Zërat
Prof. dr. Zejnullah Gruda
Prof.
dr.
Zejnullah
Gruda

Është e pabesueshme se si bëhet fushatë për zhvlerësimin e hartave që neve na shkojnë në favor

Zërat February 23, 2017 - 11:59

Meqenëse këto ditë janë përmendur edhe disa gjeografë, dua ta citoj edhe Qazim Lleshin, i cili në një artikull kushtuar marrëdhënieve pronësore juridike të regjionit të Bjeshkëve të Nemuna dhe Dukagjinit shkruante se për kullosat e këtyre anëve konstatimi më i mirë që do t’i përgjigjej të sotmes është se ato janë pa pronarë, porse fshatarët vërtetojnë se pyjet dhe kullosat kanë qenë çdoherë të tyre dhe se i kanë shfrytëzuar pa pengesa prej se mbahet mend, kurse fshatarët e Rastavicës, afër Deçanit, tregonin se kullosat e tyre që gjinden në territorin e Malit të Zi (Komuna e Plavës) i kanë ble me ar në kohën e Turqisë, prej të cilëve 22 familje blegtorësh shfrytëzonin 500 ha që gjinden buzë kufirit me Shqipërinë.

Por ajo që meriton më së shumti të potencohet është pjesa ku Lleshi shkruan: “Pasuria iu është uzurpuar arbitrarisht (mendohet në fshatarët shqiptarë- vërejtja ime) në kohën e kolonizimit që zbatonte Jugosllavia e paraluftës, për ç’arsye pronarët kishin zhvilluar kontest dhjetëvjeçar në Gjykatën e Qarkut në Pejë, deri në kapitullimin e Jugosllavisë së vjetër.” Sipas tij: “Pas çlirimit pronat janë bërë e mirë e përgjithshme.

Mirëpo, siç vërtetojnë shfrytëzuesit e sotëm, qysh prej para pesë vitesh pronat janë prapë në pronësi të tyre të përhershme dhe për dallim nga shfrytëzuesit e tjerë të bjeshkës, ata nuk i paguajnë bashkësisë kurrfarë takse.” (Qazim Lleshi, Lëvizjet bashkëkohëse të bagëtisë (trans-humansa) në regjionin Alpin të Bjeshkëve të Nemuna dhe anasjelltas, Kërkime gjeografike 5, Prishtinë, 1984, f. 39-50).

Shikuar nga ky prizëm, është e pabesueshme se si bëhet fushatë për zhvlerësimin e hartave që neve na shkojnë në favor, në vend se ato të përdoren për argumentimin e pozicionit tonë dhe qysh parashihet me të drejtën ndërkombëtare.

17. Se të tjerët veprojnë ndryshe mjafton të dihet se si qeveria e Serbisë qysh nga fillimi i Luftës së Parë Botërore kishte filluar të mendojë për pjesëmarrjen e vet në Konferencën e Paqes dhe kishte filluar t’i konceptojë qëllimet e luftës dhe mbrojtjen e tyre para konferencës, për arsye se kërkesat territoriale të saj nënkuptonin ndërrimin e kufijve të deriatëhershëm. Për këtë arsye ishte rekomanduar “të mblidhen të dhënat me të cilat do të mbështeteshin kërkesat e Serbisë.” Kjo punë kishte filluar në vjeshtë të vitit 1914 dhe bëhej nga shkencëtarët e shquar serbë. Pra qysh atëherë, në fillim të Luftës, ishte propozuar që të fillohet me “përzgjedhjen dhe sistematizimin e të gjitha të dhënave që do të duhej t’u shërbenin delegatëve tonë (të Serbisë, vërejtja ime) në Konferencën e paqes”, kurse kryeministri i Serbisë iu kishte rekomanduar misioneve diplomatike t’i mbledhin të gjitha materialet që kanë të bëjnë me çështjen jugosllave e vetëm dhjetë ditë më pas kishte kërkuar raporte për të gjitha punët që shkencëtarët kishin përgatitur “për mbrojtjen dhe mbështetjen e interesave serbe dhe jugosllave.”

Për këtë qëllim Pashiqi kishte kërkuar më 18 janar 1918 nga koloneli Dushan Stefanoviq, që gjendej në Komandën supreme të aleatëve në Versajë, të përgatitë një memorandum “që ka të bëjë me kërkesat tona për kufijtë e ardhshëm të Jugosllavisë ose Serbisë së Madhe.” Gjatë vitit 1917, kjo punë ishte koncentruar në mbledhjen e të dhënave për ndarjet me shtetet fqinje, pra kujdesi më i madh i ishte kushtuar çështjes së kufijve. Këto materiale ishin dërguar në Paris, në fillim të shkurtit 1919, kurse publikimi i tyre kishte filluar në muajin mars. Në delegacionin e shtetit në Konferencë bënin pjesë 30 shkencëtarë të ndarë ne seksione: etnografik-historik, seksioni i së drejtës ndërkombëtare, seksioni ekonomik-financiar dhe komunikacionit etj.

Rezultat i kësaj pune ishin “hartat etnike”, “hartat etnografike”, “hartat e ortodoksisë” që përgatitnin Jovan Cvijiq, Stojan Novakoviq, Niko Zhupançiq, Stanoje Stanojeviq, Jovan Radoniq, Vasilije Gjuriq, Jefto Dedijer dhe Aleksandar Beliq, e që bëheshin jo vetëm në raport me shqiptarët, por edhe me bullgarët, rumunët, hungarezët dhe italianët dhe që duhej përdorur varësisht nga kriteri që i shkonte përshtati Serbisë që shprehej përmes insistimit herë për kufij etnografikë, herë për kufij gjeografikë, herë për kufij strategjikë, herë për kufij ekonomikë etj. Kështu, për ndarje me Rumaninë më së miri do të ishte të ketë kufi etnografikë, por në Banat duhej të kërkohej kufi strategjik; kufiri me Italinë midis Sllovenisë dhe Italisë kualifikohej si kufi etnografik dhe ndaj Austrisë, Italisë dhe Shqipërisë, sipas Pashiqit do të shkonte përgjatë Murës deri mbi Maribor, prej aty në perëndim përtej Celovcit dhe nga aty do të drejtohej nga jugu deri në detin Adriatik, e prej aty nëpër det deri te lumi Seman në Shqipëri, e më tej nëpër Seman deri te kufiri i atëhershëm. Vetëm për përkufizim me Bullgarinë Pashiqi propozonte si kërkesë minimale vijën ujëndarëse dhe vijën që përshkonte nëpër më se 21 kuota, dhe nëpër dy lumenj. (Djordje Dj. Stankovic, Nikola Pasic i Jugoslovensko pitanje (1) Beograd, 1985, str. 186-202; Lubinka Trgovcevic, Naucnici Srbije i stvaranje Jugosllavije, Beograd, 1986, str. 270-279; 285-324; Dr. Daut Bislimi, Propaganda pseudoshkencore-antishqiptare e Akademisë Serbe të Shkencave në fillim të Luftës së Parë Botërore. Libri: Instituti Albanologjik i Prishtinës, Shqiptarët në rrjedhat Ballkanike, Prishtinë, 1996, f.143-153). Fryt i këtyre ndarjeve ishte aneksimi i gjysmës së shqiptarëve nga Serbia dhe Mali i Zi, mosnjohja e boshnjakëve dhe tentimet për gjenocid mbi ta.

18. Fatkeqësisht, këtyre zhvillimeve negative iu kanë ndihmuar personalitete dhe delegacione në Konferencën e Paqes (1919) që manifestonin “simpatitë e tyre të sinqerta” për jugosllavët (serbët dhe malazezët), por edhe për grekët, duke iu ndihmuar të kontrabandonin synimet imperialiste. Kështu p.sh. gjeografi amerikan Daglas Xhonson dhe i tërë delegacioni amerikan në Konferencën e Paqes kishin shprehur dashamirësi, e në disa faza të Konferencës ishin bërë “mbrojtës të Mbretërisë SKS në konflikte rreth disa territoreve kontestuese.”

Se kjo nuk ishte diçka e jashtëzakonshme e pohon shprehimisht njëri ndër diplomatët më në zë të SHBA-së gjatë shekullit XX, Xhorxh F. Kenan. Kenan në një shkrim të tij, të botuar si parathënie për Raportin e Komisionit Ndërkombëtar mbi Hetimin e Shkaqeve dhe të Zhvillimit të Luftërave Ballkanike (Raporti i Vitit 1913 nga Carnegie Endowment) me rastin e tetëdhjetë vjetorit të Luftërave Ballkanike shkruante se “ … opinioni publik në Britani dhe në Amerikë, dhe sidomos opinioni liberal i cili kishte një vend të ndjeshëm në lëvizjet për paqe, dhe që për vite me radhë kishte shprehur një simpati të fortë, ngandonjëherë të ndyrë, për sllavët e Ballkanit (nënvizimi im Z.G.) në luftën e tyre për çlirim nga Turqia” (Raport i vitit 1913 nga Carnegie Endowment, Luftërat e tjera Ballkanike, Onufri, 1993, f. 6).

19. E fundit që kisha dashur të komentoj është arsyetimi i vijës së re me gjoja Planin e Ahtisarit, i cili për territorin e Kosovës kishte marrë ndarjen ekzistuese më 31 dhjetor të vitit 1988. Për mua këtu s’ka asgjë kontestuese. Ajo që dihet dhe që është e pakontestueshme është se Kushtetuta e vitit 1974 parashikonte se nuk do të mund të ketë ndryshime pa pëlqimin e kuvendeve të njësive federale të interesuara. Nga kjo del se prej vitit 1974 deri më 1988 nuk ka pasur ndryshim të kufijve. Atëherë mbetet kufiri nga viti 1959 kur Kosovës iu kanë bashkangjitur Leposaviqi dhe Leshaku. Para kësaj kufijtë e Kosovës ishin ato të vëna në vitin 1945 dhe Gjillasi e kishte vendosur në Çakorr. Të gjitha hartat e mëpastajme, duke përfshirë këtu edhe hartat e Malit të Zi, kufirin e kanë në Çakorr dhe Kullë.

20. Duke u bazuar në këto mund të konkludohet se kushdo që kërkon diçka tjetër do të na sjellë ne pozitë sikurse kanë qenë delegatët shqiptarë që donin t’i bënin thirrje Konferencës së Ambasadorëve kur thoshin se “nuk kërkonim favore, bile nuk guxonim të kërkonim as drejtësi të plotë”. Ata luteshin vetëm “për një fije drejtësi (for just a little justice)” si kusht për të evituar fatkeqësi më të mëdha.” Dhe kur Konferenca e Londrës shpalli vendimet e saj, gazeta “Përlindje e Shqypnisë” e quante këtë “një pikë gëzimi në mes të hidhërimit që ndjeu zemra e çdo shqiptari për Kosovë, Dibër e Çamëri, të cilat për ne përbëjnë më të madhen padrejtësi të kësaj kohe …

Sot Shqipëria pa Kosovën e pa Çamërinë gjendet posi njeriu të cilit i prenë krahët dhe këmbët. E megjithëkëtë i qesh buza pak se mundi e shpëtojë jetën; por i qesh më dhembje pa fund kur e sheh vetën aq të shëmtuar. Duhet, po duhet të ndiej Shqipëria pak, vërtetë fort pak gaz në zemër, sepse mundi të shpëtojë jetën në mes zjarrit që mori Ballkanin, edhe sepse gjithë punët na thonë se Shqipëria do rrojë, se shpresat për një kohë më të mirë duhen forcuar, jo humbur”. (Cituar sipas: Arben Puto, Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e fuqive të mëdha 1912-1914, Tiranë, 1978, f. 348; 431).

A nuk ka qenë mjaft me këto lojëra pa kufi në dëm të shqiptarëve? (Fund)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK