Zërat
Muhamet Bytyqi
Muhamet
Bytyqi

Shtypësit me kravata

Zërat February 24, 2017 - 12:55

Askush nuk qan kokën për gjendjen e rëndë të punëtorit sot në Kosovë. Madje as ata të cilët e kanë obligim ligjor e politik këtë punë. Pra, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, institucioni që me ligj e ka për obligim rregullimin e kësaj pjesë të rëndësishme të shoqërisë.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, punëtori është shfrytëzuar në mënyrën më bizare. I keq paguar, pa sigurim, i diskriminuar dhe i frikësuar në përditshmërinë e tij.

Në këtë shkrim do të përpiqem shkurtimisht që problemin e punëtorëve ta trajtoj në dy linja: në shtypjen që i bëhet punëtorit dhe shfrytëzimin e tij.

Pabarazia fillon që nga konkurset jo reale, kryesisht të montuara e deri te frika se mund ta humbasë punën. E humbja  e punës është fatale për një punëtor, në kushtet kur për një vend punë aplikojnë mbi një mijë persona. Por edhe me e keqja është  se shumica e familjeve nuk kanë më shumë se sa një të punësuar dhe humbja e punës së tij apo saj,  do të thotë vështirësim i ekzistencës për të gjithë familjen.

Nëse e shikojmë bazën ligjore,  Republika e Kosovës ka prodhuar shumë dokumente përgjatë viteve, por zbatimi ka qenë i ulët,  shumë herë i keqinterpretuar për punëtorin nga ana e kompanive e gjykatave të korruptuara, ka ekzistuar  një mungesë e madhe e vullnetit politik për ta atakuar biznesin e tyre apo të njerëzve të tyre në kontestet punëdhënës-punëtorë.

Shteti i Kosovës është shndërruar në një shtet jo human, shtet i të fortit që shtyp e shfrytëzon, - shumë hapur - atë më të dobëtin, punëtorin e paorganizuar.

Shkatërrimi i ekonomisë që kryesisht erdhi si rezultat i orientimit të gabuar ekonomik, privatizimit pa asnjë kriter dhe korrupsionit galopant ndërkombëtar-vendor, prodhoi një model që krijon shumë pabarazi, shumë ndarje, shumë shtypje e shumë dhunë.

Në vazhdim do t’i përmend vetëm tre  sektorë që e tregojnë këtë shfrytëzim e shtypje.

Punëtorët e sigurimit në Kosovë janë të keq paguar, të shfrytëzuar përmes orareve të gjata të punës dhe puna e tyre ushtrohet në kushte çnjerëzore. Shumë nga ne kemi rastisur të takojmë punëtorë sigurimi që fjalën e dytë pas përshëndetjes e kanë: “mbaruam, ftohtë, orari i gjatë e beso edhe rroga s’ka hiç, pak,  e nganjëherë edhe s’po i qesin me kohë, por me shty”. Kjo është deklarata që do të duhej të prekte ndërgjegjen fillimisht të Ministrit milioner e pastaj të gjithë neve.

Po, jo vetëm punëtorët e sigurimit e vuajnë këtë mjerim përditë. Një gjendje e ngjashme është edhe në kompanitë e mëdha, super marketet. Aty punojnë gra e vajza që kalojnë mbi 10 orë në këmbë. Paga e tyre në shumë raste nuk e kalon shifrën e 200 eurove. Një pjesë e madhe e tyre janë pa kontrata të rregullta, pa pushime të rregullta dhe pa sigurim.

Dhe kompania  e tretë që është objekt i trajtimit në këtë shkrim është “Ferronikeli” një korporatë që ngjalli shumë debat para privatizimit, gjatë privatizimit dhe pas privatizimit. Një punonjës aty derisa po bisedoja për kushtet tha: “ndotja është ekstreme, ka pasiguri, vonesa, e besa edhe ndërprerje punësh për interesat e kompanisë”. Fatkeqësisht, kjo situatë është në shumicën e kompanive, në shumicën e fabrikave e jo rrallë edhe në institucionet publike.

Gjendja e tillë e ka një përgjegjës. Përgjegjësi kryesor është Qeveria. Një Qeveri milionerësh që një pjesë të kompanive e ka në pronësi direkt e indirekt,  nuk është Qeveri për popullin, për punëtorët, por është  Qeveri e interesave të individëve e grupeve kriminale brenda saj.

Nga Isa Mustafa e deri te Besnik Berisha, nga Ramiz Kelmendi e deri te Arban Abrashi, janë njerëz që janë pasuruar e ngritur në kurrizin e punëtorëve e duke i shtypur e shfrytëzuar ata.

Pra,  kjo Qeveri dhe Qeveria e kaluar ajo e Hashim Thaçit kanë vetëm program të shitjes, shtypjes dhe shfrytëzimit. Njëjtë siç është kjo e Isa Mustafes e Ramizit Kelmendit, ishte ajo e Hashim Thaçit e Ramiz Kelmendit. Qeveri me mbiemrin e njëjtë, qeveri biznesi familjar e grupor. Edhe më shumë keq  qeveri e biznesit me Serbinë. Qeveri e tregtisë. Qeveri e importit nga shteti armik.

Kur e thashë në fillim pabarazia, çuditërisht m’u kujtua Hashim Thaçi, ai i cili e quan veten për president i cili së fundi doli të ketë punësuar gruan në një universitet publik,  jashtë procedurave ligjore me një konkurs të montuar i cili kishte ardhur pas një vizite personale që i kishte pak ditë para se gruaja e tij të marrë një vend pune aty. Thuajse s’ka ekonomist të tillë, por u dashka gruaja e të ashtuquajturit president,  e cila i ka marr tituj shkencorë,  pasi i është bërë burri Kryeministër dhe e cila nuk vjen fare nga  studimet themelore prej fushës së ekonomisë. Por nga fakulteti i bujqësisë. E sot ajo ne Universitetin Publik të Mitrovicës ligjëron lëndët Makro-Ekonomi dhe Biznes Ndërkombëtar!

Pra, me këtë Qeveri e këtë model që na jep i ashtuquajturi President, Kryeministri, Zëvendëskryeministri Ministri i Punës, Këshilltari etj. Nuk ka zhvillim, as mirëqenie as drejtësi, por vetëm shfrytëzim e shtypje.  

Këtij degradimi që i është bërë  vendit e për të cilin ka një pajtim të përgjithshëm, përjashto degraduesit, ne duhet t’i përgjigjemi me organizim, pra ne të pakënaqurit, të shtypurit, të nënçmuarit, të keq paguarit, të diskriminuarit, të mashtruarit,  me organizim për ndryshim. S’ka rrugë tjetër.

Për një model të ri që kujdeset për publiken e privaten, për drejtësinë e solidaritetin. Pa ato nuk ka kohezion në shoqëri, s’ka zhvillim dhe s’ka mirëqenie. Pa ato s’ka shtet!

Autori është Koordinator i Anëtarëve të Kuvendeve Komunale të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK