Zërat
Zejnullah Gruda
Zejnullah
Gruda

Përpjekja për të kontrabanduar diça dubioze

Zërat February 12, 2017 - 11:35

Këto kanë treguar se ky pushtet nuk ka hequr dorë nga kjo marrëveshje, për të cilën shumëkush ka menduar se ka shkuar heshtazi në histori pas tërheqjes së saj nga Parlamenti, më 1 shtator 2016. Fatkeqësisht, tashti po shihet sheshazi se pushtetarët intermecon prej disa muajve, nga koha kur është mbajtur tryeza deri në ditët e sotme, e kanë shfrytëzuar për “t’i bindur”, për t’i shantazhuar ose për t’i blerë deputetët, sidomos nga radha e dy partive në pushtet, për të ndërruar mendimin, pra për të mos kundërshtuar Marrëveshjen. Kjo vlen edhe kur është në pyetje Lista Serbe, për të cilën vetë kryeministri thoshte se e kushtëzon votën me koncesione.

Kjo del nga propozimi i fundit i kryeministrit që të formohet një “Komision për matjen e territorit të Kosovës.” Natyrisht, Kryeministri do të bënte mirë me këtë rast të na tregonte: a) në cilin rast dhe cilat shtete kanë zgjidhur mosmarrëveshjet rreth vijës kufitare duke matur territorin e tyre; b) kur gjatë historisë ka ndodhur ndonjë rast i tillë; c) ku e ka parë ose e ka lexuar këtë mënyrë të përcaktimit të vijës kufitare; c) kush nga autoritetet e njohura shkencore dhe politike e rekomandon këtë mënyrë, etj. Këto pyetje kërkojnë përgjigje sidomos kur kihet parasysh fakti se kjo “metodë” e përcaktimit ose konfirmimit të vijave kufitare nuk është përdorur për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve rreth kufijve jo vetëm midis shteteve të Amerikës Latine, të cilat kishin pranuar vijat administrative ekzistuese, të vendosura nga spanjollët dhe portugezët, siç ishin në Amerikën Jugore në vitin 1810 (“uti possidetis 1810”) dhe në Amerikën Qendrore në vitin 1821 (“uti posidetis 1821”), por as midis SHBA dhe Meksikës, BRSS dhe Kinës, Izraelit dhe Egjiptit, etj. Këtë metodë të zgjidhjes së problemeve kufitare në mes të shteteve përmes “matjes së territorit” nuk e ditkan madje as shtetet e dala nga ish-Jugosllavia si Serbia, Kroacia, Sllovenia dhe Mali i Zi, përndryshe nuk do t’i kishin problemet kufitare të pazgjidhura, sidomos kur dihet se këto shtete janë pavarësuar afër 15 vjet para Kosovës.

Çështja e dytë që meriton kujdes ka të bëjë me tekstin e Projektligjit ku janë inkorporuar dy dispozita sipas të cilave: a) Marrëveshja “mund të ndryshohet dhe plotësohet me pëlqimin e palëve”, “nëse ka fakte të reja ligjore”; dhe b) se mund të kërkohet arbitrazh ndërkombëtar me pajtimin e palëve për ndryshimin e dispozitave të Marrëveshjes.

Këto tekste tregojnë më së miri se përpiluesit e Projektligjit nuk dinë se rishikimi i cilësdo marrëveshje mund të bëhet në rast se përdoret forca ose kërcënimi me forcë për ta detyruar dikë ta nënshkruajë marrëveshjen ose kur ekziston lajthimi, mashtrimi ose korrupsioni i përfaqësuesit të shtetit që ka lidhur marrëveshjen. Në këto raste marrëveshja bëhet e pavlefshme. Por hartuesit e tekstit të Projektligjit kanë përzier ekzistimin e lajthimit (përfytyrimit të gabuar) për sa i përket ndonjë fakti, d.m.th. lajthimi që i referohet fakteve (error facti), me lajthimin që i referohet të drejtës (error juris). Në praktikë error facti do të ekzistonte sikurse Komisioni ynë të kishte menduar p.sh., se Qafa e Çakorrit është afër Kuqishtës ose në Kotllovë, siç paraqitet në një hartë të bërë para disa vitesh për nevoja turistike (Peaks of the Balkans – Cross border hiking Albania-Kosovo-Montenegro, Huber Kartographie GmbH Munchen Germany) ku toponimi Çakorr është vënë afërsisht në Kotllovë e që është disa kilometra larg Qafës së Çakorrit të vërtetë, aty ku është kuota 1849 m. dhe ujëndarja. Harta kishte vërejtjen se “Vija ekzistuese kufitare në mes të Kosovës dhe Malit të Zi ende është në fazën e negocimit në mes të qeverisë së Kosovës dhe të Malit të Zi”. Në këtë rast, nëse Komisioni do të ishte mbështetur në këtë hartë atëherë do të ekzistonte arsyeja për të kërkuar revidim e marrëveshjes (mbasi lajthimi ishte i shkaktuar nga harta e rrejshme), por jo nëse këta kanë ditur saktë ku është Qafa e Çakorrit dhe kuota 1849 metra. Në rast të lajthimit rreth të drejtës (error juris) vlen rregulla “ignorantia legis nocet” dhe kjo nuk ndikon ne vlerën e marrëveshjes ndërkombëtare.

E njëjta gjë vlen edhe për mundësinë për t’iu drejtuar arbitrazhit, për çka kusht i domosdoshëm është “pajtimi paraprak i palëve” d.m.th. pajtimi edhe i Malit të Zi që kurrë nuk do të pranonte të rrezikojë të humbë diçka që aq lehtësisht i është dhënë. Por ajo që është më e rënda në gjithë këtë nuk është kushti i mëparshëm, por perspektiva e humbjes së sigurt të Kosovës, shkaku i deklaratave të pamenduara dhe të përsëritura shumë herë të Presidentit, të Kryeministrit dhe të Ministrit të Punëve të Jashtme se Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është krejtësisht në rregull. Pas kësaj kushdo që sado pak di, e ka të qartë se secili arbitër do të vendoste kundër Kosovës pa u lëshuar fare në trajtimin e çështjes. Se kjo është kështu mjafton të dihet për konfliktin midis Norvegjisë dhe Danimarkës, përkitazi me sovranitetin mbi Grenlandën Lindore, të cilin e ka zgjidhur Gjykata e Përhershme e Drejtësisë Ndërkombëtare, më 1933. Fatkeqësisht, këta nuk janë të vetëdijshëm se sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare çdo deklaratë e tyre e obligon shtetin. Kur këto të dihen del se hartuesit e Projektligjit ose kanë mungesë të theksuar të njohurive elementare të së drejtës diplomatike dhe të së drejtës së traktateve, ose janë përpjekur për të kaluar lëshimin e territorit me veprime mashtruese.

Si kulm i gjithë kësaj është fakti se autoritetet kosovare kanë pranuar si vijë kufitare vijën e përcaktuar nga Komisioni ndërshtetëror me Marrëveshje Kosovë-Mali i Zi, pavarësisht nga fakti se Marrëveshja akoma nuk është ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës, pra nuk ka hyrë në fuqi, duke i mundësuar Malit të Zi të krijojë një gjendje faktike që në të ardhmen mund t’i shkojë në favor (si mbajtës i papenguar i territorit).

Këto i shpjegova më gjerë për një arsye të vetme, që të dihet se pas ratifikimit s’mund të ketë korrigjime, meqë ratifikimi është pajtimi përfundimtar, me çka përfundon gjithçka. Kushdo që thotë diçka tjetër pa marrë parasysh postin që ka, e ka gabim ose dëshiron të kontrabandojë diçka dubioze.

 

3. Kjo Qeveri është e opsesionuar me ratifikimin e kësaj Marrëveshje, prandaj tërë energjinë e ka orientuar në ratifikimin e saj pavarësisht se kjo çështje meriton një qasje dhe trajtim tjetër shumë më serioz. Për këtë mjafton të përkujtohet se si SHBA kishin finalizuar një marrëveshje me Panamanë, për një territor që është disa mijëra km. larg kufijve jugor të SHBA-së. Marrëveshja kishte filluar të negociohet nga presidenti L. Jonson  në vitin 1964 dhe ishte vazhduar nga presidentët R. Nixon dhe J. Ford kurse ishte finalizuar nga J. Carter, në qershor të vitit 1978, pra pas afro 14 vjetësh.

Kjo marrëveshje kishte shkaktuar debate të jashtëzakonshme dhe ishte kundërshtuar mjaft në të dyja shtetet. Për këtë arsye Komiteti i Senatit e kishte debatuar saktë nga 16 shtatori 1977 deri më 30 janar 1978, pra më se katër muaj. Në këto seanca dëgjimore ishin ftuar tre sekretarë të shtetit për punë të jashtme: Dean Rask, Henry Kissinger dhe Syrus Vance; udhëheqësit e ekipit negociator Sol Linowitz dhe Ellswort Bunker; sekretari i mbrojtjes Harold Brown, Komandanti i Shtabit të përgjithshëm Georg Braun, komandanti i operacioneve detare admirali James L. Holloway, komandanti i Komandës Jugore gjenerali D. P. McAullife etj. Publiku amerikan ka mundur t’i përcjellë të gjitha diskutimet që i transmetonte radioja shtetërore.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK