:07

Ted Malloch-u, personi që parashikohet se do të caktohet si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Bashkimin Evropian nga presidenti Trump, është shprehur se ai pret që administrata Trump ta ekstradojë Fethullah Gylenin, klerikun turk që jeton në Amerikë. Kjo deklaratë e tij është publikuar edhe në gazetën “Sabah”, e cila u konfiskua nga ana e Erdoganit për t’iu dhënë dhëndrit të tij, që e transformoi atë në një të përditshme të njëjtë me “Pravda”-n sovjetike.

Personi më i mundshëm që do të zgjidhet nga ana e presidentit të Shteteve të Bashkuara si ambasador i SHBA në BE, Ted Malloch-u, beson se administrata e re do ta ekstradojë liderin e lëvizjes “Gylen”, nëse do që të ketë marrëdhënie më të mira me Turqinë. I ftuar në një nga televizionet turke të njohura, NTV, Malloch-u ka thënë se ai beson se “Trump-i do të merret vesh mjaft mirë me presidentin turk.” Më tej ai vijoi duke pohuar se “Turqia është një vend anëtar i NATO-s dhe ndoshta partneri ynë më strategjik,” duke dashur të tregojë kësisoj rëndësinë e ekstradimit të Gylenit, duke thënë se për të ka qenë pikërisht ky person që fshihet pas grushtit të shtetit. Presidenti Trump dhe ai i Turqisë, kanë pasur bisedime tejet konstruktive me njëri-tjetrin dhe mund të kenë edhe një takim në muajt në vijim.”

Ka gjasa që Malloch-u të jetë veçse duke spekuluar, duke dashur të projektojë opinionet e tij mbi ato të Trump-it, me dëshirën që të integrojë veten në shtypin turk. Krejt e kundërta, nëse këto që thotë ai janë e vërteta, atëherë duhet ta themi se Trump-i qenka në kufijtë e një gabimi shumë të madh.

Fiksimi dhe urrejtja e Erdoganit ka një sërë arsyesh. Fakti më i thjeshtë është ky: pavarësisht se sa shumë kritika mund të meritojë veprimtaria e shkuar e lëvizjes “Gylen” për turqit, ata duhet të ofrojnë prova që Gyleni ka qenë i përfshirë në përpjekjen për grusht shteti. Disa nga ushtarakët që u përfshinë në grushtin e shtetit kanë qenë ndër simpatizantët e tij, mirëpo të tjerët nuk kanë qenë të tillë, madje disa syresh mund të kenë qenë edhe mbështetës të vetë presidentit Erdogan. Shumë prej vrasjeve të natës së tentativës së puçit po shihet se janë kryer nga snajperat e anëtarëve të SADAT-it, një milici islamiste e drejtuar prej njërit ndër këshilltarët për mbrojtjen të presidentit turk.

Megjithatë, sakrifikimi i Gylenit nuk se do ta nxjerrë Turqinë prej krizës. Spastrimet e ndërmarra nga Erdogani janë shumë të thella. Ndërkohë që preteksti mund të ketë qenë se ata janë ndjekës të Gylenit, realiteti tregon se Erdogani e ka përdorur spastrimin për të shënjestruar shekullaristët, liberalët dhe të gjithë ata oficerë ushtarakë që janë trainuar dhe përgatitur prej NATO-s, për të cilët ai beson se janë në kundërshtim me vizionin dhe synimet e tij për Turqinë.

Problemi është ky: T’i përkëdhelësh sedrën Erdoganit duke ekstraduar Gylenin mund të duket si një zgjidhje e thjeshtë përsa i përket tensionit në marrëdhëniet dypalëshe, mirëpo e vërteta është se Erdogani do ta përdorë deportimin për t’i parashtruar publikut mençurinë që fshihej pas valës së spastrimeve, duke justifikuar arrestimet e kryera gjer më sot. Dhe më e papranueshme do të ishte se Trump-i do të dënonte me vdekje jo vetëm Gylenin, por edhe me qindra oficerë të lartë, faji i vetëm i të cilëve do të ishte se i kanë shërbyer NATO-s.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK