Zërat
Andi Bushati
Andi
Bushati

Rama nuk është viktimë e 'post truth'

Zërat January 03, 2017 - 13:08

Ne jetojmë ende në periudhën, kur të vërtetat dalin me vështirësi në shesh dhe çdo përpjekje për të përshkruar një situatë tjetër është në fakt një nismë perverse për të përligjur, ato që tashmë Rama ka paralajmëruar: zvoglimin e lirisë së shprehjes dhe mbylljen e mediave online

Fjalori prestigjoz i Oksfordit përzgjodhi si termin e vitit 2016  mbiemrin « post truth », që në shqip mund të përkthehet përafërsisht, përtej së vërtetës. Në një kontekst më të gjërë, ky koncept ka të bëjë me rrethana kur besimet e verbëra ose emocionet kanë shumë më tepër ndikim në formimin e opinionit sesa faktet reale.

Natyrisht, jo më kot, fjalori i Oksfordit bëri këtë zgjedhje. Të shumë janë editorialistët nga New York-u, Parisi dhe Londra që po i kushtojnë rëndësi kësaj situate të re të shoqërive përendimore, ku me anë të rrejteve sociale, gënjeshtarat kanë mundësi të kenë një influencë po aq të madhe sa dhe të vërtetat objektive.

Të tilla dukuri u vunë re në fushatën e Trumpit në Amerikë (janë të njohura thëniet e manjatit të ndërtimeve se Obama nuk kish lindur në SHBA prandaj presidenca e tij qe e paligjshme), në argumentet e partizanëve të Brexit në Angli (gënjeshta e Nigel Frage se vendi i tij i jep çdo javë BE-së 430 milionë euro), prandaj shumëkush mendon se ato ndikuan në rezultatet e këtyre garave.

Pak a shumë për të njëjtën teknologji është i njohur edhe Sali Berisha në Tiranë. Përmes shpikjes të « qytetarit dixhital » ish kryeministri lëshon në parlament dhe në Facebook, sa të vërteta të frikshme, po aq dhe shpifje marramendëse.

E përbashkëta e këtyre pohimeve pa filtër, që më pas përmes rrjeteve sociale marrin të drejtën për të ekzistuar si të vërteta, ka vënë në pikpyetje edhe rolin e gazetarëve.

A janë vërtet mediat ndërmjetëset që sqarojnë nëse politikanët kanë thënë të vërtetën apo kanë gënjyer ? A janë ato arbitri që tregon se nga cila anë e balancës peshon e drejta? A kanë ato për mision të raportojnë ndershmërisht duke u nisur vetëm nga faktet ?

Pikërisht këtë polemikë që po zhvillohet me zjarr në shoqëritë perendimore ka dashur ta përvetësojë duke e kthyer në favor të tij, kryeministri Rama.

I gjendur shpesh, këtë vit skandalesh të mëdha, në syrin e ciklonit, ai ka provokuar këtë debat teorik në konferencën e shtypi të fundvitit, me shpresën për ta renditur veten mes atyre politikanëve perendimorë që janë bërë viktima të post- truth (përtej të vërtetave).

Dhe ai ka zhvilluar live një debat me gazetarin e ABC, Indrit Maraku mbi rolin që duhet të luajnë mediat.

Situata tashmë është e njohur (shiko videon poshtë).

Kur gazetari e pyeti kryeministrin se përse ai ishte tërhequr nga deklaratat e tre viteve më parë, kur tha se do t’i mbyllte kazinotë dhe lojrat e fatit në qendrat e qyteteve, dhe nëse kjo konfirmonte akuzat e opozitës se ai qe kapobanda e këtij biznesi të pisët, kryeministri reagoi me pathosin e një profesori gjimnazi.

Ai filloi të shpjegonte live për publikun se si duhej të sillej gazetaria, si si misioni i saj ishte që të gjente të vërtetën mes akuzave të opozitës dhe mbrojtjes së pushtetit, se si analistët shqiptarë silleshin si partizanë të partive dhe komentonin duke u nisur jo sipas fakteve, por sipas “përtej të vërtetave” e kështu me radhë.

Por, në ditën e fundit të vitit, Rama zgjodhi terenin e gabuar për tu hequr si një viktimë e gënjeshtrave të kundërshtarëve.

Historia e tij me lojrat e fatit është një histori turpi.

Në fillimin e mandatit të tij, kur mobilizoi reth 6500 policë në operacionin “Fundi i marrëzisë”, ai premtoi se do ti jepte fund këtij biznesi që dëmtonte familjen shqiptare dhe psikikën e njerëzve.

Sot tre vite e ca më pas, ai ka dështuar. Dhe argumentat me të cilat ai e përligj këtë dështim (njëri prej tyre se nuk e lejonte LSI-a gjë që e bëri këtë parti të reagonte aty për aty, duke thënë se e votonte menjëherë ndalimin) janë qesharakë. Ai thotë se sot Shqipëria nuk ka rezorte turistike ku mund të vendosen kazionotë, se ato krijojnë vende pune, se ato ndihmojnë buxhetin e shtetit, sikur nuk i dinte këto të dhëna në shtator 2013, kur shpalli me bujë fundin e marrëzisë (lexo shkrimin poshte).

Në fakt, media i vuri në dukje të gjitha këto kundërthënie. Ajo i krahasoi gjithë premtimet pompoze të Ramës me argumentat absurdë që ai rendit sot për dështimin me mbylljen e lojrave të fatit.

Prandaj, në këtë rast, pasi ka analizuar faktet ajo ka të drejtë të ngrejë dyshime : a mos është i lidhur vetë kryeministri me interesat e këtij bizbesi të dyshimte ?

Pikërisht për këtë arsye, pyetja që i bëri gazetari Indrit Maraku, në konferencën e fundvitit, ishte një pyetje prej gazetari race. Një pyetje e tillë mund t’i bëhej Ramës edhe për lejimin e importit të plehrave edhe për gënjeshtrën e fushatës se në Tiranë nuk do të ngriheshin më kulla.

Dhe për të gjitha këto, leksioni i tij se si duhet të silleshin gazetarët për të zbuluar të vërtetën është i panevojshëm. Përpjekja e tij për tu shfaqur si një viktimë e epokës së « post- truth » është një dështim.

Realiteti ngjan krejt tjetër.

Për fat të keq, gazetarët kanë bërë shumë pak në misionin e tyre, sepse aq hapsirë u ka lënë pushteti që po i blen një nga një pronarët e mediave me kjoska qytetesh dhe leje rokaqiejsh.

Për fat të keq, megjithëse kanë demaskuar koncesionet për miqtë, abuzimet me tenderat, plantacionet e pafundme të drogës dhe emrat e shumfishtë të politikanëve të kriminalizuar, ata nuk i kanë shkuar dot deri në fund të vërtetave të tyre.

Pra, në këtë kuptim, ndryshe nga sa pretendon krryeministri ynë, problemi shqiptar nuk i ngjan atij të shoqërive perendimore që shqetësohen se po jetojnë në epokën e post të vërtetave të shpërndara në rrjet.

Ne jetojmë ende në periudhën, kur të vërtetat dalin me vështirësi në shesh dhe çdo përpjekje për të përshkruar një situatë tjetër është në fakt një nismë perverse për të përligjur, ato që tashmë Rama ka paralajmëruar: zvoglimin e lirisë së shprehjes dhe mbylljen e mediave online. (Lapsi.al)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK