Zërat
Prof. dr. Zejunllah Gruda
Prof.
dr.
Zejunllah
Gruda

Pse unë e kundërshtoj këtë marrëveshje?

Zërat February 14, 2017 - 10:37

Unë jam marrë me të drejtën ndërkombëtare për më se gjysmë shekulli, prandaj më është dashur të studioj librat (tekstet) e dhjetëra autorëve nga vende të ndryshme të botës.

Këto libra që kam konsultuar janë botuar në një interval kohor prej afro katër shekujsh dhe në vende nga Australia deri në Argjentinë dhe Çile.

Më i vjetri nga këto është libri i Hugo Grocit E drejta e luftës dhe e paqes (Hugo Grotius, De Jure Belli ac Pacis Libri tres) që është botuar për herë të parë në vitin 1625. Libri i fundit për nga koha e botimit që e kam konsultuar dhe që do ta citoja me kënaqësi është E drejta ndërkombëtare – Pjesa e posaçme, i autorëve nga Universiteti i Kazanit (Republika autonome e Tataristanit), i botuar në Moskë, në vitin 2010.

Tekstet e konsultuara janë të autorëve të ndryshëm që kanë ligjëruar lëndën E drejta ndërkombëtare nga Adelaide (Australi) (D.P. Connell: International Law for Students, London, 1971) e deri në Buenos Aires (Argjentinë) (Eduardo Augusto Gracia: Manual de Derecho Internacional Publico, Buenos Aires, 1975) ose në Santiago de Chile (Çile) (Santiago Benadava: Derecho Internacional Publico, Santiago de Chile, 1976). Natyrisht, pjesa më e madhe e teksteve që kam përdorur janë të autorëve evropianë e amerikanë, disa prej të cilëve unë edhe i kam cituar në librin tim për Demarkacionin.

Disa nga këto tekste kanë me mijëra faqe. Kështu, psh. Teksti i italianit Pasquale Fiore: Tratado de Derecho Internacional Publico, i botuar në Madrid gjatë vitit 1894-1895 (përkthim i Edicionit të dytë të versionit në italisht, nga viti 1879-1884) ka katër libra me gjithsej 1833 faqe; teksti i amerikanit Hyde International Law Chiefly as Interpreted and Applied by the United States ka tre volume më 2441 faqe; teksti Oppenheimit International Law Eighth Edition Vol. I and Vol. II Seventh Edition Edited by H. Lauterpacht ka dy volume me 2013 faqe; teksti i autorëve rusë Kozhevnikov, Levin, Tunkin ..., Kurs mezhdunarodnogo prava v shesti tomah, ka gjashtë libra, prej të cilëve pjesa që përmban të drejtën ndërkombëtare klasike ka pesë vëllime me gjithsej 1945 faqe; teksti i Prof. Dr. Milan Bartos, Medjunarodno javno pravo ka tre libra me 1845 faqe që kanë të bëjnë me afro 60% të lëndës të së drejtës ndërkombëtare etj.

Këto i përmenda për shkak se thjesht problematika e kufijve është lëndë e së drejtës ndërkombëtare, prandaj involvimi im duhet kuptuar si shqetësim njerëzor, por edhe si detyrë profesionale. Të dyja këto më japin të drejtë, por edhe më shumë më detyrojnë të mos hesht. Dhe këtë nuk mund të ma ndalojë kushdo qoftë, i pëlqeu ose nuk i pëlqeu.

Se çështja e kufijve është lëndë e së drejtës ndërkombëtare mjafton të lexohet libri i njërit nga profesorët më të njohur që ka pasur Fakulteti Juridik në Beograd, Dr. Radomir D. Lukiq. Në librin e tij Hyrje në drejtësi, kur flet për territorin dhe pjesët që e përbëjnë, Lukiq shkruan tekstualisht: “Në vetë sipërfaqe, shtetet i kanë saktë të përcaktuar kufijtë shtetërorë, që i ndajnë njërin nga tjetri, e për përcaktimin e këtyre kufijve ekzistojnë rregulla të së drejtës ndërkombëtare të përcaktuara saktë”(nënvizimi im), pra përcaktimi i kufijve është fushë e së drejtës ndërkombëtare. (Dr Radomir D. Lukic sa Dr Budimirom Kosuticem, Uvod u Pravo, Beograd, 1991, fq. 40).

E njëjta përsëritet nga profesori i së drejtës kushtetuese dhe së drejtës administrative në Fakultetin Juridik të Beogradit, Ratko Markoviq që thoshte se “kufijtë shtetëror janë çështje e së drejtës ndërkombëtare dhe se ato tërhiqen sipas rregullave përgjithësisht të pranuara të së drejtës ndërkombëtare.” Sipas tij “përcaktimi i kufijve shtetërorë … bëhet duke u nisur nga kriteret etnike, historike, gjeopolitike dhe strategjike dhe nga rregullat përgjithësisht të pranuara të së drejtës ndërkombëtare.” (Dëshmia e Markoviqit, më 18 janar 2005, në gjykimin e Slobodan Milosheviqit. Helsinski odbor za ljudska prava u Srbiji, Kovanje antijugoslovenske zavere Knjiga 2, Beograd, 2006, fq. 356; 360).

Nëse kjo është e vërtetë, gjë që unë mendoj se asesi nuk duhet vënë në dyshim, atëherë del se çdokush që është i involvuar në procese të përcaktimit të kufijve duhet t’i njohë dhe t’i aplikojë rregullat e së drejtës ndërkombëtare të përgjithshme. Kjo nuk është çështje diskrecionale, por është diçka që nënkuptohet.

Për ata që pretendojnë të merren me çështjen e kufijve po përmend se shumica e teksteve të autorëve të së drejtës ndërkombëtare shpjegojnë nocionin e kufijve, llojet e kufijve, mënyrat e përcaktimit të kufijve dhe mënyrat si zgjidhen mosmarrëveshjet kufitare. Kështu, p.sh. autori i njohur amerikan Charles Cheney Hyde, në tekstin e tij kufijve u kushton 18 paragrafe që mbushin 72 faqe (International Law Chiefly as Interpreted and Applied by the United States In Three Volumes Volume One, Boston 1947, pp. 439-510) plus pesë faqe në pjesën që u referohet mosmarrëveshjeve territoriale (ku flitet për arbitrazhin) (Hyde, International Law … In two Volumes, Volume Two, Boston, 1922, pp. 116-120).

Enciklopedia e së drejtës ndërkombëtare iu kushton kufijve afro gjashtë faqe në të cilat ka shpjegime të bollshme për nocionin e kufijve, për kufijtë si limite (skaje) të juridiksionit të shtetit, për llojet e kufijve, për rregullat esenciale dhe procedurat e përcaktimit të kufijve, etj. (Encyclopedia of Public International Law 10, Publisher: Elsevier Science Publishers B.V., Amsterdam, The Netherlands, 1987, pp. 17-23) plus pjesa që u referohet ujërave kufitare (nocioni, delimitacioni, vija e mesit, talwegu etj. (vepra e sipërme, f. 26-30).

Enciklopedia i shpjegon parimet e përgjithshme për përcaktimin e kufijve shtetëror, duke filluar nga i pari që shprehet me nocionin kufi “natyror” (ujëndarja – watershed, vargmalet ose rrjedhat ujore) dhe vazhdon me kufij “të sigurt”, kufij “të drejtë”, kufij etnik që vendosen konform të drejtës për vetëvendosje (përdorimi i plebishitit), ndarjet territoriale paraekzistuese (uti possidetis) etj., duke përshirë këtu demarkacionin.

Në enciklopedi theksohet shprehimisht se hartat luajnë rol të rëndësishëm, por edhe se vlera e hartave varet nga shumë faktorë si: saktësia gjeografike, preciziteti në raport me pikat kontroverse, shkalla, autori dhe lloji i informatave të shfrytëzuara nga autori, qëndrimi i qeverisë ndaj hartave të caktuara etj.

Teksti i Enciklopedisë përmban një shpjegim shumë të rëndësishëm për problemin e shtruar. Sipas autorëve të Enciklopedisë:

“Mund të shtrohet pyetja nëse mund të mbështetemi në parimet e së drejtës private që kanë të bëjnë me përfitimin dhe delimitimin e pronës private, që janë parime të përgjithshme të së drejtës në kuptimin e nenit 38(c) të Statutit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, për të përcaktuar kufijtë ndërshtetëror. Parimet e tilla që rregullojnë sferën e së drejtës së pronës private vështirë se janë sidoqoftë adekuate të determinojnë çështjen e sferës territoriale të juridiksionit Shtetëror.”

Këtu nuk ka asgjë të paqartë ose dykuptimësi, e këtë e vërteton Enciklopedia e përgjithshme Larousse. Në librin e saj të parë, ku flitet për shtetet si person (subjekt) të së drejtës ndërkombëtare publike shkruan si vijon: “Sot në shumicën e shteteve bëhet dallimi midis pronës mbi tokën, e cila i takon pjesërisht personave të së drejtës private (individëve ose shoqatave) e pjesërisht personave të së drejtës publike (shtetit, bashkësive lokale), nga sovraniteti territorial. Ky shtrihet mbi tërë territorin dhe vazhdon horizontalisht (deti territorial) dhe vertikalisht (hapësira ajrore mbi territorin në kuptimin e drejtë të fjalës)” (Opsta enciklopedija Larousse u tri toma, Tom 1, Beograd, 1971, str. 348).

Kush nuk e kupton këtë le të lexojë për natyrën e mosmarrëveshjes midis Serbisë dhe Kroacisë për demarkacionin e kufirit, ku pala kroate kërkon që si kriter për ndarje të shërbejë kadastri, madje nga koha e Austro-Hungarisë, për shkak se kroatët kanë më shumë tokë në pronësi të tyre në lindje të Danubit, ndërsa serbët kërkojnë që vijë kufitare të jetë Danubi si kufi natyror dhe siç ishte caktuar me ndarje administrative midis Serbisë dhe Kroacisë nga Komisioni i Gjillasit. Sipas një të dhëne hapësira territoriale kroate në anën e majtë të Danubit dhe e serbëve në anën e djathtë të Danubit janë në proporcion 10:1 (Mladen Klemencic and Clive Schofield, Boundary & Territory Briefing, Volume 3 Number 3) prandaj lehtë kuptohet pse Kroacia insiston që demarkacioni të bëhet sipas kadastrit. Vazhdon

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK