Zërat
Remzi Ejupi
Remzi
Ejupi

Serbët, më patriotë se ne!

Zërat January 10, 2017 - 12:43

Sa herë që Beogradi tregon fuqinë dhe autoritetin karshi neve, nisim dhe numërojmë ndëshkimet që duhet bërë Kosova Serbisë. Euforia na mbanë pak ditë, dhe gjithçka kthehet në normalitet. Sërish nisim ditën me konsumimin e gjithçka që është serbe. “Me mall të Serbisë nuk ka”, e kemi thënë gjatë regjimit, po vazhdojmë edhe pas çlirimit, edhe duke qenë gati 9 vjet shtet.

Nuk ka ligj që ndalon futjen e mallrave serbe në Kosovë, sepse një vendim i tillë i Qeverisë së Kosovës do të nxiste reagimet ndërkombëtare duke qenë se jemi nënshkrues të marrëveshjeve MSA, CEFTA etj. Por nuk mund të na detyrojë asnjë marrëveshje të konsumojmë mallrat serbe. Hiç më pak se 4 miliardë euro i kemi dërguar Serbisë për këto 17 vjet që nga mbarimi i luftës, pa harruar këtu paratë e diasporës.

Çka ju merr mendja a do ta blinin; miellin, vajin, qumështin e gjithë shportën bazë të konsumit ditor “Made in Kosova” në mes të Beogradit. Jo, sepse ata janë më patriotë sesa ne. Nuk na ndalon askush të eksportojmë në Serbi, por propaganda kundër shqiptarëve nuk është e shtrirë vetëm në hierarki, por në të gjitha instancat e shoqërisë. Në Kosovë pritet të merret një vendim nga Qeveria. Me gjithë pakënaqësitë që mund të kemi, Qeveria e Kosovës e ka të pamundur të pengojë futjen e mallrave serbe në Kosovë, por ne e kemi të mundur të mos i konsumojmë ato.

E kjo duhet të bëhet ne emër të mijëra të vrarëve në luftë, në emër të të zhdukurve, të 20-mijë femrave të dhunuara, gjenocidit që kanë shkaktuar dhe gjithë telasheve që po vazhdojnë të na shkaktojnë edhe sot kur kemi shtetin tonë. Kujtoni shifrën 4-miliardësh, para të xhepit tuaj, të cilat i kanë shkuar Serbisë. Pse duhet pritur ta arrestojnë kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, apo edhe 150 të tjerë, të cilët janë në urdhër-arrest të Serbisë, për të ndërmarrë ne hapa në ndëshkim të Serbisë. Ndërkohë që vazhdimisht secila marrëveshje është shkelur nga Serbia dhe është plotësuar nga Kosova. Ne kemi mjaftueshëm karta për të luajtur dhe për të përfituar nga procesi në vazhdimësi i dialogut me Serbinë. Të mos harrojmë se Serbia e ka zgjeruar ndërkohë tregun, jo vetëm në Ballkan por edhe në Evropë. Fuqizimi ekonomik i krijon edhe fuqizim politik.

Ndërkombëtarët kanë një agjendë të qartë e cila në sfond ka një qëllim, stabilitetin rajonal. Jo rastësisht është kërkuar nga Kosova që të investojë miliarda në infrastrukturë. Përtej interesit të brendshëm, kërkohet një lidhje mes shteteve të rajonit që historikisht nis me ndërtimin e rrugëve dhe urave.

Autostrada Kosovë- Shqipëri është lehtësim edhe për Serbinë që të zgjerojë fuqinë e saj ekonomike në Ballkan. E njëjta u kërkua dhe gati përfundoi me Maqedoninë. Përkundër ankesave se Kosova ka nevojë më shumë në zhvillim të brendshëm ekonomik, thithje të investimeve të jashtme, u këmbëngul që të investohen miliarda në autostrada. Edhe kjo autostradë do të lidhë lehtësisht Serbinë me Maqedoninë. Pra, qasja e bashkësisë ndërkombëtare si në tryezë gjatë bisedimeve me Serbinë ashtu edhe pas perdeve është bërë tashmë e njohur këto 17 vjetët e pas luftës. Pak e shumë e dimë qëndrimin amerikan, gjerman, skandinav, francez etj.

Të gjitha këto shtete kanë njohur pavarësinë tonë, kanë investuar shuma të mëdha në ndërtimin e shtetësisë sonë, por shumëçka në relacion me Serbinë e kemi në duar vetë ne. Por pa mohuar faktin se Serbinë po ashtu e kanë partnerë strategjikë të rëndësishëm në rajon, BE-ja nuk i ndalon Kosovës që të vendosë për shkëmbimet tregtare me vendet e rajonit, të blejë apo të mos blejë mallra nga ata. Serbia e ka të qartë realitetin e njohur ndërkombëtarisht të pavarësinë sonë. Do të ishte naive të besojmë se Serbia shpejt e pranon këtë realitet zyrtarisht. Por Serbia ka një interes të madh, e ai është kryekëput ekonomik. Në ndërkohë e kemi nënvlerësuar fuqinë tonë që i çon miliarda Serbisë. Këtu pra është çelësi ynë në raport me Serbinë. Çka përfituam nga marrëveshjet në dialogun tashmë shumëvjeçar me Serbinë nën llupën e ndërkombëtarëve. Kosova është humbëse, kurse Serbia ka përfituar në vazhdimësi. Dhe jo vetëm nga marrëveshjet, por nga vetë NE.

Dy vjet më parë gazeta “Zëri” nxori një hulumtim me të dhëna në detaje se sa përfitoi Serbia nga eksporti i mallrave në Kosovë. Hiç më pak se mbi 3 miliardë euro. Duke rishikuar edhe njëherë numrat në rritje të konsumit të mallrave serbe, del se gjithsej nga paslufta Kosova i ka dërguar para kesh Serbisë 4 miliardë euro. Një pjesë e madhe e ekonomisë së Serbisë varet nga xhepi ynë. Pra ne e kemi në dorë Serbinë dhe jo ajo neve. Duhet kohë e gjatë të edukohet konsumatori, por për këtë arsye ekziston shteti dhe politikat e saj.

Në rrafshin gjeopolitik ka vendime të mëdha që lidhen me interesat ekonomike. Dihet shumë mirë se si kërcënohen shtetet e mëdha me sanksione. Serbinë nuk e kemi kushtëzuar asnjëherë, vetëm se kemi vazhduar ta zgjerojmë tregun për mallrat e tyre. Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq dhe disa përfaqësues të Qeverisë së Vuçiqit nuk u lejuan që të futen në Kosovës, për krishtlindjet ortodokse, pas arrestimit të Ramushit për urdhër-arrest të Serbisë.

Por nuk është se e lë keq Serbinë mosardhja njëherë e Nikoliqit në Kosovë. Eh kur të ndalet burimi i qindra miliona eurove brenda muajve, atëherë do të shihet reagimi i Serbisë. Kosova me urgjencë duhet të hapë tregun me Shqipërinë, nuk na ndal asnjë politikë e BE-së, lehtësirat në shkëmbimet tregtare. Kapacitete e të dyja vendeve mund të përmbushin nevojat në masë të madhe të konsumit të brendshëm. Takimet e dy qeverive duhet të fokusohen në aktivitete konkrete ekonomike dhe jo vetëm në deklarata patriotike dhe një album fotografish. Nuk ka nevojë të ndryshohen kufij për t’u bashkuar ekonomikisht. Serbia është duke punuar në zgjerimin e tregut edhe në Shqipëri. Është momentumi i dy shteteve shqiptare që të zhvillohemi ekonomikisht dhe të ndërpresim burimin e pashtershëm për Serbinë. Paramendo si do të ndryshojë qëndrimi i Beogradit kur të mos i shkojnë miliarda euro nga Kosova!

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK