Zërat
Arianit Koci
Arianit
Koci

Loja me ndjenjat fetare!

Zërat February 25, 2017 - 11:25

Të sulmosh dikë për të mbrojtur profetin Muhamed ose për të ngufatur një debat, i cili u zhvillua ndërmjet poetit dhe hoxhës, do të thotë t’i luftosh pikërisht ato vlera të cilat Kur’ani dhe vetë profeti Muhamed (a.s.) kanë urdhëruar të mbrohen me çdo kusht.

Kurani për kulturën e debatit thotë: “Ti thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) në mënyrën më të mirë”. Kaptina Bleta, shenja 125.

Pra, polemizim i shoqëruar me mirësjellje e jo me dhunë!

Jam kundër sulmeve fizike, me tërë qenien time!

Megjithatë, pavarësisht faktit që liria e shprehjes është e shenjtë dhe e pacenueshme, kam aq shumë respekt për besimet fetare, saqë nuk kisha komentuar kurrë në atë formë që i kishte lënduar ndjenjat fetare të kujtdo qoftë.

Çdo qytetar duhet ta dijë që edhe liria e shprehjes ka kufi. Askush nuk mund të thirret në lirinë e shprehjes nëse me ushtrimin e kësaj lirie dëmton thellë ndjenjat sensitive të tjetrit.

Profeti Muhamed është figurë e çmuar e historisë, andaj ai nuk meriton të jetë objekt i shpifjeve, fyerjeve apo debateve emocionale dhe jokonstruktive.

Kur’ani urdhëron se martesa mund të lidhet ndërmjet dy personave që kanë arritur pjekurinë dhe se gruaja ka të drejtë të zgjedhë bashkëshortin e saj.

Muhamedi (a.s.) si profet është cilësuar nga dijetarët si një “Kur’an i gjallë” pra, njeriu që e ka jetësuar në plotësi Kur’anin si fjalë të Zotit.

Profeti Muhamed fillimisht ishte i martuar me Hatixhen (40 vjeçe) derisa ai ishte 25-vjeçar dhe gjatë jetës së tij me Hatixhen nuk pati grua tjetër. Pas vdekjes së Hatixhesë thuhet se martesa me Ajshen është realizuar si rezultat i urdhrit hyjnor.

Studiues të shumtë e kanë trajtuar çështjen e “moshës së re” të Ajshes, gjë që është objekt diskutimi edhe në ditët e sotme.

Siç e shpjegon studiuesja Myriam Francois-Cerrah në artikullin e saj të botuar nga “The Guardian”, kemi të bëjmë me një kohë ku nuk ka pasur regjistra të lindjeve. Pra, sipas kësaj studiueseje, vlerësimet për moshën e Ajshes sillen prej 9-19 vjet. Sa i përket njërës thënie të Muhamedit që flet për moshën e Ajshes (se ishte 9 vjeçe), theksohet se thëniet e Muhamedit janë transmetuar gjeneratë pas gjeneratë sipas një metodologjie të kujdesshme, por jo të pagabueshme.

Në përgjithësi, pranohet unanimisht se ajo ka qenë mjaft e re kur u martua me Muhamedin. Këtu theksohet fakti që mosha e pjekurisë dallon nga vendi në vend dhe nga koha apo periudha historike. Në Arabinë e shekullit të VII personi konsiderohej i pjekur (i rritur) kur arrinte pjekurinë seksuale.

Muhamedi ka pasur kritikues edhe gjatë kohës sa ishte gjallë por asnjëri, në atë kohë, nuk e ka kritikuar për martesën me Ajshen në moshë të re, ngaqë martesa e saj në atë moshë nuk ishte në kundërshtim me traditën e asaj kohe.

Po ashtu në literaturë përmendet fakti që 5 shekuj pas kohës së Muhamedit, mbreti Xhon i Anglisë (33-vjeçar) u martua me Izabelën e Angoulemës (12-vjeçare).

Përndryshe, gjyshja ime Paulina Gjoni-Koci është martuar në moshën 15-vjeçare. Gjyshi, Marku, ka qenë disa vite më i vjetër.

Me kritere të sotme ligjore, kjo martesë është e ndaluar.

Pra, këtu qëndron dallimi ndërmjet një debati konstruktiv, të mbështetur në fakte dhe shprehjeve të ngutshme, tendencioze dhe fyese.

Sidoqoftë, janë të dënueshme veprimet e të tjerëve që mendojnë “të edukojnë” dikë me dhunë apo ta vazhdojnë debatin me përdorimin e shkopit.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK