Zërat
Donika Emini
Donika
Emini

Treni, a do të ndalet me kaq?

Zërat February 07, 2017 - 12:23

Rritja e diskursit agresiv dhe provokimet e vazhdueshme të Serbisë reflektojnë hezitimin që ka ky shtet për të zbutur qasjen kundrejt Kosovës, edhe gjashtë vjet pas fillimit të dialogut për normalizim të marrëdhënieve.

Për më tepër, roli destruktiv i Serbisë kundrejt Kosovës në arenën ndërkombëtare, kushtëzimi për themelimin e njëanshëm të Asociacionit të Komunave Serbe paraqesin provokime edhe më të rrezikshme sesa treni, apo muri në Mitrovicë.

Megjithatë, rasti i trenit diferencohet nga provokimet e tjera për faktin se Qeveria e Kosovës mori vendim për t’u kundërpërgjigjur, dhe pikërisht kjo solli tensionim të situatës.

Treni nuk do të ndalet me kaq, përderisa Serbia haptazi shfaq pretendimet territoriale, duke përfshirë Kosovën në preambulën e kushtetutës.

Kurse normalizim nuk do të ketë nëse dialogu në Bruksel vazhdon në këtë formë, dhe përderisa Qeveria e Kosovës nuk ndryshon pozicionim në këtë proces.

Prandaj, do të ishte imperativ i kohës që pas ngjarjeve të janarit të mos bisedohet në Bruksel pa ndërtimin e një konsensusi të qartë dhe krijimin e një vizioni tonë, pa u fshehur pas “imponimeve” të Bashkësisë Ndërkombëtare.

Dështimi për normalizim, thirrje për riformulim të dialogut

Dialogu me Serbinë paraqet njërën ndër segmentet kryesore të politikës së jashtme të Kosovës. Si pasojë, ky proces jo vetëm që ka marrë energji dhe kohë të jashtëzakonshme në zhvillimin e politikës së jashtme, por ka ndikuar seriozisht edhe në funksionimin e brendshëm të Kosovës.

Njëri ndër indikatorët kryesorë të dështimit të arritjes së normalizimit është fakti se në dialog Kosova dhe Serbia nuk konsiderohen si palë të barabarta. Ekziston një diskrepancë e qasjes së BE-së ndaj Kosovës, e cila për shkak të pesë shteteve që nuk e njohin Kosovën, nuk i sheh të dyja palët nga një distancë e barabartë.

Këtu pra qëndron esenca e dështimit të procesit, sepse aty bisedohet për çështje të brendshme të Kosovës, por asnjëherë për ato të Serbisë, kurse shumë pak ose nuk flitet fare për çështjet e hapura në mes të dyja palëve. Në anën tjetër, marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel janë pothuajse të paimplementueshme. Andaj, energji e jashtëzakonshme është shpenzuar në rinegocim dhe diskutim të çështjeve për të cilat është arritur fillimisht marrëveshje.

Përveç mungesës së një platforme të detajuar për dialog, mungesa e konsensusit politik brenda Kosovës ka pasur ndikim shumë të madh në dobësimin e pozicionit të Kosovës në dialog. Andaj, pamundësia e Kosovës për të adresuar më shumë se një çështje në të njëjtën kohë, është vërejtur nga Serbia e cila vazhdimisht provokon, duke hapur çështje të reja për diskutim në Bruksel.

Si pasojë, pothuajse rreth 80 për qind e punës së Qeverisë shpenzohet në menaxhim të situatave konfliktuoze, si dhe ndasive që ato situata shkaktojnë brenda Kosovës. Nëse kjo energji do të shpenzohej në veprime konkrete, dialogu do të sillte më shumë progres dhe situata nuk do të ishte si ajo që kemi sot.

Në anën tjetër, mungesa e transparencës në dialog ka lënë shumë hapësirë për dykuptimësi dhe tendencë që dialogu të keqpërdoret nga të dyja palët. Mospasja e një strategjie gjithëpërfshirëse për implementim të marrëveshjeve, zhvillimi i dialogut vetëm në nivel të lartë politik, pa përfshirë opozitën, shoqërinë civile, pa këshilltarë dhe ekspertë - si dhe hyrja në dialog pa përgatitje paraprake ka rezultuar në dështimin e tri pikave kryesore: 1) Dështimi që të sigurohet përshpejtimi i anëtarësimit të Kosovës në BE; 2) Dështimi për të integruar Serbët në Kosovë; si dhe 3) Dështimi për të sjellë njohjen apo zbutjen e qasjes së Serbisë kundrejt Kosovës.

Potenciali i Kosovës për t’i përballuar “trenat” e Serbisë

Ngjarjet e fundit sikur elektrizuan opinionin publik në Kosovë dhe jo vetëm, pyetja kyçe në mesin e diskutimeve publike ishte se a kanë potencial Kosova dhe aleatët ndërkombëtarë të iu bëjnë ballë provokimeve, dhe si duhet të kundërpërgjigjemi? Kosova ka lëshuar rastin që kishte për riformuluar qasjen në raport me Serbinë.

Megjithatë, nga ky pozicion defanziv, do të mund të këndellej vetëm nëse rikonsiderohen parimet dhe vizioni në të cilat zhvillohet dialogu me Serbinë.

Njëra ndër gabimet kryesore në raport më Serbinë është fakti që Qeveria e Kosovës i konstrukton kërkesat dhe i formulon qëndrimet brenda kornizave të asaj që është e pranueshme për Serbinë.

Si rezultat, çështja e njohjes së ndërsjellë nuk u shtrua asnjëherë në tavolinën e bisedimeve. Në anën tjetër, në raport me Serbinë duhet pasur të qartë se një varg çështjesh të cilat nuk duhen të diskutohen assesi me Serbinë, ato përfshijnë territorin e Kosovës, transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe çështje përmbajtësore që janë të brendshme.

Në këtë drejtim, aftësia e Kosovës për të determinuar temat, për të ndaluar ato që nuk duhet diskutuar me Serbinë reflektojnë edhe fuqinë që Kosova ka në raport me Serbinë. Kurse, është dështuar që të sigurohet garancion nga BE-ja për implementimin e marrëveshjeve, pra që BE-ja përveç facilitatorit të ketë rol sanksionues.

Çështje të tjera që vazhdimisht janë kërkuar të ngritën në Bruksel janë dëmet e luftës, reparacionet, të pagjeturit, fondet e humbura, mirëpo, Qeveria e Kosovës ka dështuar të jetë vokale në këtë drejtim. Në anën tjetër, askush nuk flet për humbjen e Liqenit të Ujmanit – e cila përmban 70 për qind të burimit të ujit në Kosovë – nuk është ngritur si çështje por mund të jetë strategjike për mbijetimin e Kosovës.

E fundit por jo më pak e rëndësishme është arritja e një konsensusi politik, pra një konsensus të vërtetë e jo deklarativ si në rastin e demarkacionit – kur është tentuar të arrihet konsensus në periudhën e postnënshkrimit të marrëveshjes. Është e rëndësisë vitale të hartohet një dokument që do të shërbente si udhërrëfyes për dialog. Kjo përveç që do të siguronte llogaridhënie e do të i bënte ekipin negociator të përgjegjshëm edhe do të parandalonte gabime strategjike në këtë proces.

Nëse Qeveria e Kosovës dështon të pozicionohet fuqimisht kundrejt Serbisë, ekziston mundësia që provokime të tilla të përsëriten me qëllim të destabilizimit të vendit dhe defaktorizimin e Kosovës.

Përndryshe dialogu do të vazhdojë të jetë një “luftë verbale” e palëve që e ndjejnë nevojën për t’iu kundërpërgjigjur njëra-tjetrës, siç është duke ndodhur në raport me qasjen reaguese ndaj Serbisë.

Përveç të tjerash, kjo po e shndërron dialogun në luftë për protagonizëm dhe mjet për marrjen e votave në zgjedhje. 

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK