Zërat
Mero Baze
Mero
Baze

Protesta si një përgjërim i Lulzim Bashës ndaj Ilir Metës

Zërat February 20, 2017 - 10:11

Ka së paku tre elementë që e bëjnë të pazakontë protestën e sotme. E para, është koha katër muaj para ditës së zgjedhjeve. Katër muaj para zgjedhjeve mund të pranosh ta quash protestën si miting çelës i fushatës elektorale, por jo si fillim protestash për të rrëzuar qeverinë. E dyta, është qëllimi “për qeveri teknike”, i cili bëhet qesharak, po të mendosh që vetë Berisha nuk bëri qeveri teknike as kur i kishin ngelur dy muaj nga zgjedhjet më 2013-ën, pasi i iku nga koalicioni LSI-ja. Dhe e treta, është forma që tenton për të qëndruar në rrugë me çadra. Ngritja e çadrës dhe përpjekja për të mbajtur një grusht njerëzish para godinës qeveritare, vetëm sa identifikon hallin e PD-së dhe motivon elektoratin mbështetës të PS-së, të radikalizohet dhe të harrojë qejfmbetjet nga pushteti.

Si e tillë, “e pazakonta” e protestës së PD-së, duhet kërkuar tek problemi më i rëndësishëm që ka kryetari i PD-së me këtë protestë, aleancën e tij me LSI-në, që nisi të feksë tek periudha e miratimit të reformës në drejtësi.

Ka një konspiracion rreth rolit të LSI-së në këtë histori, që duket teprim. Por ajo që duket e vërtetë është se Lulzim Basha ka nevojë t’ia dëshmojë Ilir Metës dhe LSI-së se ai nuk është defaktorizuar dhe se vlen të bëhet aleancë me të. Prej pranverës së vitit të shkuar, kur Basha filloi rezistencën kundër reformës në drejtësi dhe Ilir Meta dhe LSI-ja e përfshinë hallin e tyre në proces, duke u bërë “garantë” të konsensusit, ka ekzistuar gjithnjë perceptimi se bashkëpunimi i tyre do të kurorëzohet me aleancë politike. Që LSI-ja të bëjë aleancë me PD-në është tërësisht legjitime dhe nuk ka nevojë t’i marrë dorën askujt. Por problemi është se LSI-ja nuk shkon deri tani me PD-në, pasi i duket e dobët dhe fundoset bashkë me të.

Tani që reforma në drejtësi filloi të zbatohet dhe PD-ja refuzon procesin e Vettingut, ka sërish disa pika të përbashkëta në qëndrimin politik me LSI-në, sidomos lidhur me rolin e ndërkombëtarëve. Shpresa se ky proces mund të ndalet me ndryshimin e pushtetit është e vetmja shpresë që ka PD-ja. Dhe që kjo të realizohet Lulzim Basha duhet të japë prova para LSI-së që është ende i gjallë.

Për këtë arsye, e pazakonta e protestës së sotme është kjo. Ndërsa çdo protestë bëhet që t’ia mbushë mendjen opinionit publik që opozita është e fortë, protesta e sotme ishte një përpjekje për t’ia mbushur mendjen LSI-së se ia vlen të bashkohet me ta. Fjalimet në protestë kundër ndërkombëtarëve, “betimi” i Lulit se nuk do të shkojë në zgjedhje pa qeveri teknike, dhe në fund vendimi për të qëndruar në rrugë, janë një mekanizëm i stisur, me qëllim që Basha t’ia mbushë mendjen LSI-së dhe Ilir Metës se ata duhet të bëhen bashkë.

Është e vetmja betejë opozitare në këtë vend, e cila nuk i drejtohet shoqërisë, por një partneri politik për besnikëri dhe lojalitet. Është e vetmja protestë e cila nuk synon ta përmbysë pushtetin, por ta shkëmbejë atë me një prej aktorëve të tij. Është e vetmja protestë që nuk kërkon vënien e drejtësisë në vend, por të kundërtën, dështimin e përpjekjeve për të rivendosur atë. Është një përgjërim i Lulzim Bashës ndaj Ilir Metës. Dhe është në kufijtë e qesharakes.

I gjithë shtypi i PD-së po flet për një vendim pa kthim të Bashës, me idenë që Basha, nëse nuk ia mbush mendjen Ilir Metës, të mos hyjë në zgjedhje. Është në një farë mënyre një skenë e trishtuar dashurie, deri në depresion, ku Lulzim Basha ngjan si një dashnor i tradhtuar, dhe ka hipur majë një vinçi nga ku thotë “do ta vras veten po nuk më do më Ilir Meta”. Betimi i tij për të qëndruar në shesh, derisa Ilir Meta të flasë për nevojën e konsensusit, është një bast i fortë, dhe i rrezikshëm për të njëkohësisht.

Katër muaj para zgjedhjeve, ka kohë vetëm për t’u bërë gati për zgjedhje, dhe e vetmja dritë shprese vjen nga zgjedhjet. Por në një shesh ku janë ulur këmbëkryq Sali Berisha, Fatmir Mediu, Lulzim Basha, Dashi i Havasë, Grida dhe Flamur Noka, shqiptarët mund të shikojnë dendësinë e krimit, korrupsionit, prostitucionit dhe njerëzve ordinerë, më të lartë për metër katror, por jo ndonjë dritë shprese.

E vetmja dritë shprese që kërkon opozita është të nisë një betejë force, që të bindë Ilir Metën dhe LSI-në që ia vlen të bashkohet me ta, pasi ata janë ende gjallë. Për fat, ata po protestojnë poshtë dritares së zyrës së Ili Metës dhe ai ka kohë të mendohet, duke i parë si sillen në çadër. Ai është legjitim në çdo vendim që mund të marrë, duke vështruar çadrën. Është në punën e tij dhe duhet të ndjehet shumë i nderuar nga gjithë ky përgjërim kombëtar i PD-së për të. Të tjerët të vazhdojnë punë sa të mbarojë kjo romancë, se janë zgjedhjet para. (Gazeta Tema)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK