Zërat
Jeton Zulfaj
Jeton
Zulfaj

Kosova shënon ditëlindjen mes izolimit dhe nacionalizmit

Zërat February 21, 2017 - 12:38

Të premten, më 17 Shkurt, liderët e Kosovës ngrenë gotat për t’i festuar arritjet për nëntë vjet të Pavarësisë, por shumë qytetarë nuk ndanë gëzimin me ta.

Derisa në shumë fusha shtetësia e Kosovës është forcuar, pak ka ndryshuar jeta e qytetarëve të rëndomtë. Edhe pas nëntë vjetëve të pavarësisë kosovarët ende mbetën të mbyllur dhe në varfëri, ende e gjejnë veten të papunë, pa edukim dhe sigurim shëndetësor funksional e për më keq e gjejnë veten pa shpresë për të gjetur ndonjë punë së shpejti, kurse ata që janë të punësuar vështirë se barazohen në fund të muajit.

Të qenit vendi më pro amerikan dhe më pro evropian në tokë nuk i ka ndihmuar aspak kosovarët që të dalin nga agonia e izolimit dhe e papunësisë.

Dialogu që nuk funksionon

Kur më 2013-n Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, përkundër të metave që kishin marrëveshjet, kishte shpresë se rajoni më në fund po i zgjidhte çështjet e hapura dhe po ecte drejt integrimit në BE.

Edhe pse ka shumë vend për kritikë në lidhje me formatin e delegacionit dhe përmbajtjen e marrëveshjeve, dialogu është sukses. Kjo sepse dialogu jo vetëm që solli palët në tavolinë, por mundësoi arritjen e shumë marrëveshjeve të rëndësishme të cilat nuk mendoheshin që mund të arriheshin.

Por puna e mirë e bërë në këto gjashtë vjet në Bruksel është vënë në rrezik kohëve të fundit. Serbia kaloi kufijtë kur vendosi që të dërgojë një tren nacionalist, të dhuruar nga Rusia, në Kosovë dhe ndërtoi një mur në qytetin, tashmë të ndarë të Mitrovicës, duke provokuar kështu tensione të panevojshme.

Në Kosovë këto lëvizje u gjykuan si tendencë ose për të rritur pazarin në Bruksel për të kërkuar koncesione të tjera në dëm të Kosovës apo si parapërgatitje për aneksimin e Mitrovicës së Veriut.

Edhe treni, edhe muri ngrenë pyetje të pashmangshme lidhur me funksionimin e dialogut në Bruksel dhe me kapacitetin e BE-së për të dhënë rezultate. 

Pritshmëria edhe ashtu ishte e ulët. BE-ja filloi dialogun më 2011-n nën dyshime të mëdha nga të dyja palët, Kosova dhe Serbia, se ajo kishte kapacitete për të dhënë rezultate pa ndërmjetësimin e Amerikës për palën e Kosovës apo të Rusisë për palën serbe.

Deri më tani BE-ja ka dëshmuar se është aktor me ndikim, por lëvizjet e fundit vënë në pikëpyetje kapacitetin e saj për të vepruar. Për ta rritur besimin, BE-ja duhet të dëshmojë se veprimet armiqësore nuk do të tolerohen duke drejtuar gishtin tek problemi dhe kah palët dhe duke shtuar termat e kushtëzimit për integrim.

BE-ja nuk është aktori i vetëm

Në rastin e Serbisë, e cila vazhdon ta mbajë derën me Rusinë të hapur, kushtëzimi i rëndë mund të dështojë, por BE-ja nuk mund të dorëzohet para shantazheve dhe premtimeve boshe.

Serbia tashmë është duke udhëhequr një diskurs rus përderisa vazhdon negociatat për anëtarësim në BE. Në një vizitë treditore në Moskë, në tetor të vitit 2015, kryeministri serb, Aleksandar Vuciq, kërkoi nga Rusia riarmatimin e Serbisë me standarde ruse, në një marrëveshje me vlerë prej 4.6 miliardë eurosh. Rusia gjithashtu përdori veton për të bllokuar Rezolutën e Mbretërisë së Bashkuar që bënte thirrje për të quajtur masakrën e Srebrenicës si “gjenocid”.

Që nga 2013-a Serbia ka marrëveshje për partneritet strategjik me Rusinë për bashkëpunim politik dhe ekonomik, duke përfshirë edhe koordinimin në organizata ndërkombëtare.

Serbia ishte vendi i vetëm kandidat i BE-së, e cila dështoi që t’i përkrahë sanksionet dhe abstenoi prej deklaratës së OKB-së për dënimin e aneksimit të Krimesë nga Rusia.

Disa muaj pasi Putini aneksoi Krimenë, Serbia organizoi pritje spektakolare për Putinin me një paradë ushtarake për nder të tij.

Të gjitha këto veprime kanë kaluar pa u vërejtur nga BE-ja

Është koha që të pauzojmë për një moment dhe të pyesim nëse një vend mund të ndjekë të dyja agjendat, atë të BE-së dhe ruse?

Një gjë është e sigurt. Serbia nuk mund të tolerohet që të ndjekë edhe agjendën ruse, edhe atë të BE-së dhe BE-ja duhet të ndalë politikën e saj “E di, por ende ka kohë” ndaj Serbisë nëse do që rajoni të jetë normal.

Kthimi në nacionalizëm

Kur dialogu dhe diplomacia dështojnë, popullistët ngrihen. Eshtë dashur një tren me simbole nacionaliste për të nxitur retorikën nacionaliste në Kosovë dhe Serbi.

Ish-kryeministri i Kosovës, tash president, Hashim Thaçi, u përfshi në fjalime të panevojshme nacionaliste. Thaçi, i cili është duke fuqizuar pozitën e presidentit në stilin e Erdoganit, duke eklipsuar pozitën e kryeministrit, vazhdon të mbiluajë rolin ceremonial të presidentit duke kaluar shpesh kompetencat.

Në këtë diskurs nacionalit u angazhua edhe opozita, duke fajësuar dialogun me BE-në dhe duke bërë thirrje për forca të armatosura.

Në Serbi presidenti, Tomislav Nikoliq, shkoi aq larg sa tha se “nëse ka nevojë, djemtë e mi dhe unë do të marrim pjesë në luftë”.  Retorikë e njëjtë u dëgjua edhe nga kryeministri i Serbisë, Vuciq.

Madje edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka shpeshtuar vizitat e tij në Kosovë kohëve të fundit, u fut në debatin absurd të lojës me fjalë se kush është më i fuqishëm.

Kjo është e papranueshme. Brukseli duhet t’i thërrasë palët që të ndalojnë këtë retorikë dhe kërcënimet dhe të fokusohen në agjendën e zhvillimit ekonomik dhe atë  të kohezionit social.

Shtatëdhjetë e tre për qind e qytetarëve në Serbi u deklaruan se nuk do të merrnin pjesë në luftë në Kosovë në një studim të bërë nga Qendra për Politikën e Sigurisë në Beograd.

Pothuajse një e treta e qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës kanë lëshuar vendin në kërkim të shpresës dhe mundësisë përderisa Shqipëria e Edi Ramës vazhdon të prodhojë marihuanë në sasi të mëdha, ndërsa Kosova e Thaçit është zhytur në korrupsion.

Nacionalizmi është vetëm në kokat e një elite të korruptuar

Qytetarët thërrasin për paqe dhe mundësi. Kjo është arsyeja pse BE-ja duhet të punojë që t’i afrojë qytetarët më afër BE-së, duke fuqizuar liberalët, duke u distancuar nga nacionalistët dhe duke zbuluar liderët e korruptuar të cilët i pengojnë reformat dhe minojnë progresin.  (Autori është diplomuar në Universitetin Lund në Suedi me master në çështje evropiane.)

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK