Zërat
 Yll Rugova

Yll
Rugova

Për këta do të votoj në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë

Zërat February 10, 2017 - 12:21

“S’kam për kë të votoj”, kjo është një prej fjalive më të shpeshta që e dëgjoj nga njerëz që janë rehat me status quo, por që nuk duan të identifikohen me pushtetin. Në fakt, janë edhe disa njerëz mjaft progresivë që kanë pikëpamje të tillë, por këta të dytit, besoj, janë të manipuluar në këtë pozicion. Natyrisht, njerëzve në pushtet u konvenon që ata të cilët mund të bëjnë ndryshim të mos votojnë, të mos angazhohen politikisht, apo të qëndrojnë neutralë.

Personalisht jam përkrahës i idesë që nëse nuk ke për kë të votosh (apo kë ta përkrahësh politikisht), atëherë duhet të organizohesh (bashkë me shokë e shoqe) dhe krijosh vetë një subjekt apo organizatë politike. Natyrisht, gjasat janë që nuk do të kesh edhe shumë-shumë përkrahje, por të paktën spektri i ideve bëhet më i pasur, edhe idetë tua mund të ndikojnë te organizatat, subjektet e tjera dhe popullatë në përgjithësi.

Me rëndësi është që angazhohemi për të mos lejuar që situata aktuale të përkeqësohet edhe më tutje. Sinqerisht, vetëm një angazhim më i madh nga të gjithë ne mund ta shpëtojë këtë vend.

Kur jemi te shpëtimi i vendit, më duhet ta bëj veç një përkujtim të vogël. Menjëherë pas vitit 1999, disa organizata (sekrete) partiake janë forcuar aq shumë, saqë, duke u bërë një me krimin e organizuar, kanë arritur të marrin në kontroll të gjitha organet e rëndësishme të shtetit të Kosovës. Sepse pushteti, realisht, nuk është krejtësisht te kryeministri, presidenti dhe ministritë… janë shumë agjenci, ndërmarrje shtetërore dhe organe të tjera tepër të rëndësishme e që sipas ligjit do të duhej të kishin autonomi të plotë, por që janë të zaptuara nga aparatet partiake, kriminale. Veçanërisht nga ato të PDK-së.

PDK-ja i ka rreth 200,000 votues të rregullt. Të cilët kryesisht vijnë nga punësime të tilla nëpër ndërmarrje shtetërore, nëpër agjenci e nëpër shtylla dhe organizata të rëndësishme të shtetit (p.sh. drejtësia), prej të cilave disa as që e dimë se ekzistojnë (për shembull, a e keni ditur se ekziston Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar?). Pastaj janë edhe shumë kompani në pronësi të aparatçikëve të partive në pushtet, të cilat marrin tenderë të shtetit. Nuk duhet të harrojmë, arka e Kosovës është blerësi më i madh në Kosovë me buxhet prej (tashmë) gati 2 miliardë eurosh.

Këto para i menaxhojnë këta që janë në pushtet. Pra, njerëzit e krimit të organizuar që me organizata kriminale i kanë zaptuar të gjitha pozitat e pushtetit. Edhe i kanë të siguruara rreth 200,000 votues që de fakto i blejnë.

Pushteti aktual ka kohë që e ka përgatitur terrenin për pozitën që e ka. Gjithë ky pushtet nuk i ka ardhur si dhuratë nga dikush. Ka ardhur si rezultat i punës së tyre të ndyrë (por gjithsesi shumë intensive), në bashkëpunim me apatinë tonë kolektive. Veçanërisht në bashkëpunim me qëndrimin tonë “s’kam për kë të votoj”. Sepse në Kosovë votojnë rreth 900,000 njerëz dhe forca reale e ndryshimit është te ata që “s’kanë për kë të votojnë”.

Natyrisht, puna e zellshme e pushtetarëve tanë ka qenë kryekëput për interesa personale, në dëm të shtetit dhe shoqërisë. Sepse, në thelb ky është dallimi mes kriminelit dhe një sipërmarrësi të ndershëm. I pari është në gjendje të bëjë gjithçka për të përfituar vetë, kurse i dyti e sheh veten si agjent ndryshimi në shoqëri dhe përmes angazhimit politik, shoqëror apo ekonomik sjell ndryshime pozitive në shoqëri, të cilat më pas i shijon edhe vetë. Pra, dobia që ia sjell shoqërisë është aq e dukshme, sa edhe ai vetë ndikohet për së miri prej saj. Ta marrim një shembull, sot kemi plot milionerë në Kosovë, të cilën kanë vetura të mira dhe shtëpi të shtrenjta (edhe pse jogjithmonë me shije). Por në momentin që dalin nga shtëpia e tyre, rruga është lloç, e pakalueshme, me trafik skandaloz. Pa trotuar. Këta njerëz, kanë të holla të kenë basen privatë, saunë dhe dhomë private të kinemasë, kanë të holla për shërim në spitale private, apo ta shkollojnë fëmijët në shkolla private, por prapëseprapë jetojnë në shtetin e varfër, të pazhvilluar të Kosovës. Sepse, edhe shkollat private nuk janë të zhvilluara. Edhe spitalet private nuk janë të zhvilluara. Infrastruktura rrugore është skandaloze. Administrata është skandaloze. Përveç kafeneve, ambiente rekreative nuk ka. Parqe ka tepër pak. Trotuare janë të zaptuara. Cilësia e ajrit është kancerogjene, helmuese. Pra, cilësia e jetës në Kosovë, në përgjithësi, është e keqe për të gjithë. Edhe për këta milionerët e rinj që e kanë zaptuar pushtetin.

Sepse, asnjëri nga ne nuk mund të ketë jetë të mirë, sado që i ka milionat, pa e pasur të gjithë ne jetën e mirë. Edhe ky është një fakt!

Angazhim politik i bashkuar i të gjithëve është e vetmja mënyrë që rrënjët e thella të krimit në institucionet e shtetit në Kosovë të këputen. Prandaj duhet të mblidhemi të gjithë bashkë, pa marrë parasysh qëndrimeve politike nën një ombrellë të përgjithshme progresive dhe ta sjellim ndryshimin e madh në spektrin politik në Kosovë. Përparim dhe zhvillim pa e çrrënjosur krimin nuk mund të kemi. Ajo ideja se “ndryshimi ndodh duke u bërë pjesë e institucioneve” është veçse një postulat tjetër që tenton amnistinë e pushtetit aktual.

Duhet organizim dhe koordinim i të gjithëve. I madh, e i vogël. Individë, organizatë e parti. Madje i ftoj të bashkohen edhe të gjithë ata njerëz të ndershëm që janë pjesë e strukturave politike aktuale në pushtet e që e kanë kuptuar se është e pamundur të përparohet vendi me njerëz të krimit. Duhet një bashkim i madh deri në krijim të një spektri të ri politik e shoqëror, i cili do të lejojë që agjentët e ndryshimit, institucionet dhe organet shtetërore të marrin frymë. I cili do të lejojë që ide të reja progresive të lindin. I cili e rikthen shtetin në duart e të gjithë qytetarëve. Në duart e qytetarëve të ndershëm, që duan të jenë agjentë ndryshimi pozitiv në Kosovë. Një spektër që krijon politika të cilat nuk e lënë asnjë qytetar të Kosovës të jetojë në varfëri, pa shkollim e pa shëndetësi. Pa marrë parasysh a është ky qytetar nga Drenica apo nga Gjakova, Llapi, Mitrovica, Dragashi, Peja, Ferizaj, Gjilani apo Prishtina.

Duhet një spektër i ri politik që Kosova të ketë shpresë. E këtë spektër s’ka kush e sjell, pos teje edhe meje së bashku!

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK