Zërat
Prof. dr. Zejnullah Gruda
Prof.
dr.
Zejnullah
Gruda

Opsesioni i Qeverisë për ta kaluar marrëveshjen për Demarkacionin

Zërat February 10, 2017 - 13:28

Përcaktimi i kufijve rregullohet me të drejtën ndërkombëtare. Parimet e përgjithshme për përcaktimin e kufijve. Përcaktimi i kufijve determinohet nga faktorë historikë, gjeografikë, strategjikë, etnikë, ekonomikë, të komunikacionit, hidrologjikë etj., qoftë veçmas ose të kombinuar. Kriteri kadastral nuk figuron në asnjë tekst të së drejtës ndërkombëtare si kriter bazë për përcaktimin e kufijve.

Aktet ndërkombëtare që përmbajnë dispozita që u referohen kufijve. Fazat nëpër të cilat kalon përcaktimi i kufijve: delimitacioni dhe demarkacioni. Ndarja territoriale midis njësive federale të ish- Jugosllavisë. Kontestimi i kufijve AVNOJ–anë. Shmangia e Komisionit nga mandati: në vend se ta shënojë kufirin Komisioni ka përcaktuar vija të reja kufitare. Komisioni ad hoc është ftuar të legalizojë një punë dubioze. Kush i injoron ose i mohon hartat zyrtare të institucioneve të ish- Jugosllavisë dhe të vetë Malit të Zi? Propagandimi për ndarje nga “trashëgimia bolshevike” ose “trashëgimia komuniste” për të arsyetuar pretendimet mbi tokat e huaja. Kush “kishte shprehur një simpati të fortë, ndonjëherë të ndyrë për sllavët e Ballkanit”.

Përpjekja për kontrabandimin e vijës së re kufitare me të ashtuquajturit “kufij të 1974”, “kufij të 1988”, “Pakon e Ahtisarit”, “Marrëveshjen e Kumanovës” ose “Aktin e pavarësisë”. Kur, ku dhe kush e ka përdorur “matjen e territorit” si mënyrë e përcaktimit të vijës kufitare?! Pse organet e Kosovës e kanë pranuar vijën e re kufitare me Malin e Zi para se Marrëveshja të jetë ratifikuar nga Kuvendi? Kush na ka sjellë në situatë të kërkojmë mbrojtjen e dinjitetit e madje “pak drejtësi”.

1. Çështja e demarkacionit të kufirit Kosovë-Mali i Zi po vazhdon të jetë në fokus të vëmendjes së opinionit publik në Kosovë edhe gjatë muajve të fundit, falë insistimit të Qeverisë, e cila çështjen e ratifikimit të Marrëveshjes me Malin e Zi dëshiron ta shtyjë përpara me çdo kusht. Fatkeqësisht, kjo po ndodhë përkundër rezultatit të qartë që ka dhënë Debati profesional-shkencor i organizuar nga Kuvendi i Kosovës me 3 gusht 2016 dhe debaklit që ka pësuar Qeveria me 1 shtator kur ishte detyruar ta tërheqë Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin e Kufirit Kosovë-Mali i Zi. Pas kësaj çdokush kishte pritur që zhvillimet të kanalizohen në një drejtim krejtësisht tjetër. Kjo jo vetëm që nuk ka ndodhur por në disa raste edhe është shtuar agresiviteti i përkrahësve të demarkacionit aktual.

Unë ç’është e vërteta kam pasur edhe vetë rezerva për sa i përket Tryezës, veçmas nga momenti kur kam dëgjuar se kjo konsiderohet “tryezë shkencore”, kurse gjetjet e saj “të pa obligueshme.” Për tubime të tilla janë të thirrura disa institucione tjera (Akademia, Fakultetet, ndonjë institut për hulumtime shkencore, ndonjë katedër e fakulteteve që këtë e kanë fushë veprimi të rregullt, ose ndonjë organizatë joqeveritare sikurse që është Friedrich Ebert Stiftung) por jo Kuvendi i shtetit.

Këto rezerva më janë shtuar sidomos prej çastit kur kam dëgjuar nga përfaqësuesit e pushtetit se e përshëndesnin mbajtjen e tryezës, por këmbëngulnin se Marrëveshja për demarkacionin e kufirit Kosovë-Mali i Zi është e mirë dhe duhet pranuar ashtu siç është. Këtë e kanë përsëritur Presidenti, Kryetari i Parlamentit dhe Kryeministri, në fjalimet që i kanë parapri debatit e që s’kishin të bënin fare me shkencën, të cilët përshëndesnin mbajtjen e Tryezës por këmbëngulnin se marrëveshja është e mirë dhe duhet pranuar ashtu siç është.

Kjo tregonte haptas se ne ishim ftuar ose ta argëtojmë popullin, ose të krijojmë përshtypjen e një demokracie të vërtetë. Dhe kjo është parë lakuriq kur Qeveria e Kosovës, përkundër asaj që ka prodhuar Tryeza, kishte vendosur, madje para se të përfundojë debati, ta procedojë në Kryesi të Kuvendit Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit Kosovë-Mali i Zi (4 gusht), d.m.th. vetëm një ditë pas Tryezës. Kundërshtimi gjithëpopullor dhe opozita e bashkuar kishin ndikuar që kjo çështje të mos vihet në rend të ditës deri me 1 shtator.

Por edhe atëherë kur ishte vënë në rend dite të Kuvendit, vetë Kryeministri i Qeverisë, i ballafaquar me një disfatë të rëndë, kishte kërkuar që të tërhiqet “përkohësisht” propozimi për ratifikimin e Marrëveshjes me arsyetimin se “nuk janë rrethanat dhe nuk është situata në të cilën duhet të trajtojmë dhe duhet të votojmë Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes me Malin e Zi”. Sipas tij kjo bëhej, përveç tjerash, edhe për shkak se “një grup parlamentar e kushtëzon votimin e këtij ligji me koncesione.” Pas kësaj të gjithë kanë menduar se definitivisht kishte dështuar përpjekja për ratifikimin e Marrëveshjes. Por ndryshe nga ç’mendohej, Kryeministri kishte përsëritur se ligji do të procedohet në Kuvend në momentin që Qeveria e vlerëson se është koha, që i bie se kur të merren vesh me atë grup parlamentar (Listën Serbe) dhe kur të bindin, të blejnë ose të detyrojnë një numër të deputeteve të votojnë pro demarkacionit.

Nga kjo është parë se Qeveria, në vend se të reflektojë në pajtim me interesat e Kosovës dhe vullnetin plebishitar të popullit, ka vazhduar përpjekjet për ta shtyrë çështjen përpara. Kjo është parë haptazi në Tryezë nga kontributet “shkencore” të “avokatëve” shqiptarë të Malit të Zi, dhe nga disa deklarata të funksionarëve dhe titullarëve të ndryshëm, por edhe nga intervistat dhe shkrimet e ndryshme të përkrahësve të Qeverisë.

Në tërë këtë, gjëja më e mirë është se organizatorët e Tryezës kanë mundësuar që një rreth i gjerë i shtetasve të këtij vendi të shohin dhe dëgjojnë përmes TV-së çka mendon dhe për çka angazhohet gjithsecili nga pjesëmarrësit. Por organizatori ka lëshuar pas Tryezës që t’i publikojë fjalët e secilit pjesëmarrës në tryezë (të autorizuara) në një libër të veçantë, siç veprohet kur janë në pyetje tryezat shkencore. Këtë po e them edhe për faktin se unë e kam lexuar vetëm afër një të tretën nga fjala e përgatitur. Fjalët në Tryezë duhen ruajtur edhe për histori dhe mbamendje të popullit.

2. Nga koha kur është mbajtur Tryeza (3 gusht 2016), e sidomos nga momenti kur Kryeministri (pasi kishte parë se nuk i ka votat për ta ratifikuar Marrëveshjen) e kishte tërhequr përkohësisht nga Kuvendi Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi (1 shtator 2016), deri në momentin kur është krijuar “Komisioni për matjen e territorit të Kosovës”, unë, por edhe shumë të tjerë kemi menduar se kjo Marrëveshje ka shkuar në “ad acta.” Fatkeqësisht, kjo nuk ka ndodhur. Përkundrazi, zyrtarët më të lartë shtetërorë kanë vazhduar përpjekjet të na bindin “se Kosova nuk humb asnjë pëllëmbë me këtë Marrëveshje” (Mustafa); se “Marrëveshja është e drejtë dhe e konfirmuar nga ekspertë të shquar vendorë dhe ndërkombëtarë” (Thaqi); se “Kosova nuk humb asnjë metër territor” dhe se “demarkacioni nuk është një çështje e hapur mes Malit të Zi dhe Kosovës … por më shumë një çështje e brendshme” (Enver Hoxhaj) etj. Në pajtim me këto Kryeministri deklaronte se “Unë nuk kam hequr dorë” nga Marrëveshja për demarkacionin e kufirit Kosovë-Mali i Zi; se Marrëveshja “tërhiqet vetëm përkohësisht” dhe do të kthehet në Kuvend në pjesën e parë të tetorit, më pastaj është thënë gjatë dhjetorit e tashti së fundmi në fillim të vitit 2017. 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK