Zërat
Fitim Krasniqi
Fitim
Krasniqi

UP-ja dhe rruga drejt cilësisë

Zërat February 14, 2017 - 13:36

Jo rrallë herë na bie të dëgjojmë dhe të lexojmë për universitetin më të madh publik në Kosovë, “Hasan Prishtinën”. Shpeshtësia e shtjellimit të gjendjes së UP-së është tregues i besueshëm i përmasave dhe natyrës së problemeve që e karakterizojnë atë.

Në mënyrë që problemet apo çështjet e hapura të zgjidhen në mënyrë të qëndrueshme, pikënisja duhet të jetë gjetja e rrënjës së problemeve. Që UP-ja është prapa me vite të tëra, kjo nuk ka nevojë të përsëritet pasi duket se është përvetësuar edhe nga publiku i gjerë e që mund të konfirmohet empirikisht duke shfletuar cilëndo renditje të universiteteve botërore.

Filozofia e arsimit, sistemi i arsimit parauniversitar, mungesa e hulumtimeve, përqendrimi në mësimdhënie, punësimi në shumë institucione janë disa nga problemet që rendojnë UP-në. Nga kjo nuk varen vetëm interesat e atyre që punojnë apo studiojnë në UP, mirëpo varet fati i gjeneratave të sotit e gjeneratave që do vijnë.

Në të gjithë botën, arsimi i lartë është kthyer në qendër të vëmendjes pikërisht për shkak të potencialit për zhvillim ekonomik, shoqëror, e politik ndërsa tek ne rrezikon të mbetet vatër e anomalive shoqërore e politike si nepotizmi, klane të ndryshme, instrumentalizimi i studentëve, riprodhimi i injorancës, e kështu me radhë.

Kur diskutohet UP-ja, një faktor që duhet të trajtohet është rrethi shoqëror dhe arsimor, pjesë dhe prodhim i së cilës është edhe UP-ja. Në Kosovë, në shkollë (mendo shkollimin parauniversitar) vlerësohet kryesisht aftësia e nxënësve për të recituar ato që gjenden në libër. Recitimi jo që ka ndonjë qëllim estetik, i cili shikuar nga këndvështrimi ontologjik nuk është se nuk ka të mira, mirëpo është kryesisht një mjet për të parë se sa janë në gjendje nxënësit të mbajnë mend përmbajte nga libra të ndryshëm.

E gjithë kjo përpjekje bëhet nën supozimin se nëse nxënësit janë në gjendje ta bëjnë këtë atëherë janë mirë të përgatitur për jetë, shkollim të mëtutjeshëm e kështu me radhë. Kjo nuk është kryekëput gabim, ideja themelore është që duke përvetësuar njohuri dhe shkathtësi përgatitemi për jetë si në pikëpamje arsimore, ekonomike, politike e kështu me radhë. Mbajtja në mend e përmbajtjeve të librave është mënyrë jo e duhur për të.  

Mirëpo, çka mungon në këtë pjesë është shkëputja e dy përbërësve të cilët nuk janë kuptimplotë nëse i ndajmë, domethënë janë kuptimplotë vetëm si tërësi: Parimisht, të njohurit (në kuptimin e dijës) duhet të pasqyrohet në të qenë (në kuptimin e ekzistencës), këto nuk duhet të ekzistojnë ndarazi brenda individit. Një nxënës shkolle nuk mund të mburret për nivel të lartë emancipimi e në të njëjtën kohë ta përdorë atë si mjet për të inferiorizuar të tjerët për mungesë të tij, si p.sh. përmes veprimeve ndasore.

Kjo ndarje sjell probleme të mëdha edhe në akademi, ku mungon mishërimi i asaj që promovohet duke krijuar kundërthënie të dorës së parë. Profesorët të cilët kërkojnë nga studentët punë kërkimore të një cilësie të pranueshme, nuk kanë bazë morale të gjykojnë punën e studentëve nëse vetë nuk krijojnë apo ndërveprojnë me diçka të tillë.

Duke marrë parasysh përgatitjen e dobët në shkollimin paraprak (para-universitar), UP-ja duhet të tejkalojë këtë problem, duke rrënjosur shkathtësi të mendimit kritik tek studentët e për më tepër duhet të jetë shembull i punës parimore. Në kohë të globalizmit, informacioni rrjedh aq shpejt dhe në sasi aq të mëdha saqë është e pamundur t’i përvetësojmë të gjitha.

Dija nuk mund të shihet më si një objekt që kalohet nga një person në tjetrin. Më shumë se fakte boshe që cicërohen në salla të stërmbushura, studentëve në Kosovë u duhen shkathtësi të mendimit të lirë. Kur them të lirë, nuk mendoj të mendosh çfarë ta dojë qejfi mirëpo mendim që i tejkalon pengesat shoqërore, politike e ekonomike; shkathtësi të mendimit që u mundësojnë të ndihmojnë në përmirësimin e ecurive demokratike në vend e në krijimin e vendeve të punës, e kështu me radhë. Këto shkathtësi nuk u duhen për arsye estetike, mirëpo gjendja në Kosovë është e atij lloji që e tashmja dhe e ardhmja jonë si shoqëri varet nga kjo.

Andaj stafi akademik duhet të mishërojë (të vërehet në jetë të përditshme me studentë, me profesorë tjerë, me staf të administratës) atë që dëshiron dhe kërkon nga studentët. Kështu vjen në shprehje thënia e Freire i cili shprehet: “Kur një fjale i hiqet dimensioni i veprimit, reflektimi me patjetër vuan gjithashtu; fjala shndërrohet në një llaf të cekët, në verbalizëm, në një blla të tjetërsuar dhe tjetërsues. Bëhet fjalë boshe, nuk mund ta dënojë [të keqën] sepse dënimi është i pamundur pa përkushtim për transformim, dhe nuk mund të ketë transformim pa veprim” (2013, f.157).

Në njërën anë këtu ndikon mungesa e përfshirjes së stafit akademik në hulumtime shkencore, ku Kosova renditet në vendin e fundit në rajon për nga numri i hulumtimeve shkencore (RTK, 2016). Krahas kësaj stafi akademik në Kosovë duhet ta kuptoj se pothuaj një e treta e punës së tyre duhet të përqendrohet në hulumtime shkencore.

Ekonomia botërore po shkon çdo ditë e më shumë kah ekonomia e bazuar në njohuri.  Nëse stafi akademik synon që të ndihmojë sadopak në krijim të cilësisë në arsimin parauniversitar, angazhimi në hulumtime është hapi i parë që duhet marrë. Kjo mund të ndihmohet nga rektorati përmes kontratave të punës. Në kontrata të stafit akademik të saktësohet numri i orëve që duhet t’u përkushtohet hulumtimeve, mësimdhënies (ligjëratave), dhe shërbimeve në komisione, konsultime, e tjera.

Në këtë mënyrë, në procedura për ngritje në detyrë mos të ketë hapësirë për keqpërdorime dhe të përfitojnë vetëm ata/ato që dëshmojnë respektimin e plotë të kontratave të punës. Avancimet e stafit akademik të bëhen vetëm në mënyrë të paanshme në bazë të meritave. Nëse stafi akademik nuk është në gjendje të kalojë një kriter minimal për ngritje në detyrë, si mund të kërkojnë llogaridhënie nga studentët e tyre për punë cilësore?

Problemi i natyrës së kontratave të punës përbën një problem tjetër ku stafi akademik mban nga dy tre vende pune. Kur kontratat e punës përbëhen vetëm nga mbajtja e “ligjëratave”, të cilat pos që japin ndjenjën e rreme që je në një institucion arsimor/shkencor, tjetër funksion apo qëllim vështirë se kryejnë, atëherë nuk është e paimagjinueshme për stafin të gjejë dy tre vende pune ku thonë të njëjtat gjëra e nuk punohet në krijim të njohurive të reja.

Kështu krijohen së paku dy probleme madhore: (1) ecuritë për shtjellim të mirëfilltë të materialit nuk mund të ndiqen nëse numrat e studentëve i tejkalojnë kufijtë e arsyeshëm; (2) kjo pastaj sjell fenomenin e të mësuarit përmes “skripteve”. Këto ligjërata nuk janë aspak efektive nëse nuk ka kohë për krijimin e hapësirave që lejojnë ndërveprime të mjaftueshme në mënyrë që studentët të krijojnë domethënie nga ligjëratat apo materialet e tjera.  

Për fund, çdo përpjekje serioze për të ngritur cilësinë e studimeve dhe punës kërkimore në UP duhet të paktën të ketë parasysh rikonceptualizimin e filozofisë së arsimit në Kosovë, ndikimin e kësaj tek studentët dhe stafi i UP-së, ndryshimi i natyrës së kontratave të punës për stafin akademik duke përfshirë hulumtimin si pjesë po aq e rëndësishme sa edhe vetë mësimdhënia/ligjërimi, shqyrtimin e zbatimit të kontratave të punës me theks të veçantë normën e punës, të zhvlerësohen kontratat ku ka shkelje ose përmes anulimit ose ndryshimit në kontrata me gjysmë normë. Këto zgjidhje nuk janë aspak popullore, madje mund të shihen edhe si kundërthënëse ngase normalja e përvetësuar në dhe rreth UP-së është e një standardi jo të mirëfilltë dhe kështu zgjidhja e vetme mbetet veprimi jonormal.

Prandaj, stafi akademik që ka synim për të ndihmuar sadopak në fuqizimin e UP-së dhe rolit të saj në shtetndërtim duhet të veprojë në mënyrë jonormale: d.m.th. të tejkalojë pengesat e rrethit shoqëror e kështu duke e rikonceptualizuar normalen dhe duke vënë gurthemel për standarde të punës së mirëfilltë dhe duke e gdhendur veprimtarinë e tyre si pikënisje kritike në ringjalljen e tempujve të dijës.  

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK