Zërat
Jeton Zulfaj
Jeton
Zulfaj

Viti i humbur!

Zërat January 02, 2017 - 15:19

Ka shumë tema të cilat dëshmuan se viti 2016 ishte një vit i humbur. Parlamenti nuk arriti të kalojë asnjë ligj me rendësi, qoftë në zhvillimin ekonomik, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit apo edhe në avancimin e vendit drejt integrimeve, por asnjë nga humbjet nuk ia kalon humbjes së madhe të liberalizimit të vizave. Dështimi në liberalizimin e vizave dëshmoi se betejat e luftuara nga partitë politike janë elektorale dhe aspak për të përmirësuar jetën e qytetarit.

 
Kauzat, nacionalizmi dhe një elitë e ngushtë

Më 28 nëntor 2015 mora pjesë në protestën, e cila ishte organizuar nga opozita për dy tema që dominuan pjesën e dytë të vitit 2015 - Asociacioni për Komunat Serbe (AKS) dhe Demarkacioni me Malin e Zi.

Arsyeja pse isha në protestë ishte sepse isha dhe mbetem i mendimit se me një politikë dhe politikanë më të mençur mund të arrinim marrëveshje më të mira dhe që të dy marrëveshjet mund të përmirësohen në një klimë të kompromisit dhe të bashkëpunimit.

Për dallim nga ky vit, nëntori i kaluar ishte më i ftohtë, megjithatë qytetin gri dhe të ftoftë po e ngrohnin sadopak flamujt kombëtarë, që kishin stolisur qytetin gjithandej.

Skena ishte vendosur në sheshin “Zahir Pajaziti”, përballë hotelit “Grand”. Një skenë e kuqe dhe gjigande e stolisur me flamuj kombëtarë. Nuk kishte askund flamuj të Kosovës. Unë u ndala në pjesën e djathtë, shumë afër skenës. Pasi përfunduan fjalimet e liderëve të opozitës, ku derdhën gjithë vrerin që kishin kundër pushtetit i cili nuk bënte zë karshi kërkesave të tyre, turma filloi të thërriste emrin e Albin Kurtit. Kurti ishte në arrati në atë kohë pasi po kërkohej nga Policia e Kosovës për hedhje të gazit lotsjellës në Parlamentin e Kosovës.

Fillimisht mendova se do të ishte çmenduri sikur Kurti të paraqitej në një tubim të tillë, pasi do të provokonte seriozitetin e fletarrestimit ndaj tij.

Derisa brohoritjet vazhdonin dhjetëra të rinj, të cilët kishin lidhur një shirit të kuq në krahun e djathtë, u futën në turmë dhe formuan një korridor nga ku do të kalonte lideri i tyre. Nuk vonoi shumë dhe Lideri i cili kishte vendosur që të dilte në pizhame për të dëshmuar për të satën herë kompleksin me thjeshtësinë e tij, erdhi përmes kordonit të të rinjve, të cilët ngjanin me ushtarë të mirëdisiplinuar.

Publiku u ekzaltua, sikur arriti një lloj orgazme publike kur pa Albinin.

 “…nga Kuvendi i Lezhës te Lidhja e Prizrenit, nga Kongresi i Manastirit te Epopeja e UÇK-së…gjuhë dhe flamur, gjak dhe liri. Vetja jonë, vendi ynë, vendimi ynë – Vetëvendosje”.

Kështu filloi fjalimin e tij lideri shpirtëror i “Vetëvendosjes”.

Albini nuk ishte pjesë e skenarit pasi që ishte në arrati dhe kur ai doli në skenë dhe filloi fjalimin për bashkim kombëtar papritmas ndjeva një zhgënjim sepse kauzat për të cilat kishim dalë në protestë u dukën false.

Albini kishte shfrytëzuar mirë kohën në arrati për të shkruar këtë fjalim. Ky ishte kushtrimi i munguar që të gjithë t’i bashkoheshim luftës së UÇK-së; fjalimi që do t’i trimëronte komandantët për të vdekur në beteja; fjalimi që do të trimëronte që askush të mos ikte në Bllacë; që askush të mos dorëzohej; që të gjithë të vdisnim për flamur.

Sa qesharak më dukej ky fjalim. Unë vërtet përlotem për Nëntorin e II të Ismail Qemalit sepse fati i popullit tonë është tragjik, të ndarë me dhunë dhe me forcë padrejtësisht, por ky ishte viti 2015 dhe jo 1912.

Lezha, Prizreni dhe Manastiri u mbyllën padrejtësisht në Londër më 1912-13, kurse Epopeja u mbyll në Rambuje më 1999 dhe Vjenë 2006-08 nga e njëjta elitë, e cila ishe pjesë e UÇK-së dhe e rezistencës paqësore. 

Prandaj ky ishte fjalim i vonuar, rrëqethës dhe aspak ekzaltues. Shtatë vjet pas shpalljes së pavarësisë nga e gjithë elita politike e Kosovës, e luftës dhe e paqes, një lider populist i opozitës po bënte thirrje për derdhje gjaku, për fisnikëri dhe pastërti racore, për një definim të së ardhmes mbi bazën e historisë, për një luftë të gjatë për bashkim kombëtar.

Protesta ishte një fiasko dhe se temat e vërteta të protestës ishin mashtrim, por Albini nuk donte që të dorëzohej tinëzisht, diku ku nuk e kapin kamerat apo të dorëzohej vetë tek Policia pa e parë qytetarët. Albini donte një spektakël, një arrestim grandioz për të dëshmuar madhështinë e tij dhe frikën që pushteti ka nga ai.

Mes tjerash, fjalimi i Albinit dëshmoi më së miri se opozita (LVV, AAK, Nisma) nuk ishte e bashkuar në qëllime. Përderisa LVV-ja kishte qëllim bashkimin kombëtar, AAK-ja dhe Nisma kishin qëllim ndërrimin e pushtetit, kurse Demarkacioni dhe Asociacioni ishin karta për të shtyrë këtë qëllim.

Rezultati i protestës së 28 nëntorit 2015 ishte i barabartë me gjysmën e dytë të vitit 2015 = Zero. Me këtë fjalim dhe ajo që pasoi pas tij do të përmbyllej një vit i trishtë dhe i zymtë për Kosovën, ku të vetmet imazhe që i përcollëm për botën ishte gazi lotsjellës, gurët, tymi dhe flakët nga kryeqyteti.

I vetmi sukses që nuk varej nga politika ishte suksesi personal i Majlinda Kelmendit.

2016-a si vazhdim i 2015-s

Në dhjetor 2015, Gjykata Kushtetuese nxori vendimin me anë të të cilit AKS-në në masë të madhe e nxjerr në kundërshtim me Kushtetutën. Vendimi nuk ishte i papritur, por ai i dha një hov të ri opozitës për të marshuar drejt kaosit, pasigurisë dhe zgjedhjeve me çdo kusht.

Asociacioni dhe Demarkacioni ishin dy temat me të cilat opozita ishte e bindur se do ta rrëzonte Qeverinë dhe do të shkonte në zgjedhje si fituese.

Protestat, sado të mëdha në numër, sikurse ajo e 9 janarit, nuk bënë ndonjë ndryshim. Qeveria vazhdonte punën e saj e pashqetësuar, duke mohuar kauzat e opozitës, bashkësia ndërkombëtare nuk përkrahte asnjërën nga kauzat dhe dënonte çdo incident në protestë duke i faturuar çdo eskalim të gjendjes opozitës, kurse qytetarët do të fillonin shpejt të lodheshin nga kjo dramë e pafund.

Qeveria nuk u rrëzua, por gazi lotsjellës, protestat dhe arrestimet bënë që të dyja temat të ngriheshin. Qeveria u tërhoq nga të dyja temat për t’i qetësuar gjakrat. Ky ishte një vendim për të bërë asgjë.

Megjithatë, kjo strategji “funksionoi” për të dy palët. Qeveria nuk doli humbëse pasi ajo nuk u tërhoq nga asnjëra marrëveshje që kishte nënshkruar, kurse opozita nuk doli humbëse sepse ajo nuk u tërhoq nga pengimi i realizimit të marrëveshjeve.

Por, kur të dyja temat u hoqën nga agjenda, opozita ra në heshtje. Roli i saj në adresimin e problemeve dhe ofrimin e alternativës rreth papunësisë, zhvillimit ekonomik, korrupsionit, krimit të organizuar dhe proceseve anëtarësuese sikurse ai në BE nuk përbënin lajm për opozitën dhe sipas tyre nuk përbënin as “interes për qytetarët”.

Kush humbi dhe kush fitoi më 2016-n?

Në retrospektivë, e gjithë beteja mes pozitës dhe opozitës ishte “kush po humb dhe kush po fiton” karshi elektoratit - qytetarëve. Qytetari ishte thjesht një mjet për të arritur qëllimin.

Koalicioni qeverisës dëshironte me çdo kusht që AKS-ja, që ishte në masë të madhe jokushtetuese, dhe Demarkacioni për të cilin nuk kishte konsensus shoqëror, të votoheshin në Kuvend.

Për koalicionin qeverisës vetëm aprovimi i Demarkacionit sipas nënshkrimit të Hashim Thaçit dhe Skender Hysenit përkthehej në sukses – vota. Çdo variant tjetër do të shkaktonte humbje të votave. Rrjedhimisht koalicioni qeverisës nuk e ishte i shqetësuar dhe nuk e kishte qëllim kalimin e Demarkacionit për të plotësuar kushtin për liberalizim të vizave, por për të siguruar besimin e elektoratit.

Në anën tjetër, opozita kishte reduktuar rolin e tyre opozitar në kundërshtimin e dy marrëveshjeve, atë për Demarkacionin dhe Asociacionin. E inatosur nga “tradhtia” e LDK-së me LVAN-in, opozita po kërkonte çdo ditë arsye për ta rrëzuar Qeverinë dhe Demarkacioni e Asociacioni dolën si mundësi të arta për ta rritur edhe më shumë presionin për të shkaktuar zgjedhje të parakohshme.

Për opozitën vetëm mosaprovimi i Demarkacionit dhe i Asociacionit sipas nënshkrimit të Hashim Thaçit dhe Skender Hysenit përkthehej në sukses – vota.

Nga ky duel mes pozitës dhe opozitës qytetari nuk fitonte asgjë. Skenat e dhunës, sharjet dhe fjalorit banal ishin neveritës për qytetarët dhe aspak përfaqësues dhe një masë e madhe e qytetarëve nuk përfaqësoheshin nga asnjëra palë.

I vetmi veprim nga partitë politike në vitin 2016 nga i cili vërtet fitonte qytetari ishte aprovimi i Demarkacionit me konsensus përmes të cilit mundësohej liberalizimi i vizave.

Kushti nga Bashkimi Evropian për demarkacionin me Malin e Zi nuk përcaktonte ku duhej të ishte pika kufitare, kushti ishte që të bëhej demarkacioni. Rrjedhimisht, nëse pozita dhe opozita do të mendonin për qytetarët dhe jo për votat dhe interesat personale, ato do të gjenin kompromis për të vendosur një pikë kufitare me të cilën do të ishin të pajtueshëm të dyja palët dhe do të bënte që të plotësohej kushti për liberalizim të vizave.

Natyrisht se barrën kryesore e kishte koalicioni qeverisës sepse ai kishte shumicën në Kuvend dhe pushtetin në Qeveri dhe në çdo kohë mund të bënte një ftesë për të krijuar një grup të unitetit, duke përfshirë edhe opozitën për të rinegociuar Demarkacionin, por opozita i dha zjarr joproporcionalisht procesit duke kontaminuar bashkëpunimin dhe ka pjesën e vet të fajit. Opozita asnjëherë nuk protestoi për të kërkuar një grup uniteti me pankarta kompromisi për Demarkacionin. Pankartat e opozitës lexonin “Dorëheqje” “Zgjedhje të parakohshme” “Tradhtarë”, një gjuhë e cila minoi pozicionet kundërshtuese. 

Gjithsesi, viti 2016 nxori shumë mësime për qytetarët. Së pari se politika në Kosovë është e fokusuar drejt votuesit dhe jo drejt qytetarit, rrjedhimisht qytetari dhe votuesi nuk janë i njëjti në sytë e partive politike. Dhe në këtë pikë votuesit u bënë shkas që qytetarët të mbesin pa liberalizim të vizave.

Së dyti, kuptuam se opozita as nuk mund të bashkohet dhe as nuk ka kapacitete për të ofruar alternativë. Kjo sepse partia më e madhe opozitare nuk përputhet pothuajse në asnjë temë madhore me dy partitë tjera, qoftë për dialogun në Bruksel, qoftë për Demarkacionin e Asociacionin apo për privatizimin dhe tema të tjera madhore. 

Qytetarët dëshmuan se ata nuk ndiejnë dashuri për partitë e korruptuara dhe kriminale e as për ato që shtyjnë agjenda nacionaliste. Radikalizmi fetar, niveli i lartë i korrupsionit, papunësia, mungesa e zhvillimit ekonomik dhe liria e lëvizjes janë temat për të cilët qytetarët janë të interesuar dhe 2017-a duhet të jenë agjendë e Qeverisë dhe Parlamentit.

Më 2016-n mësim nxori edhe shoqëria civile dhe mediet. Shoqëria civile dështoi të luante një rol aktiv në informimin dhe orientimin e shoqërisë drejt problemeve reale, kurse media dështoi që të drejtojë një agjendë ndryshe ku problemet reale të qytetarëve vendosen në ballina dhe përbëjnë lajm. Media krijoi hapësirë të tepërt për temat boshe sikurse sherret dhe përplasjet mes pozitës dhe opozitës dhe dështoi që të kërkojë llogari për problemet e përditshme të qytetarëve.

Epilogu

Në rrafshin politik, viti 2016 ishte një vit i humbur. Parlamenti asnjëherë nuk funksioni në kapacitetin e tij të plotë dhe, edhe atëherë kur punoi nuk prodhoi asnjë rezultat për qytetarët. Qeveria në vend të gjetjes së zgjidhjeve për të dyja temat madhore sikurse Asociacioni dhe Demarkacioni, vendosi të mos bëjë asgjë.

Dhe duke vendosur për të mos bërë asgjë e ktheu të gjithë vitin 2016 të tillë, thjesht një vit Asgjë.

Qytetarët duhet t’i mbajnë përgjegjës dhe t’i ndëshkojnë partitë politike në pozitë dhe opozitë për dështimin në liberalizimin e vizave dhe për getoizimin e vendit.

Asociacioni, Demarkacioni dhe Gjykata Speciale pritet të përsëriten në vitin 2017, por këto nuk duhet të jenë tema që ndajnë shoqërinë. Një elitë politike ndryshe do të flasë me gjuhën e dialogut dhe të kompromisit duke vendosur interesat e qytetarëve para interesave personale.

Prandaj viti 2017 duhet të jetë një përpjekje e qytetarëve për të zëvendësuar këtë elitë politike të korruptuar dhe me agjendë nacionaliste me një elitë të re politike.

Kjo nuk do të jetë e lehtë, por nëse vërtet jemi të interesuar për ta ndryshuar vendin dhe për t’u liruar nga liderë që kanë uzurpuar dhe privatizuar shtetin, duhet të jemi të guximshëm për të shpresuar.

 

 

 

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK