Faktorė tė shumtė pengojnė aktivizimin e grave nė tregun e punės!

0

SHPËRNDARJE

14 February 2017 • 13:40

Me papunësinë që sillet rreth 30-35%, Kosova konsiderohet si njëra nga shtetet më të varfra në Evropë. Në këtë përqindje hyn edhe përqindja e lartë e papunësisë tek gratë, që për arsye të shumë faktorëve nuk kërkojnë punë.

Përqindja e lartë e papunësisë tek gratë dhe koha e gjatë e kaluar si të papuna, në përgjithësi i atribuohet perceptimit se gratë kanë përgjegjësi ndaj familjes dhe punëve në shtëpi.

Prej vitit 2010 gratë çdo vit e më pak janë aktive në tregun e punës. Në vitin 2010 rreth 25% të grave aktive kërkonin punë, ndërsa në vitin 2016 ajo shënoi rënie në 12.5%, që është mjaft alarmante. Gratë  vazhdojnë që të mos marrin pjesën e trashëgimisë dhe mos të kenë prona, duke kontribuar në varësinë e tyre financiare.

Kjo mospavarësi e tyre për të realizuar të  drejtat në shumë aspekte të jetës, reflekton  përveç tjerash edhe në mosaktivizimin e tyre në tregun e punës.

Gjithashtu pushimi i lehonisë shihet edhe si pengesë që një numër i lartë i grave, të mos pranohen në punë, për shkak të obligimeve të larta financiare nga ana e bizneseve.

Shoqëria kosovare është e ekspozuar ndaj patriarkalizmit dhe gjendet në rrënjët e shoqërisë ku shfaqet në disa forma të saj duke pamundësuar zhvillimin shoqëror dhe zhvillimin kulturor të saj.

Gratë të cilat janë të papuna dhe nuk kërkojnë punë, shënojnë 82,6%. Ndër arsyet e shumta  që gratë janë joaktive  është  ajo që gratë duhet të përkujdesen për fëmijët dhe të moshuarit e familjes.

Në një sondazh të realizuar tash vonë nga Instituti D4D, kur janë pyetur gratë nëse do duhet të punojnë apo të kujdesen për familjen, mbi 53,2% zgjedhin që të kujdesen për familjen.

Ka edhe shumë faktorë tjerë që çojnë në këtë realitetit si fakti që në familje patriarkale atyre nuk iu jepet përparësi që të shkollohen nëse ekziston zgjidhja në mes saj dhe burrave të shtëpisë.

Ekziston një shabllon kulturor që edhe nëse një grua është e shkolluar dhe përmbush kushtet e paracaktuara për të marrë atë punë, konsiderohet e paaftë për të marrë atë pozitë pune, ose nuk përzgjidhet për shkak të mundësisë për të shfrytëzuar pushimin e lehonisë. Gratë në këtë cikël të patriarkalizmit vazhdojnë edhe vetë të përjetësojnë disa prej stereotipive që shoqëria ka për to. 

Tregu i punës në Kosovë nuk jep shumë mundësi punësimi dhe numri i vendeve të punës është mjaft i ulët. Duke mos pasur mundësi punësimi kërkesa për punë e grave për ato pak pozita të cilat janë të hapura është e ulët.

Paragjykimi që nuk ka mundësi punësimi dhe faktet e papunësisë janë raportuar ndër faktorët tjerë kryesorë për mosaktivizimin  grave në tregun e punës. 2/3 e fuqisë punëtore në Kosovë, që është e papunë, janë gra dhe kjo forcë e mosshfrytëzuar reflekton në zhvillimin ekonomik të vendit. Kjo shifër e lartë jo vetëm që është alarmuese por edhe një barrë për shoqërinë.

Po ashtu, deklaratat që gratë nuk janë të përgatitura profesionalisht nuk qëndron për shkak se 2/3 e grave e kanë të përfunduar shkollimin e mesëm gjatë viteve të ‘90-ta. Por për shkak të qëndrimit të gjatë jashtë proceseve të punësimit këto gra kanë nevojë për trajnime dhe edukim profesional për t’u punësuar.

Por pa pasur një strategji të mirëfilltë për 10 vjetët e ardhshme se ku do të fokusohet ekonomia e Kosovës, është e pamundshme të trajnohen dhe të edukohen ky grup i personave që janë të papunë. Strategjitë të cilat do t’i hartojë Qeveria e Kosovës dhe ligjet që do të amendamentohen, do të mund të çojnë  edhe në aktivizimin e grave.

Anë tjetër shihet edhe ndërmarrësia si mënyrë e vetëpunësimit por pa pasur kushte të mirëfillta për zhvillimin e atij biznesi, gratë nuk marrin iniciativë për krijimin e vendeve të reja të punës.

Diskriminimi në procesin e punësimit si një ndër faktorët e mosaktivizimit të tyre në tregun e punës nuk është e shprehur në mënyrë të drejtpërdrejtë. Megjithatë tërthorazi kjo krijon parakushte në mospunësimin e tyre. Shumica e konkurseve në institucionet publike dhe atyre të kompanive private në fillim të hapjes së këtij konkursi përdorin gjuhë diskriminuese me bazë gjinore.

Nëse kemi të bëjmë me një konkurs ku kërkohet një asistent/e administrative përdoren terma diskriminues si asistente administrative që të jetë e bukur dhe efikase, duke përjetësuar stereotipet për rolin e grave,  kjo automatikisht duke mos marrë parasysh aftësinë që gratë mund të kenë.

Kjo vazhdon të shprehet se në pozitat më të larta apo menaxhuese kërkohen burrat dhe jo gratë, për shkak se ato nuk janë të gatshme të “tregojnë muskujt” për të arritur diçka.

Ky diskriminim me bazë gjinore vazhdon dhe theksohet edhe në komisionet përzgjedhëse të individëve, ku komisionet zakonisht përbëhen nga burrat që zgjedhin burra për pozita të caktuara të punës. Praktikisht një grua e re i ka gjasat shumë më të ulëta të punësohet sesa një burrë. Për shkak se mundësia që ajo të mbesë shtatzënë dhe të marrë pushimin e lehonisë konsiderohet si humbje e biznesit dhe se asaj gruaje duhet t’i paguhet një pjesë e pagës gjatë kohës së lehonisë.

Ndodh që shumë shpesh grave të iu ofrohen kontrata më të shkurta, mesatarisht maksimumi për një vit, për të mënjanuar mundësitë e pagesës së pushimit të lehonisë. Prandaj edhe Ligji i Punës, i cili është në ridraftim, duhet të krijojë lehtësira për bizneset dhe po ashtu duhet të rikonsiderojë mënyrën sesi financohet pushimi i lehonisë.

Në Kosovë është e nevojshme një teori autonome feministe që t’i adresojë çështjet gjinore dhe mosaktivizimin e grave në treg të punës. Detyrë parësore e kësaj teorie është që të nënkuptohet që të drejtat e grave janë të drejta të njeriut.

Si e tillë kjo teori do të zgjidhte mentalitetin i cili qëndron në shoqërinë tonë. Duhet po ashtu të nënkuptohet që patriarkalizmi të mos jetë mbi ligjin.

Në fund të fundit, pabarazia gjinore nuk është vetëm çështje e barazisë, por edhe faktori kryesor që e mban Kosovën të paarsimuar dhe të pazhvilluar, andaj aktivizimi i tyre në fuqinë punëtore është në interes të zhvillimit të shoqërisë. 

Komentet

comments powered by Disqus