Zërat
Bekim Bajrami
Bekim
Bajrami

Çfarë po ndodh me industrinë e sigurimeve?!

Zërat February 15, 2017 - 12:44

Në fundvitin që lamë pas, një prej kompanive të sigurimit me renome botërore “Grawe” (Grazer Wechselseitige Versicherung AG) mbajti kuvendin e bordit dhe vendosi që të ndërmarrë hapin e parë për “largim” nga fusha e veprimit në Kosovë, pasi që dha urdhrin që të mos pranohet asnjë klient i ri në Kosovë.

Kompania siguruese “Grawe”, e licencuar në autoritetin mbikëqyrës për sigurime, BQK, me numër licence 02 për sigurim jete, kishte një aktivitet jashtëzakonisht të mirë dhe si pjesë të saj solli edhe kompaninë brokere “Safe Life” dhe, edhe kjo u licencua për shitje direkte të policave të sigurimit të jetës, duke shitur për “Grawe” hiç më pak se 1231 polica të sigurimit të jetës, ku polica me primin (pagesën më të ulët) ka koston 250€ vjetore dhe ajo më e larta ka pagesën 3000€ vjetore.

Mesatarja e një pagese sipas statistikave del të jetë 600€ pagesë vjetore për policë të sigurimit të jetës, që në përllogaritje në katër vjet të punës së saj “Grawe” ka arkëtuar hiç më pak se 2,954 milionë euro, sa e gjithë garancia bankare, dhe si për çudi kjo kompani po largohet nga Kosova. Ndërsa po e njëjta kompani vepron në gjithë regjionin dhe përveçse zhvillon aktivitetin normal të punës atje ajo edhe investon shuma marramendëse në ato shtete, p.sh. në Beograd investon 10.000.000€ , në Shkup po ashtu një shifër e përafërt me atë të Beogradit.

Së fundi, në Mal të Zi “Grawe” bleu edhe kompaninë e sigurimit “Merkur International Holding”. Kjo është konfirmuar nga “Grawe”.

Vetëm një transaksion është hyrja nëpër ndërmjetësin CG dhe 19.000 aksionet e sigurimit “Merkur” janë paguar në një çmim mesatar prej rreth 73,15 eurosh.

“Grawe” është e licencuar në Mal të Zi, më 23 shtator 2004. Ajo është në pronësi nga kompania austriake e sigurimeve “Grawe” (Grazer Wechselseitige Versicherung AG) me qendër në Grac dhe ka një histori prej 180 vjetësh në sigurime

Bilanci në fund të vitit 2015 i sigurimit “Grawe” arriti në 34,661,470 euro, një fitim bruto prej 1,601,213 eurosh.

Ndërsa, sa i përket kompanive të sigurimit të cilat operojnë në Kosovë kanë humbje marramendëse, përderisa bankat dhe institucionet mikrofinanciare po arrijnë të fitojnë shuma të konsiderueshme të parave, në anën tjetër kompanitë e sigurimeve sivjet duke u bazuar në raporte zyrtare të BQK-së shihet se po punojnë me humbje. Nga fillimi i viti e deri më tash humbja e kompanive të sigurimeve në Kosovë ka arritur në 12,1 milionë euro e derisa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak shuma e mjeteve që të gjitha kompanitë së bashku e kishin humbur ishte 3,1 milionë euro.

Sipas të dhënave të BQK-së, shihet se për dhjetë muaj kompanitë e sigurimeve kanë pasur të hyra prej 54,7 milionë eurosh, derisa gjatë kësaj periudhe kohore dëmet e ndodhura ishin 43,3 milionë euro dhe shpenzimet operative 32,5 milionë euro. E në periudhën e njëjtë të vitit paraprak të hyrat e kompanive ishin 54,1 milionë euro, derisa dëmet e ndodhura ishin 29,8 milionë euro dhe shpenzimet operative 27,4 milionë euro.

Pra, në total kemi ngritje të dëmeve e që në këtë vit dëmi është më i lartë për 13,5 milionë euro sesa në vitin paraprak dhe si pasojë e këtij niveli kaq të lartë të dëmeve janë rritur edhe shpenzimet administrative.

Dhe me të drejtë shtrohet pyetja: Çka po ndodh me këtë industri të sigurimeve? Pse po largohen kompani sikur “Grawe”? A ka brenda kompanive vendore njerëz që dinë ta vlerësojnë rrezikun, ta bëjnë dallimin nga rreziku në hazard dhe hazardin ta ndajnë në: hazardi fizik, hazardi moral dhe morali hazard?

Sepse po të kishin parasysh dëmin dhe po të ndërmerrnin masa me kohë për ta ndarë rrezikun, për ta definuar hazardin, dëmi do të ishte dukshëm më i vogël në raste dhe në volum e si pasojë e zvogëlimit të dëmeve do të kishin humbje më të vogël.

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK