Zërat
Ndue Ukaj
Ndue
Ukaj

Murtaja e gjuhës nuk sjell gjë të mirë

Zërat January 13, 2017 - 12:24

Në asnjë fushë të jetës gjërat nuk ndryshojnë vetvetiu. E më së paku në punët e shtetit dhe të politikës. Ky mendim është aksiomatik. Ndaj, duhet një forcë njerëzore që t’i ndryshojë ato. Nga përvoja e dimë se, për të mirë apo për të keq, lëvizjet shoqërore i bëjnë njerëzit: sidomos ata që besojnë në ide, kanë respekt për njeriun dhe bashkohen rreth parimeve e idealeve të përbashkëta. Ndryshe, shoqëritë që besojnë në teori të fatit dhe që zgjidhjet për vetvete i projektojnë jashtë vetvetes, janë të predestinuara të përsërisin gabime të njëpasnjëshme. Ashtu siç po bëjmë ne shpeshherë.

Janë bërë shumë vite qëkur sillemi vërdallë temave të njëjta pa provuar të kërkojmë alternativa e të gjejmë zgjidhje. Tash sa vite kemi konsumuar debat të pafund, por jo për të kërkuar zgjidhje. Më shumë shkruhet e flitet për të stigmatizuar, kritikuar dhe përbuzur dikë e diçka sesa për të gjetur shtegdalje nga problemet e rënda e reale.

Tash e sa vite kemi provuar dhe kemi lejuar para syve tanë një kulturë minimaliste të debatit. Ku flitet e shkruhet shumë dhe me mllef. Ku shkruhet e flitet kundër politikanëve, përbuzen akademikët, shpërfillen shkrimtarët e gazetarët, përçmohen profesorët e intelektualët, anashkalohen profesionistët e të dobëtit. Thjesht, kësisoj shoqëria është shndërruar në një gërmadhë njerëzish të çorientuar, ku nuk e njeh qeni të zonë dhe ku gjithsecili ka mendime për gjithçka dhe në çdo kohë. Kjo kulturë e debatit ka bërë që shoqëria jonë, në masë të madhe, verbërisht të besojë se zgjidhjet dosido do të vijnë nga jashtë, apo nga një forcë e panjohur. Si rezultat i këtij mendimi foshnjor, shumica më nuk beson në kapacitet e brendshme; pra në aftësitë tona për të bërë shtet, kulturë, arsim, gjyqësi, shëndetësi, medie, etj., sepse “ne nuk jemi të zotë për asgjë.” Këtë mendim e dëgjon kudo dhe përditë.

Pa dyshim, kjo është katandisje. Mirëpo, pyetja që shtrohet natyrshëm këtu është: kush e ka shkaktuar këtë katandisje?

Një gjë është e sigurt: deri te kjo gjendje nuk është ardhur për një ditë dhe as për një vit dhe se nuk është vetëm një faktor, por janë shumë. Mbase, kryesori, mund të jetë niveli i ulët i debateve, injoranca me bollëk dhe gjuha neveritëse dhe e pakontrolluar publike, që kanë minuar hapësirën publike dhe kanë ndihmuar që në sytë e tanë të rriten profetë të rremë (Frederik Rrshpja) që na premtojnë për çdo ditë parajsën, ndërkohë që ne ballafaqohemi, jorrallëherë me ferr. 

Për vite të tëra jemi ballafaquar me një apori debatesh të pavlerë, ku mësymja kundër njëri-tjetrit është bërë pa fije etike profesionale. Dhe kjo ka bërë që të konsolidohet e keqja, të promovohet angaria, mendimet stihike dhe personalitet që ndërrojnë mendime sa herë ndërrojnë stinët. Po ashtu, ky nivel i debateve ka krijuar hapësira për gjithfarë karagjozësh, që të shfaqin mendime për çdo temë dhe në çdo kohë; duke ia filluar nga politika te shteti, nga historia te kultura, nga heronjtë kombëtarë te çështjet e mëdha botërore, nga ekonomia te sporti.

Jemi në fillim të vitit 2017 dhe përplasjet vazhdojnë me të njëjtën gjuhë e të njëjtin ritëm. Me të njëjtën logjikë përjashtuese, me të njëjtën propagandë, me të njëjtën intencë: të prodhohet sa më shumë amulli dhe të degdiset njeriu.

Ne e dimë se nga kaluara - qoftë ajo e largët apo e afërt - nuk mund të ndryshojmë asgjë. Mirëpo, një gjë është e qartë: përpara e kemi një vit të zbrazët, të cilin mund ta mbushim me lajme të mira, ide të shëndosha, respekt, humanizëm e solidaritet. Kështu ndihmohet uniteti shtetëror e kulturor dhe në këtë mënyrë, më së miri përmirësohet atmosfera e zymtë dhe kriza e besimit ndërmjet nesh. Që të ndodhë një gjë e tillë nuk kërkohet kurrfarë shkopi magjik e as mrekulli. Nuk duhen forca të jashtme, por na mjafton gjuha, prej së cilës varet çdo gjë. Prandaj, është koha e volitshme që ta fillojmë një betejë për njeriun dhe kusht i domosdoshëm në këtë drejtim është angazhimi për ta rritur në opinionin publik gjuhën e dashurisë dhe ta minimizojmë atë të urrejtjes.

Dihet se fuqia më e madhe për të ndryshuar diçka qëndron te ne, te mënyra sesi e përdorim gjuhën, te opinionet tona, sidomos ato publike. Nëpërmjet gjuhës mund të rritet kultura e besimit, respektit dhe solidaritet ndërmjet njerëzve, vlera e virtyte këto për të cilat kemi shumë nevojë.

Për çdo ditë po e i shijojmë frytet e gjuhës helmuese, që tani është kthyer kundër krejt sistemit; kundër çdokujt. Kjo gjuhë ka ndikuar pa masë që të rrafshohet çdo vlerë, sidomos ato që janë kalcium për një komb a shtet. Për pasojë, vetëmjaftueshmëria është bërë sindromë endemike. Flasim shumë dhe dëgjojmë pak. Zgjohemi si evropianë të zellshëm e patetikë, punojmë e veprojmë si anadollakë, ndërkohë që biem, pa e pasur të qartë vërtet kush jemi!

Në fakt, kjo atmosferë ka krijuar ndjenja përkohshmërie, sikur shtetin e kemi përkohësisht, për sot, prandaj edhe zgjidhjet për problemet serioze gjithmonë i presim pa nguti dhe mundësisht nga jashtë.

Kjo atmosferë e zymtë shoqërore gjithsesi të shpie te pyetja: a ka çka të thuhet më shumë? Pyetja si e tillë shtrohet, sepse është krijuar përshtypja se janë thënë të gjitha dhe më s’ia vlen as të shkruhet e as të flitet: askush nuk dëgjon dhe shumëkush shpërfill, nënçmon, linçon.

Me kamxhik nuk zgjidhet asnjë çështje, porositin të diturit. Mirëpo me ide të reja dhe kreative po.

Kriza e besimit na ka hutuar të gjithëve. Prandaj është bërë krejt e natyrshme te ne të dëgjosh se si kundër shtetit të flasin politikanët që e kanë bërë atë, kundër letërsisë flasin shkrimtarët që e shkruajnë atë, kundër historisë flasin historianët që e bëjnë atë, kundër medieve flasin gazetarët që i bëjnë ato. Thjesht, kjo është një çoroditje shoqërore, të cilën duhet ta mposhtim. 

Sot, shumëkush mëdyshet: çfarë bëhet me temat fundamentale, siç janë: humanizmi, besimi i ndërsjellët në shoqëri, kultura e respektit dhe solidaritetit, vlera këto universale dhe të përhershme. Kemi mbetur duke i numëruar plagët shoqërore, kryesisht të lidhura me politikën, mirëpo vetëdijshëm ose pa të kemi “harruar” se ka tema shumë më të rëndësishme që lidhen me njeriun dhe ontologjinë e tij dhe që janë qenësore për ekzistencën tij. Dhe disa nga to, pa fije dyshimi, janë mungesa e besimit, respektit dhe solidaritetit. Sidomos solidariteti në punë, në parime, ide e ideale, ndërmjet njerëzve që kanë synime të përbashkëta.  

Ne, në fakt krekosemi se jemi shoqëri solidare, mirëpo nëse e provojmë këtë, faktet na dalin të kundërta. Sepse, të jesh solidar domethënë të bashkohesh me idetë, qëllimet dhe veprimet e një tjetri, për të arritur një qëllim të përbashkët. Një gjë të tillë, gjer më sot, e kemi dëshmuar shumë pak. Dhe për këtë më së miri flet paaftësia për të qenë unikë në tema jetike për shtetin e kombin.

Pa mëdyshje, nuk është normale që përbrenda një shoqërie askush të mos tregojë respekt për askënd. Prandaj, është koha që të fillojmë ta zvogëlojmë të keqen dhe ta rrisim të mirën. Përvoja e ka dëshmuar se kjo është filozofia më e mirë për ta ndërtuar të sotmen dhe sigurisht rruga më e drejtë kah një ardhme më e mirë. Deri më tani, murtaja e gjuhës nuk na ka sjellë asnjë të mirë, ndërsa të këqija shumë. Ta provojmë me gjuhën e dashurisë, respektit dhe solidaritet për njëri-tjetrin.

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK