Zërat
Ganimete Asllani, Price
Ganimete
Asllani,
Price

Ne kemi humbur rrugën në oborr

Zërat January 13, 2017 - 12:23

Po e pranoj që në fillim nuk e kam ndjekur në tërësi seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, të mbajtur më datën 10 janar 2017. Meqenëse sistemi ynë zgjedhor nuk jep shumë mundësi për të zgjedhur, sepse janë shefat e partisë ata që vendosin se kush do jetë në listën zgjedhore, atëherë e vetmja mënyrë ta ruajmë shëndetin mendor është injorimi i “debateve” parlamentare. Çka është edhe më keq, sikur fjalimet e shumicës së deputetëve të mos ishin të shëmtuara mjaftueshëm, qoftë për nga përmbajtja, qoftë për nga formulimi i fjalive, e sidomos nga mënyra e shprehjes, mundësia e secilit prej nesh që të ketë qasje në teknologji dhe rrjete sociale e mjeron gjendjen edhe më shumë nga (b) analizat që pasojnë seancat plenare.

 Nuk dua kurrë ta konsideroj veten më të ngritur se shumica. Sepse Kosova është aq e vogël, dhe ne jemi aq të fiksuar të martohemi më njerëz rreth nesh, sa nuk arrijmë kurrë të përjetojmë gjëra ndryshe dhe të mësojmë gjëra të reja. Si pasojë, pothuaj të gjithë jemi të një niveli. Një pushim, ose udhëtim jashtë vendit nuk e ndryshon askënd! Kulla e Parisit është nga metali, nuk do të mjaftojnë as miliona fotografi para saj për ta ndryshuar mentalitetin e trashëguar më shekuj. Është e kotë të flasësh gjuhën angleze, kur arsyeja kryesore që e përdor është për ta rritur hendekun në mes teje dhe “atyre që çajnë dru nëpër tarraca” shumëkatëshe të kryeqytetit.  Edhe ata që jetojnë larg Kosovës nuk kanë pushuar asnjëherë së më habituri. Prindërit kanë vetëm njohuri bazike të gjuhës ku jetojnë, megjithatë përdorin ato një grusht fjalë për të “komunikuar” me fëmijët e tyre, ani pse asnjëherë nuk integrohen në vendin ku jetojnë. Patetizmi shkon në skajshmëri kur për ta më me rendësi është t’u martohet fëmija më një shqiptar (nga rajoni i tyre) dhe më një dasmë palaçosh në Kosovë sesa ta shkollojnë fëmijën. Si pasojë fëmijët e tyre në masë të madhe mbesin gjeneratë e humbur rrugëve të botës që më së paku i shërbejnë shqiptarizmit.

Po i kthehem përmbajtjes së seancës së 10 janarit dhe dështimit të rezolutës e cila shkaktoi argumente të pabaza (po i fus edhe këto të mijat në të njëjtin thes). Unë jam e bindur që rezoluta nuk dështoi pse ndonjëri nga deputetët e Kosovës (që ishin pjesëmarrës në seancë) dëshiron që z. Haradinaj t’i dorëzohet Serbisë. Nëse dikush aludon në të kundërtën, dhe ka dëshmi se ky ishte qëllimi, atëherë deputetët vuajnë nga çrregullimi pastraumatik dhe ne duhet të bëjmë çmos që ata t’i nënshtrohen trajtimit të duhur psikiatrik. Edhe pse z. Haradinaj, sikur edhe shumë individë të tjerë, të cilët janë pjesë  e strukturave udhëheqëse në Kosovë, kanë shumë gjëra për të cilat duhet të sqarohen. Por janë qytetarët dhe gjykatat e Kosovës para të cilave pushtetarët tanë duhet të detyrohen të përgjigjën.

Serbia nuk duhet të lejohet të gjykojë njerëz të cilët i detyroi të vetëmbrohen. Nëse z. Haradinaj do të ekstradohej në Serbi, efektet e një vendimi të tillë do krijonin një situatë të re në nivelin ndërkombëtar, do të vihej në dyshim aftësia e Tribunalit të Hagës për të gjykuar krimet e luftës, e mbi të gjitha do i jepnin të drejtë Serbisë për argumentet e saj, të cilat ajo i përdor edhe kundër ndërhyrjes së NATO-s. Kosova ka votuar për Gjykatën Speciale dhe ky është argumenti më i fortë që ne duhet ta përdorim për t’i hequr dyshimet, e jo ta akuzojmë njëri-tjetrin se kemi tradhtuar.

 Sikur ta lexojmë  rezolutën pa emocione, dhe pa prapavija të përfitimeve partiake, e sidomos po ta analizojmë atë pa a vrarë mendjen për konsumin e përditshëm, rezoluta përmban gjëra që një shtet i brishtë dhe i pafuqishëm si Kosova nuk mund t’i realizojë.  Lirimi i z. Haradinaj ishte vetëm njëra nga pikat. Mirëpo, kuvendi si gjithmonë u keqpërdor për qërim hesapesh, dhe duke e ditur se mllefi qytetar është vazhdimisht në rritje, partitë në Kuvend ka moti që kanë humbur arsyen (nëse e kanë pasur ndonjëherë). E kemi parë tani e sa herë se përgjakja në rrugë (e edhe brenda institucioneve, përfshirë edhe Kuvendin), nuk është larg çmendurive të disa grupeve qe ne i konsiderojmë si udhëheqës. Por mos të fajësojmë vetëm shumicën e deputetëve dhe pushtetarët, sepse secili nga ne po kontribuon në përforcimin e tyre. Të paktën ata kanë një arsye, po përfitojnë materialisht. Bile po i dyfishojnë mëditjet e tyre për ta dëshmuar pafytyrësinë dhe moskonsideratën duke e ditur dallimin që pagat e tyre kanë në krahasim më pjesën tjetër të popullatës. E ne ku po mbesim?

Ato pjesë që dëgjova gjatë seancës kishin të bëjnë më shumë më dialogun më Serbinë, që fatkeqësisht është njëra nga pikat që nuk është trajtuar më kohë. Por a është ndërprerja e bisedimeve në të mirën tonë? Të pretendojmë se Qeveria e Kosovës zgjohet nesër në mëngjes dhe ndërpret dialogun më Serbinë, a do përmirësohet situata jonë? Të gjithë e dimë përgjigjen. Nuk janë bisedimet si proces që ne duhet t’i fajësojmë. BE-ja nuk emëron ekipin negociator, e as përmbajtjen specifike të agjendës me të cilën Kosova duhet të negociojë në Bruksel. Pse ne jemi të paaftë për të bërë diplomaci, dhe të paaftë për të argumentuar dhe dëshmuar se ne mund të ndërtojmë shtet, ajo është çështje tjetër, çështje para se cilës ne i mbyllim sytë çdo ditë. Pse ne gjithmonë kemi pasur ekipe të përbëra nga njerëz të paaftë për të biseduar, kjo nuk duhet të jetë arsye që të izolojmë veten edhe më shumë. Për më tepër nuk duhet të përdoret si shkas për të propozuar rezoluta koti që nuk mund të implementohen.

Seanca e fundit, si edhe çdo seancë tjetër, shpërfilli realitetin e secilit prej nesh, individualisht dhe bashkërisht. Edhe pse ajo çka po vërehet kohëve të fundit bindshëm është zbehja e forcave të luftës, e keqja është se brezi që do të duhej të zëvendësojë elitën e luftës njohin vetëm gjëra negative të cilat ua kemi mësuar ne, prindërit e tyre: korrupsionin, mosndëshkimin, individualizmin, snobizmin, ndjenjën se paraja dhe pushteti janë kushtimisht të ndërlidhura. I kemi mësuar se të dukesh më bukur se tjetri është esenca e njerëzimit. Se ne nuk e fitojmë një argument kur ofrojmë fakte rreth çështjes në fjalë, por vetëm atëherë kur kemi poshtëruar personalisht bashkëbiseduesin. Rasti i Z. Haradinaj dhe mënyra e trajtimit të tij nga ne është epitoma e mjerimit tonë si shoqëri. E një shoqërie që ka si të ardhme një brez, i cili sipas rezultateve të PISA-s as nuk di të shkruajë e as të lexojë. Tamam si ky brezi që po na e zë frymën që pothuaj dy dekada, të pakulturë, pa etikë pune, dhe pa respekt as për veten e tyre. Nuk më ka rastisur kurrë të shoh që një seancë e Kuvendit të fillojë në kohën e caktuar, e mos të flasim për nivelin e fjalorit që përdoret aty.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK