Zërat
Alan Friedman
Alan
Friedman

Samiti i Davosit si simbol i rënies së elitave

Zërat January 19, 2017 - 12:26

Një vit më parë samiti vjetor ekonomik në Davos i elitës globale të financave dhe politikës kishte ide shumë të qarta: ... Donald Trump nuk mund të marrë Shtëpinë e Bardhë, ... britanikët do të votonin kundër Brexit, ... sepse globalizimi, sipas tyre, ishte forca më dashamirëse e historisë njerëzore ... Deri më sot rendi liberal botëror ka për qëllim tregtinë e lirë, tregjet e hapura, lëvizjen e lirë të njerëzve dhe një angazhim të përbashkët për të adresuar problemet e klimës. ... Por këtë vit delegatët në Davos përballen me frontin e një krize, e cila në njëfarë mënyre i ngjan një krize ekzistenciale. "Feja" e tyre bazuar mbi globalizimin duket se është diskredituar, të paktën sipas udhëheqësve të rinj në SHBA dhe Evropë. Elita globale tashmë duket se ka humbur çelësin e zgjidhjes së problemit, ndërsa viktimat e efekteve negative të globalizimit kanë reaguar fort përmes proceseve elektorale duke kundërshtuar këtë statuskuo!

Me fitoren e Brexit, zgjedhjen e Trumpit dhe humbjen Renzi në referendum, për të mos përmendur lëvizjet ksenofobike në rritje antiemigrante në Gjermani, Francë, Holandë dhe Hungari, bota ka hyrë në një fazë të ringjalljes politike dhe kulturore kundër asaj që sot po quhet “establishmenti”. Është një “kryengritje” e popullit kundër “elitave”, më saktë kundër atyre elitave të cilët u mblodhën këtë javë në Davos ... "Davos Man" është term i njohur i shpikur nga Samuel Huntington për të përshkruar figurën elitare të pjesëmarrësit tipik të Davos, si një mbrojtës i zjarrtë i globalizimit, ndërkohë që sillet si iluminist dhe progresiv në çështje si varfëria në Afrikë apo klima globale, etj. Shkurt, “Njeriu Davos” është një qenie e vetëndjerë, që mbështet botën e vlerave liberale, diversitetin kulturor dhe të biznesit. Ai jeton në një guaskë luksoze, e cila është gjithmonë politikisht korrekte. Ky njeri mbërrin me helikopter në Davos, për takime rastësore me korporatat e mëdha për të pirë një kafe me burra të tipit “Seehof Davos” në bar, për një salutim me personazhe si George Soros, apo ndoshta edhe për të dëgjuar një përrallë nga ish-presidenti Bill Clinton.

Në programin e këtij viti në Davos tema për diskutim është: Përgjegjësia e lidershipit. Por problemi i vërtetë për diskutim mund të ishte shumë mirë përgjegjësia e vet Davos, i cili këtë vit duket më shumë si një simbol i problemit sesa i zgjidhjes. Elita botërore tashmë është nën akuzë dhe do të bënte mirë të pyeste vetën se pse "populistët" kanë arritur të mposhtin "elitën" mu në mes të Perëndimit?! ... Nëse Davos dëshiron të bëjë disa gjera të mira këtë vit, ai duhet realisht të fillojë një epokë të re reflektimi ndaj vetvetes dhe elitës botërore. Davos nuk duhet të mbetet tek ankesat qaramane në lidhje me "rreziqet" e proteksionizmit me ardhjen e Donald Trump. Nuk mjafton as vetëkritika mbi efektet e globalizimit. Të gjithë tashmë duhet të pranojmë se me Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë po hyjnë në një periudhë të paparashikueshme dhe e pasigurt politike ndërkombëtare. Duhet të pranojmë se rendi liberal dhe bota me të cilën jemi mësuar një gjysmë shekulli, tashmë ka ndryshuar dhe është riformatuar, e në mjaft raste lojtarët e rinj kyçë në lojë po vinë nga demokracitë joliberale.

Ndërkohë, Vladimir Putin vazhdon të rishkruajë hartën gjeopolitike të gjysmës së planetit, duke arritur të orkestrojë edhe një ndërhyrje në fushatën zgjedhore amerikane në favor të Donald Trump. Ndoshta ironia më e madhe e samitit në Davos ndërkohë është se ardhja e Donald Trump po i hap rrugën lindjes së një Kine me më shumë ndikim në skenën botërore. ... Dje, për herë të parë, presidenti i Kinës hapi samitin Davos, dhe mesazhi i presidentit Xi Jinping ka qenë i një protagonisti tipik. Kina ndërkohë po përpiqet të paraqitet në Davos dhe në botë, si një forcë e besueshme për stabilitetin ndërkombëtar, në favor të tregtisë së lirë, por gjithmonë përmes një globalizimi sa më gjithëpërfshirës dhe të barabartë. Kina tani të bën të ndihesh "mirë", dhe çuditërisht ka arritur të joshë edhe vetë "Njeriu Davos". Në sajë të fenomenit Donald Trump, sot Kina duket se e ka pozicionuar vetën si një udhëheqës botëror në mbrojtjen e mjedisit si dhe në mbrojtje të marrëveshjes për klimën. No more comment! ... Ndërkohë duhet të jetë e qartë se rendi botëror siç ne e kemi njohur deri më sot duket se po ndryshon, dhe "Davos Man", të paktën tani për tani është në tërheqje. Udhëheqësia e mendimit botëror duket se është kapur në befasi dhe nuk e di se çfarë të mendojë më! Dhe mesa duket konfirmohet se ky lidership shpejt mund të ketë një problem serioz!

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK