Zërat
Klementin Mile
Klementin
Mile

Qeveritë janë të djathta, opozitat të majta

Zërat February 25, 2017 - 11:16

Shkenca ka zbuluar se origjina e universit daton para 13. 5 miliardë vjetësh, formimi i Tokës para 4.56 miliardë vjetësh, fillesat e jetës në Tokë para 3.5 miliardë vjetësh dhe origjina e njerëzimit para 2 milionë vjetësh. A kanë ndonjë domethënie filozofike këto zbulime shkencore? A na thonë ato ndonjë gjë për debatet e mëdha të kohës sonë?

Mitingu i opozitës që vazhdon prej një jave na e sjell ndërmend se debatet e mëdha të kohës sonë janë ato ndërmjet sistemit dhe antisistemit, humanizmit dhe antihumanizmit, qeverisë dhe opozitës, të majtës dhe të djathtës, njerëzores dhe çnjerëzores. Në përpjekje për t’i përvijuar këto debate mund të dallojmë dy seri, termat e të cilave implikojnë njëri-tjetrin. Seria e parë ndjek linjën antihumanizëm, sistem, qeveri, e djathtë, njerëzor. Seria e dytë ndjek linjën humanizëm, antisistem, opozitë, e majtë, çnjerëzor. Me fjalë të tjera, antihumanizmi gjen shprehje te sistemi, te qeveria, te vlerat ideologjike të djathta dhe e merr njeriun seriozisht. Nga ana tjetër, humanizmi manifestohet te antisistemi, te opozita, te vlerat ideologjike të majta dhe e mbivlerëson kapacitetin e njeriut.

Por duhet thënë se lidhja e antihumanizmit me qeverinë dhe vlerat e djathta, sikundër lidhja e humanizmit me opozitën dhe vlerat e majta nuk është vetëm rasti shqiptar dhe as vetëm rasti i sotëm. Përkundrazi, bëhet fjalë për një fenomen që shpreh pozicionimin e forcave politike në demokraci – në regjimin ku ‘Zot’ është opinioni publik. Në demokracitë ekzistuese, që veprojnë në kuadrin e ‘shtetit të mirëqenies sociale’ (e shtetit që synon mirëqenie për të gjithë), qeveritë janë gjithmonë të djathta dhe opozitat gjithmonë të majta.

Thelbi është dallimi kategorik ndërmjet marrjes së pushtetit dhe mbajtjes së pushtetit. Ata që kërkojnë ta marrin pushtetin (opozita) shfaqen si humanistë, bëjnë premtime për të gjithë njerëzit, por të tilla që nuk mund të realizohen dot brenda sistemit. Nga ana tjetër, ata që kërkojnë ta mbajnë pushtetin (qeveria) shfaqen si antihumanistë, marrin vendime të kushtëzuara nga sistemi dhe zakonisht në favor të tij, por duke sakrifikuar interesat individualë dhe momentalë të shumë njerëzve. Opozitarët shfaqen si të ngrohtë, të ndjeshëm dhe revolucionarë; qeveritarët si të ftohtë, të pandjeshëm dhe konservatorë.

Sa i përket rastit shqiptar, të gjithë atyre që pretendojnë se ligjërimi opozitar nuk është i majtë dhe si argument përmendin premtimin për taksë të sheshtë 9% nga lideri Basha, iu duhet kujtuar që nga të ardhurat e kësaj takse minimale do të ndërtohen pafundësisht shumë spitale, shkolla, çerdhe, kopshte, rrugë, do të rriten ndjeshëm pagat, pensionet, investimet publike, asistenca sociale, do të hapen mijëra vende pune, me kushte të mira, siguri dhe përfitime të tjera. Në gjithë këtë ligjërim të majtë premtimi “djathtist” i taksës së sheshtë humbet si një pikë ujë në oqean.

Nga ana tjetër, të gjithë atyre që pretendojnë se qeveria Rama nuk është e djathtë dhe si argument përmendin taksën progresive, iu duhet kujtuar se masat ‘për të bërë shtet’ në fushën e energjisë dhe të administratës publike janë tipikisht konservatore, pra të djathta. Po ashtu konservatore janë edhe nisma të tjera për kontrollin dhe ndëshkimin e sjelljes njerëzore, si ato për lojërat e fatit, për ndalimin e pirjes së duhanit në ambiente publike, për forcimin e policisë së shtetit, për ashpërsimin e Kodit Penal etj.

Por le të kthehemi te zbulimet shkencore. Koha e njeriut, në krahasim me atë të universit, të planetit, apo edhe të jetës në Tokë, është krejtësisht e papërfillshme. Universi, planeti dhe jeta në Tokë ishin aty miliarda vjet para nesh. Mesazhi filozofik i këtyre zbulimeve është se kjo botë nuk është bërë nga njeriu dhe ajo nuk është bërë për njeriun. Ky mesazh karakterizon antihumanizmin si doktrinë. Përkundër tij, mesazhi humanist është se bota është bërë nga njeriu dhe për njeriun. Humanizmi beson te fuqia e njeriut për ta marrë në dorë fatin e vet, beson te qarku i shkurtër se për ta ndihmuar njeriun është e nevojshme ndërhyrja te vetë njeriu. Edhe antihumanizmi dëshiron ta ndihmojë njeriun. Por ai e zëvendëson ndërhyrjen te njeriu me ndërhyrjen në sistem, pasi vetëm duke përmirësuar sistemin mund të përmirësohen kushtet e jetës njerëzore.

Zbulimet shkencore i japin të drejtë antihumanizmit, duke i dëshmuar si naive besimet humaniste që ligjërojnë opozitat antisistemike të majta. Shkenca është më tepër në linjë me besimin e grekëve të lashtë, sipas të cilëve njeriu është lodër në duart e perëndive, se sa me besimin modern se njeriu është zot i fatit të vet. Në fakt grekët e lashtë e merrnin njeriun shumë herë më seriozisht se ne modernët. Pikërisht te kjo mungesë serioziteti karshi njeriut dhe kapacitetit të tij të kufizuar bazohen opozitat moderne dhe politikat e majta. Duke e mbivlerësuar njeriun, opozitat gjithherë të majta, thjesht i ofrojnë atij një shami humaniste për të fshirë lotët, ose i shesin një ëndërr antisistemike të parealizueshme, pa i zgjidhur asnjë hall.

Problemet, në fakt, mund të formulohen dhe zgjidhen vetëm përmes gjuhës antihumaniste të sistemit. Jo gjithmonë si duhet, jo gjithmonë në përfitim të shumicës, jo gjithmonë në interes të së tashmes. Pasi qeveria, në fund të fundit, edhe kur mëton të jetë qeveri ligjesh, përsëri mbetet qeveri njerëzish. Siç shkruan Thoreau, ‘qeveria më e mirë është ajo që qeveris më pak’./mapo.al/

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK